Qeveria i ka propozuar Kuvendit miratimin e pr/ligjit për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje me qëllim përdorimin e tyre për inters publik apo strehim social. Miratimi i projektligjit u paralajmërua nga Edi Rama në muajt e fundit, si një masë për të parandaluar sipas tij, shtimin e kateve përtej asaj që p-arashikohej në lejen e ndërtimit. Në atë periudhë Rama do të deklaronte se ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik.
“Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale. Ky operacion ligjzbatimi, i cili ka vazhduar përtej Tiranës, në një fushë ku e dini shumë mirë, të gjithë ka pasur shumë probleme në 30 vjet, dhe ku kemi ardhur duke ngushtuar rrethin e shkeljeve, përbën edhe kapakun e kësaj historie, pasi s’besoj se do gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar”, deklaronte Rama.
Në nenin 10 të pr/ligjit thuhet se Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për pronën shtetërore, miraton:
- a) kalimin e objekteve të konfiskuara, që kanë kaluar në favor të shtetit me anë të kontratës premtim shitjeje me vlerë 1 euro, apo pjesëve takuese të tyre në pronësi apo në përgjegjësi administrimi të institucioneve apo enteve publike, si dhe caktimin e njësisë së zbatimit për këto raste;
- b) fondet financiare të nevojshme për t’i mundësuar njësisë së zbatimit të realizojë përfundimin/përmirësimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara/të kaluara në favor të shtetit me anë të kontratës premtim shitjeje me vlerë 1 euro.
Në projektligjin e propozuar nga Qeveria thuhet se në funksion të miradministrimit të objekteve të konfiskuara apo në përmbushjen më të lartë të interesit publik, mund të vendosë miratimin e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara.
Format e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara janë:
- a) ofrimi për blerje me vlerën e tregut, nëpërmjet një njoftimi me shkrim, subjekteve që kanë të drejtën e parablerjes, në kuptim të këtij ligji, sipas kësaj radhe përparësie:
- Pronari i truallit ka të drejtë parablerjeje të pjesës së objektit të konfiskuar në tejkalim të lejes, me të njëjtat raporte/apo përqindje të njësuara sipas pjesës takuese të tij në aktmarrëveshjen për ndërtim/kontratën noteriale me qëllim zhvillimin e ligjshëm të pronës, regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.
- Personat e tretë, në kuptim të këtij ligji, kanë të drejtën e parablerjes për objektin e konfiskuar, sipas marrëveshjes juridiko-civile të hartuar para noterit, të regjistruar në regjistrat përkatës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.
iii. Në rast se pronari i truallit apo personi i tretë shprehen me shkrim se nuk duan të ushtrojnë të drejtën e parablerjes për objektin e konfiskuar apo në rast se këta nuk përgjigjen brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit se dëshirojnë të blejnë objektin e konfiskuar, subjekti zhvillues/ndërtues ka të drejtën e parablerjes së objektit të konfiskuar ose të një pjese të tij.
- b) shitja nëpërmjet ankandit publik i cili kryhet në zbatim të kuadrit ligjor për ankandin publik. Procedurat e kryerjes së ankandit publik bazohen në parimet e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi për ankandin e pronave publike. Përjashtimisht, nga parashikimet e kuadrit ligjor për ankandin publik, në asnjë rast nuk lejohet ofrimi i shitjes me një çmim më të ulët se vlera fillestare e ankandit publik.
P R O J E K T L i GJ
PËR
ADMINISTRIMIN E OBJEKTEVE TË KONFISKUARA SI NDËRTIME PA LEJE ME QËLLIM PËRDORIMIN E TYRE PËR INTERES PUBLIK APO STREHIM SOCIAL, SI DHE ZBUTJEN E PASOJAVE SOCIALE TË SHKAKTUARA
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij ligji është:
- a) përcaktimi i rregullave, procedurave dhe instrumenteve ligjore, financiare dhe teknike për zbutjen e pasojave që vijnë nga ndërtimet pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, në vijim të konfiskimit për interes publik të këtyre objekteve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
- b) përcaktimi i kompetencave dhe detyrave të autoriteteve publike përgjegjëse, të përfshira në proceset e zhvillimit dhe administrimit të objekteve të konfiskuara;
- c) parashikimi i programeve që synojnë zbutjen e pasojave sociale ndaj të tretëve, për shkak të konfiskimit të objekteve.
Neni 2
Qëllimi
Ky ligj ka si qëllim:
- a) rregullimin dhe zbutjen e pasojave sociale e urbane, të shkaktuara nga ndërtimet për qëllim fitimi në kundërshtim me ligjin për të tretët që, në mirëbesim, i cenohen interesat pasurore nga konfiskimi i objekteve për qëllime fitimi të ndërtuara pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, si dhe të komunitetit në përgjithësi;
- b) miradministrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje për qëllim fitimi, në zbatim të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, duke synuar rritjen e vlerës së tyre me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
- “Objekte të konfiskuara”, objektet, volumet dhe sipërfaqet ndërtimore të cilat, me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, konfiskohen në favor të shtetit, në zbatim të parashikimeve të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
- “Regjistri i Objekteve të Konfiskuara”, regjistri publik në të cilin regjistrohen/shënohen të dhëna mbi përkatësinë, të drejtat reale, pozicioni gjeografik, përmasat dhe vlera e objekteve të konfiskuara, në kuptim të këtij ligji, vendimi i organit administrativ përgjegjës për konfiskimin e objekteve të ndërtuara pa leje/në tejkalim të lejes së ndërtimit.
