Silvi Bardhi, zëdhënësja e fishatës së Belind Këlliçit për bashkinë e Tiranës, ka dhënë një intervistë për televizionin “Syri Tv”, në lidhje me të ardhmen politike të ish-kandidatit për bashkinë e kryeqytetit.
Bardhi u pyet gjithashtu nëse do ishte në vazhdim zëdhënësja e z. Këlliçi apo jo.
Intervista:
Pyetje: Besoj se mbaroi historia që je zëdhënëse e fushatës së Belind Këlliçit, apo jo?
Silvi Bardhi: Janë disa pozicione, por i them vetes se më së shumti jamë demokrate.
Pyetje: Z. Këlliçi tha dje se të gjithë duhet të reflektojmë dhe “unë do të jem i pari”. Cili do të jetë hapi konkret?
Silvi Bardhi: Belindi është një djalë i ri, 36 vjeç, i cili ka dëshmuar qytetari, ka dëshmuar se ka një program për Tiranën, ka një program për të gjithë qytetarët e Tiranës. Unë personalisht kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me Belindin. Ajo që vura re tek ai ishte se ai i dha liri, ekipit të tij për të punuar, nuk ushtroi aspak trysni për mënyrën se si do të komunikonim ne me publikun, me qytetarët, për të treguar programin e tij. Ai është një djalë, i cili ka një vizion dhe vazhdon të ketë energjitë për të vazhduar përpara në politikë. Ai është dëshmuar se ka fituar në garat e tij. Mbi 100 mijë vota të dhëna në Tiranë janë absolutisht vota të dhëna për Belind Këlliçin, për programin e tij. Emocionues është fakti që votat më të shumta ai i ka pasur në qendër të Tiranës, tek pjesa intelektuale, tek zonat autoktone tiranase, të cilat pranuan dhe përqafuan programin e Belindit dhe mënyrën se si ai do të donte ta menaxhonte Tiranën. Kam besim se Belindi do të vazhdojë rrugën e tij politike. Do të jemi përkrah tij të gjithë dhe përkrah kujtdo që është gati të ballafaqohet me këtë shtet kriminal që ka kapur çdo institucion.
Nuk është thjesht një retorikë. Kjo është një e vërtetë. Ne kemi parë të gjithë gjatë gjithë fushatës, përgjatë tri muajve që unë kam qëndruar në shtabin elektoral të Belindit, kam qenë në terren, kam ardhur në studio, kam qenë pjesë e deklaratave, kemi denoncuar dhe e vërteta është se njerëzit ishin të frikësuar. Pra, ata e pranonin faktin se punët nuk ishin bërë, kishte probleme të thella, por nuk donin të prononcoheshin. Dhe e vërteta është që shumë njerëz u blenë dhe një para e madhe është dhënë jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Një presion i madh i është bërë familjarëve për të mos votuar të djathtët. Pra, janë identifikuar shumë familjarë, që janë të djathtë dhe janë vënë në presion për shkak se njeri prej familjarëve ka qenë i punësuar dhe ju është thënë se nëse familjarët tuaj do të dalin dhe do të votojnë, atëherë ti do të largohesh nga puna.
Pyetje: A ndiheni se tani nuk mjafton më fakti që e dimë të gjithë se mazhoranca përdor çdo manikacion të mundshëm? Cili do të jetë ky ndryshim në strategji, në qasje dhe reflektim që do të bëni?
Silvi Bardhi: Absolutisht që duhet bërë një reflektim, duhet bërë një analizë. Secili prej nesh duhet të bëjë një analizë. Secili prej nesh e ka bërë detyrën e tij, çdokush ka dhënë maksimumin e tij për të dalë fitues në zgjedhje. Do të vazhdojmë të jemi të tillë. Unë kam një aksiomë se nëse çdokush bën detyrën e tij, atë pak hapësirë që ka, atëherë ne do të kemi rezultat. Unë mendoj se, jo duke filluar po ne duhet të jemi në vazhdim të reflektimit tonë se çfarë duhet bërë më mirë.
Ajo që ne duhet të themi është: demokratë shkuan në zgjedhje në një logo koalicioni, pa liderin e tyre në fletë, sepse nuk u lejua që emri i Sali Berishës të regjistrohej në fletën e votimit. E vërteta është se duke u marrë peng logoja, duke u marrë peng edhe çdo gjë që përfaqëson Partinë Demokratike, ne hymë në zgjedhje bashkë me demokratët, bashkë me shqiptarët, bashkë me ata të cilët donin ndryshimin në kushte të pabarabarta dhe sot ti je i i dyti në rang kombëtar.
Mua më vjen keq që PD, ajo parti që ne i kemi dhënë frymën, shpresën, jetën, fytyrën tonë, imazhin tonë, ditët tona, orët tona, familjet tona, sakrificat tona, del e katërta në renditje. Kjo, për shkak të ambicieve të pak personave të cilët nuk besoj se ia kanë arritur të dëmtojnë elektoratin demokrat. Ai u konfirmua. Elektorati demokrat, shqiptarët që duan ndryshimin, që janë kundër makinerisë së Edi Ramës, dolën të dytët. Kjo vërtetoi që Sali Berisha, ekipi i tij dhe të gjithë ne duhet të vazhdojmë punën tonë, duhet të vazhdojmë të jemi opozita e vërtetë. Ne dolëm të pablerë, ne dolëm të pashantazhueshëm në këto zgjedhje. Ka pasur shumë presione, ka pasur edhe tentativa për blerje të figurave kryesore, po kjo nuk ka ndodhur.
Pyetje: Znj. Bardhi, kolegë gazetarë, analistë etj. është gjykuar se duhet të ketë një reformë të re territoriale. A do të ketë një reformë të re territoriale nga PD dhe si e shikoni qëndrimin e ndërkombëtarëve për sa i takon këtij procesi zgjedhor?
Silvi Bardhi: Ne e kemi cilësuar gjithmonë se reforma territoriale ishte një masakër për të gjithë elektoratin tonë të djathtë por edhe për gjithë mënyrën se si është bërë reforma administrative. Pra, ajo ka pasur gjithmonë pasoja. Mendoj se duhet të ketë një reflektim mbi këtë, duhet pasur edhe një luftë shtesë për këtë, pra, kemi një rrugë shumë të gjatë përpara për të bërë. Përveç denoncimeve të zgjedhjeve të tanishme të 14 Majit, ne do të vazhdojmë edhe më çështjen e reformës territoriale, do të vazhdojmë edhe me çështje të tjera për të cilat unë jam dakord që ajo do të diskutohet më fort është vota e emigrantëve. Pra, duhet të diskutohet edhe më shumë pjesa e votës së emigrantëve që mendoj se duhet të bëjë ndryshimin.
Duhet të themi se 300 mijë shqiptarë nuk kanë marrë pjesë në këto zgjedhje. Nga këta 300 mijë shqiptarë, ne e dimë shumë mirë se shumica e tyre janë larguar. Nga viti 2014 deri më sot janë larguar mbi 900 mijë shqiptarë. Pra, kur flasim në këtë aspekt, edhe vota e emigrantëve duhet të jetë në qendër të vëmendjes. Fakti tjetër që nuk duhet ta harrojmë është se Veliaj në Tiranë ka humbur 34 mijë vota duke marrë bashkë PS dhe PSD. Duhet ta themi edhe këtë fakt. Nuk është se Erion Veliaj ka fituar dhe e ka marrë Tiranën me meritë, por humbje ka qenë edhe për të edhe votat që ka humbur.
Discussion about this post