Dy rusët dhe ukrainasi që u arrestuan në Gramsh, të akuzuar për spiunazh, janë lënë të lirë.
Vendimi është dhënë nga Gjykata e Elbasanit, e cila liroi nga qelia rusët Svetlana Timofeva dhe Mikhail Zorin si dhe ukrainasin Fedir Alpatov.
Rusët dhe ukrainasit u kapën në afërsi të uzinës ushtarake në Gramsh teksa bënin foto, ndërsa ndaj tyre u ngrit akuza për spiunazh.
Vendimi për ti liruar nga burgu erdhi për shkak të përfundimit të afateve hetimore. Mësohet se Timofeva dhe Alpatov do të qëndrojnë nën masën detyrim paraqitje dhe Zorin arrest shtëpiak.
Kjo masë do të jetë në fuqi deri në mbyllje të hetimeve.
Sveltana Timoveva, bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedir Alpatov tentuan të hynë në ish-zonën ushtarake në Gramsh dhe hodhën spray djegës tek rojet ushtarake të objektit.
Pas arrestimit dhe ngritjes së akuzave për spiunazh atyre u është caktuar masa e arrestit me burg masë e lënë në fuqi edhe nga apeli Durrësit.
Akuzat
Dy rusët dhe ukrainasi u arrestuan në gusht të 2022-it, ndërsa Prokuroria e Elbasanit regjistroi çështjen penale ndaj tyre sipas 3 neneve, 214, 237 dhe 279 të Kodit penal.
Në dosjen ndaj rusëve dhe ukrainasit, prokuroria thotë se nga marrja në pyetje e tyre dyshohet se ato kanë ardhur për spiunazh në vendin tonë, të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse. Ndërkohë që dëshmia e tyre është mbajtur sekret nga organet hetimore.
Dy rusët dhe 1 ukrainas u arrestuan pasditen e 20 gushtit, ndërsa sipas prokurorisë, ato janë konstatuar brenda ambienteve të objektit ushtarak “Uzina e Mekanike Çekin Gramsh” (Ish Uzina e Armëve) duke kryer filmime dhe fotografime të fshehta, nëpërmjet pajisjeve speciale elektronike të fotografimit.
Nga kqyrjet paraprake të pajisjeve elektronike, thuhet në dosjen e prokurorisë, kanë rezultuar të dhëna me rëndësi për hetimit që lidhen me fotografi të objekteve të ndryshme ushtarake dhe objekteve të infrastrukturës kritike civile në gjendjen aktuale.
Në cilësinë e provës materiale prokuroria ka sekuestruar ndër të tjera edhe një copë fishek model 56, kaliber 7,62 mm dhe 1 (një) predhë fisheku arme zjarri kalibër 12.7 mm.
“Ndër të tjera u janë sekuestraur: 1 automjet Chevrolet me targa AX 6200 IP; 2 dronë; sasi të konsiderueshme monetare, 1 pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën (nightvision); 1 laptop, karta sim; hardisk i jashtëm; 1 (një) copë fishek model 56, kaliber 7,62 mm dhe 1 (një) predhë fisheku arme zjarri kalibër 12.7 mm, dokumenta identifikimi dhe udhëtimi; pajisje kampingu të ndryshme, 1 bombul e përdorur në forme spray neuroparalizuese; 6 telefona celularë”, thuhet në dosje.
Si ndodhi ngjarja e Gramshit:
Mikhail Zorin, 23-vjeç, me pasaportë ruse, bashke me 33-vjeçaren Svetlana Timofeeva dhe 25-vjeçarin ukrainas Fedis Alpatov, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, janë pikasur nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë më 20 gusht. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik, konkretisht Albi Bicin dhe Ardian Xhakën. Megjithatë ushtarët shqiptarë bënë të mundur ndalimin e tij, ndërsa 2 të tjerët Svetlana Timofeeva dhe ukrainasi Fedis Alpatov, u arrestuan pak minuta më vonë nga policia.
Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, ka prodhuar në të kaluarën armë, fillimisht pushkë të tipir “Simonov”, kalibër 7.62 mm, dhe më pas kallashnikovë. Më pas ajo është përdorur për të ofruar shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizionit të lartë apo dhe riparime. Ndërsa deri në një vit më parë është përdorur për demontimin e armëve të tepërta.
Discussion about this post