- “Pronarë trualli”, personat fizikë apo juridikë, të cilët, në cilësinë e pronarit të ligjshëm të truallit mbi të cilin ngrihet objekti i konfiksuar, kanë lidhur kontratë noteriale me qëllim zhvillimin e ligjshëm të pronës, kontratë e cila është e regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.
- “Persona të tretë”, personat fizikë apo juridikë të cilët kanë marrëveshje juridiko-civile në lidhje me objektin e konfiskuar, të hartuara para noterit, të regjistruar në regjistrat përkatës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.
- “Masat e programeve të zhvillimit”, tërësia e masave të nevojshme për përfundimin/përshtatjen/përmirësimin e objekteve të konfiskuara apo pjesëve takuese të tyre me qëllim përdorimin për nevoja të strehimit social apo për interes publik.
- “Subjekte që kanë të drejtën e parablerjes”, pronarët e truallit, subjekti zhvillues/ndërtues/apo personat e tretë, të cilët shprehin interesin për të blerë objektin e konfiskuar, të zhvilluar në truallin në pronësi të tyre apo të ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit/pa leje apo të porositur apo për të cilin kanë marrëveshje juridiko-civile, me objekt disponimin/tjetërsimin e pronësisë të hartuar para noterit dhe të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
- “Objektet për të cilat është e lidhur një kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro”, objektet ndërtimore pavarësisht fazës së tyre ndërtimore, të cilat kanë kaluar në favor të shtetit në kushtet e zbatimit të akteve nënligjore të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.
- “Njësi zbatimi”, një ose disa organe publike të ngarkuara nga Komisioni /Këshilli i Ministrave për hartimin dhe realizimin e masave të programit të zhvillimit për ndërtimin/përshtatjen /përfundimin /administrimin /shfrytëzimin e objekteve të konfiskuara dhe/ose objekteve të kaluara në favor të shtetit me anë të kontratës premtim shitjeje me vlerë 1 euro, si dhe për kryerjen e detyrave të tjera, të parashikuara në këtë ligj.
KREU II
PARIMET
Neni 4
Parimi i mbrojtjes sociale
Autoritetet publike, në përputhje me kompetencat e tyre, garantojnë të drejtat e qytetarëve dhe, për aq sa është e mundur, kushtet optimale të jetesës së tyre.
Neni 5
Parimi i zhvillimit të qëndrueshëm
Autoritetet publike, përgjatë procesit të rregullimit të pasojave që vijnë nga ndërtimet pa leje apo në tejkalim të lejes, marrin në konsideratë potencialin aktual e perspektiv, për të plotësuar, për aq sa është e mundur, garantimin e brezave për barazi sociale, zhvillimin ekonomik, peizazh urban të mbrojtur dhe mbrojtje të mjedisit.
Neni 6
Parimi i bashkëpunimit ndërinstitucional
Autoritetet publike koordinohen nëpërmjet mekanizmave të posaçëm institucionalë për arritjen e objektivave të këtij ligji.
Neni 7
Parimi i kontrollit
Çdo aktivitet i kryer për realizimin e qëllimit të këtij ligji i nënshtrohet kontrollit të ligjshmërisë, kontrollit administrativ, gjyqësor dhe kontrollit sipas rregullave dhe procedurave, të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 8
Parimi i informimit dhe transparencës
Autoritetet publike bëjnë publike çdo të ardhur apo shpenzim që kryhet me qëllim zbutjen e pasojave që vijnë nga ndërtimet pa leje apo në tejkalim të lejes.
KREU III
AUTORITETET PUBLIKE PËRGJEGJËSE PËR ADMINISTRIMIN E NDËRTIMEVE TË KONFISKUARA DHE ZHVILLIMIN E TYRE
Neni 9
Autoritetet përgjegjëse
Autoritetet shtetërore përgjegjëse për marrjen e masave me qëllim miradministrimin dhe përdorimin e objekteve të konfiskuara për interes publik apo strehim social, si dhe të masave për zbutjen e pasojave sociale e urbane të shkaktuara janë:
- a) Këshilli i Ministrave;
- b) Komisioni i Objekteve të Konfiskuara;
- c) Ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore;
ç) Agjencia e Zhvillimit të Territorit;
- d) Agjencia Shtetërore e Kadastrës;
- dh) Autoriteti /enti publik, në cilësinë e njësisë së zbatimit.
