Belind Këlliçi, kandidati i opozitës për Bashkinë së Tiranës, në zgjedhjet e 14 majit, tha se kemi të bëjmë me një regjim, që kontrollon qytetarët deri në përdorimin e rrjeteve sociale.
Në një intervistë për Klan News, Këlliçi tha se ëstë e paimagjinueshme që partia e Tom Doshit të marrë rreth 100 mijë vota, pa bërë asnjë aktivitet, pa bërë asnjë premtim dhe asnjë aktivitet.
Këlliçi u shpreh se nuk ka asnjë arsye që 158 mijë qytetarë të Tiranës të votonin Erion Veliajn.
“Janë intimiduar votuesit, sepse në terren ka pasur një tjetër situatë”, tha ai.
Lidhur me situatën ku ndodhet opozita, Këlliçi theksoi se duhet të lëmë mënjanë çdo interes personal dhe inat, dhe duhet të ulemi të diskutojmë, që nga z. Berisha dhe deri në anëtarin më të fundit të kësaj partie, i cili është shumë i rëndësishëm.
“Demokratët duhet të vendosin vetë, pra të jenë ata që duhet të vendosin se kë duan të kenë drejtues. Minimalisht grupimi që ka vulën duhet të tërheqë padinë që ka në Gjykatë. Sot kemi një diktat të minorancës ndaj mazhorancës, një diktat të atyre që mbajnë vulën, ndaj shumicës së demokratëve”, tha Këlliçi.
Në vijim ai tha se një pjesë e atyre të vulës e kanë nxjerrë inatin më 14 maj, por harrojnë se nuk ka humbur thjesht Belind Këlliçi, por ka humbur qyteti i Tiranës.
I pyetur nëse do të pranonte të ishte kryetar i PD, Këlliçi tha se nuk e kuptonte se çdo të thotë të pranoj për të qenë kryetar, pasi atë e vendos anëtarësia, demokratët.
“Mua më intereson një PD që mund Edi Ramën, ndaj duhet të ulemi dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët”, tha Këlliçi.
I pyetur për një rikthim të mundshëm të Lulzim Bashës në krye të PD së vulës, Këlliçi tha se nuk e besonte një gjë të tillë, duke shtuar se më shumë kjo i dukej si një gojëdhënë sesa diçka reale.
Sipas tij, kjo që ndodhi në 14 maj ishte një dramë e madhe për të gjithë demokratët, ishte një masakër elektorale, megjithëse deri më tani nuk kam parë reagime nga ndërkombëtarët për denoncimet që ne kemi bërë, qoftë edhe me foto apo video.
Këlliçi tha se ndoshta një nga shkaqet që qytetarët nuk dolën të votojnë është pikërisht kjo fraktura që është krijuar në PD, ndaj dhe ne duhet të lëmë mënjanë xhelozitë, mëritë dhe të bashkohemi.
Discussion about this post