Nga Armand Maho
Nuk kisha parë ndonjëherë në këto 32 vite të ndryshimit të sistemit, një fushatë aq të përqëndruar te një forcë politike, për të zhvatur sa më shumë të mundë votën e injorancës. Po po të injorancës…
Ritme tallavaje, histori të nxjerra nga thesi i 30 viteve të shkuara për opozitën të ngjashme me muhabete pijanecësh parazitë nëpër lagje, xhingi allafrënga e allaturka që mbështesin Erion Veliajn publikisht, martesë e sponsorizuar në Bashkinë e Tiranës për Luizin dhe Kiarën, vallëzime të Ramës si ariu Mira e Tahir Baçovës në cirk nën ritmet e Tit Vullkanit, pleq e plaka nga Klosi të vënë në rresht që kërcejnë të lumtur për pensionin mjeran që marrin…. Kjo është pak a shumë oferta që ofrohet nga ata që si slogan kanë zgjedhur “vetëm përpara”. Asnjë ofertë, asnjë projekt, asnjë llogaridhënie vetëm tallava…
Edi Rama e di fort mirë se çfarë kandidatësh po u ofron njerëzve. Ai s’do bilanc pune… Ata që ka pasur në krye të bashkive në të gjithë vendin kanë qenë thjesht noterë të çmendurive urbane që kanë sakatuar Tiranën dhe gjithë qytetet e tjera. Tendera që vinin të porositur nga Tirana, dhe kusuri çfarë mbetej për të futur në xhep. Para të shpërdoruara pa fund, një rilindje urbane që s’ka pasur asnjë impakt në përmirësimin e jetës së qytetarit apo fermerit. Një vizion tallava i drejtimit të shtetit, ashtu siç po shfaqet dhe në këto vigjilje zgjedhjesh lokale…
Rama nuk ka qëllim të punojë, aq më pak qehajaj-t e tij parazitë nëpër bashki. Për shembull ai e kërkon Tiranën për të zaptuar çdo hapësirë të gjelbër, për të vazhduar me rrugë 22 milionë euro kilometri, që nuk zgjidhin asgjë në trafikun e çartur. Për të zhdukur çdo memorie historike të qytetit, sipas projektit të tij psikopatik. Asnjë njeri normal në krye të Bashkisë nuk do ja firmoste ato projekte përveç Erion Veliajt, që është gati të shkelë mbi çdo normë njerëzore, të firmosë çdo vjedhje, të përçudnojë çdo gjë të shenjtë që ky qytet ka vetëm për të çuar në vend idetë apo tekat korruptive të Ramës. Në fakt kjo është parë qartë dhe në daljet publike. Ai qesh dhe kur Rama e trajton si leckë. Si mund të presësh hajër prej një individi të tillë…
Në këto kushte asnjeri me një minimum inteligjence nuk do të votonte për kandidatët e Ramës prandaj zgjidhja është gjetur tek injoranca. Një amnezi totale nën ritmet e tallavasë së Tit Vullkanit në mesazhet e Çiljetës dhe Ermal Mamaqit, Noizyt dhe dreqit me të birin që po rreken të na tregojnë se ky picir që po jetojmë është vetëm një iluzion. Se Tirana fjala vjen nuk ka trafik, se vërtet janë mbjellë 1 milionë pemë, se lali Eri nuk është mashtrues, se dasmën në kala ja ka financuar vërtet e ëma.
Kasta e hajdutëve jo më kot ka zgjedhur të manipulojë këtë target të shoqërisë, duke I thënë që “e shikoni ne jemi njësoj si ju. Adhurojmë Luizin dhe muzikën tallava. Ne vërtet vjedhim, ju lemë pa ujë, ju ngremë taksat, po ju çojmë drejt greminës, por në fund të fundit lale jemi “rob zoti”…”. Ata e dinë mirë se po doli në zgjedhje pjesa inteligjente e shoqërisë janë të marrë fund prandaj mundohen ta mbajnë këtë target votuesish larg zgjedhjeve duke e drejtuar gishtin e fajit tek opozita e cila nuk mbahet mend që kur e kanë lënë pushtetin.
Bëjnë gjithçka kanë në dorë për të sulmuar çdo projekt që synon të përmirësojë jetën e qytetarëve duke na servirur këtë hale të qelbur urbane që kanë ndërtuar me korrupsionin dhe vjedhjen e tyre, si zgjidhje perfekte. Pra duan të na tërheqin dhe prej hunde mire që na vjedhin…
Zgjidhja e vetme është që më 14 maj të bashkohen jo vetëm kundërshtarët e Ramës, por dhe ata “skeptikët” që rropaten njësoj për të paguar taksat Ramës apo Veliajt. Ata që kanë mbetur në trafik, ata që paguajnë dhe s’dinë për çfarë paguajnë. Ata që nuk kanë mundësi të blenë një shtëpi, apo të çojnë fëmijët në kopshte, shkolla private.
Ata që kanë sharë së paku një herë Erion Veliajn dhe të ngjashmit e tij për rrugët e pashtruara, për sheshin e fëmijëve që ua zuri me pallat e kulla, apo dhe për të gjitha zullumet e tjera tek e cila lista është e pafundme. Në rast se nuk e bëjnë pra nuk dalin të votojnë për ta sikterisur këtë model të shëmtuar e bastard si askund tjetër atëherë duhet t’a dinë se Rama, Veliaj apo të tjerë janë në të drejtën e tyre të qeverisin me votën që i ka dhënë injoranca e magjepsur pas tallavasë së Tit Vullkanit, këngëve me b… të Çiljetës apo Big Brotherit!
Discussion about this post