Neni 10
Këshilli i Ministrave
Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për pronën shtetërore, miraton:
- a) kalimin e objekteve të konfiskuara, që kanë kaluar në favor të shtetit me anë të kontratës premtim shitjeje me vlerë 1 euro, apo pjesëve takuese të tyre në pronësi apo në përgjegjësi administrimi të institucioneve apo enteve publike, si dhe caktimin e njësisë së zbatimit për këto raste;
- b) fondet financiare të nevojshme për t’i mundësuar njësisë së zbatimit të realizojë përfundimin/përmirësimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara/të kaluara në favor të shtetit me anë të kontratës premtim shitjeje me vlerë 1 euro.
Neni 11
Komisioni i Objekteve të Konfiskuara
- Pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës krijohet Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, në vijim Komisioni, si organ përgjegjës për:
- a) vlerësimin dhe miratimin e programeve të zhvillimit, përfshirë detajimin e përcaktimin e masave /detyrave/ të drejtave të cilat synojnë zbutjen e pasojave të krijuara nga konfiskimi për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim fitimi, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
- b) miratimin e pjesës takuese të pronarit të truallit, sipas kontratës noteriale, me qëllim zhvillimin e ligjshëm të pronës, kontratë e cila është e regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit;
- c) miratimin proporcionalisht të detyrimit financiar të paguar nga personat e tretë në favor të subjektit ndërtues/zhvillues, nëpërmjet sistemit bankar, nëse bazohet në një kontratë të hartuar përpara noterit dhe të regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit;
ç) përcaktimin e mënyrës së administrimit, shfrytëzimit të objekteve të konfiskuara apo pjesëve takuese të tyre;
- d) përcaktimin e autoritetit shtetëror që do të marrë në përgjegjësi administrimi apo përdorim të përkohshëm objektin e konfiskuar;
- dh) përcaktimin e njësisë zbatuese përgjegjëse për zbatimin e masave në përmbajtje të planit të zhvillimit.
- Komisioni i Objekteve të Konfiskuara ka në përbërje 9 (nëntë) anëtarë, përkatësisht nga:
- a) Dy përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore nga radhët e drejtuesve të nivelit të lartë politik dhe nivelit të lartë drejtues, nëpunës civilë;
- b) Dy përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për zhvillimin urban nga radhët e drejtuesve të nivelit të lartë politik dhe nivelit të lartë drejtues, nëpunës civilë;
- c) Titullari i Agjencisë së Zhvillimt të Territorit apo një person i autorizuar prej tij nga radhët e punonjësve të nivelit të lartë drejtues;
ç) Titullari i Agjencisë së Planifikimit të Territorit apo një person i autorizuar prej tij nga radhët e punonjësve të nivelit të lartë drejtues;
- d) Titullari i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin apo një person i autorizuar prej tij nga radhët e punonjësve të nivelit të lartë drejtues;
- dh) Dy përfaqësues nga Kryeministria.
Komisioni drejtohet nga përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për pronën shtetërore.
- Në veprimtarinë e tij Komisioni mbështetet nga drejtoria përgjegjëse për pronat e paluajtshme në ASHK, që luan rolin e sekretariatit.
- Komisioni ka këto detyra:
- a) Vlerëson rast pas rasti gjendjen e objekteve të konfiskuara dhe propozon për miratim në Këshillin e Ministrave kalimin në përgjegjësi administrimi, përdorim të përkohshëm apo pronësi të objektit të konfiskuar në favor të institucioneve publike apo të enteve publike përkatëse;
- b) Përcakton njësinë zbatuese për përfundimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara, në zbatim të masave të parashikuara në programin e zhvillimit;
- c) Përcakton programin e zhvillimit i cili përmbush më mirë interesin publik si dhe miraton masat përkatëse të atij programi zhvillimi, të propozuara nga njësia zbatuese;
ç) Miraton mënyrën dhe masën e përdorimit të fondeve nga fondi i veçantë i objekteve të konfiskuara;
- d) Cakton si detyrim për ministrinë përgjegjëse për pronën shtetërore të angazhojë ekspertë të fushës me qëllim vlerësimin financiar e teknik të gjendjes së objekteve të konfiskuara deri në caktimin e njësisë së zbatimit, pagesat e të cilëve mbulohen nga fondi i veçantë;
- dh) Cakton si detyrë të njësisë së zbatimit të angazhojë ekspertë të fushës për vlerësimin financiar e teknik të objekteve të konfiskuara me qëllim propozimin e masave të programit apo për nevoja të zhvillimit, pagesat e të cilëve mbulohen nga fondi i veçantë;
- e) Kryen edhe detyra të tjera që i ngarkohen në zbatim të këtij ligji dhe akteve nënligjore.
- Rregulla më të detajuara për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Komisionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 12
Ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore
- Ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore ka detyrat e mëposhtme:
- a) Administron objektet e konfiskuara në zbatim të vendimit të Komisionit për përdorimin e tyre për nevoja të strehimit social;
- b) Administron përkohësisht objektet e konfiskuara deri në datën e dorëzimit të tyre të njësisa e zbatimit;
- c) Administron fondin e veçantë të objekteve të konfiskuara dhe kryen përdorimin e tij, në përputhje me vendimin e Komisionit;
ç) Aplikon, në cilësinë e pronarit shtet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit apo çdo institucioni të qeverisjes vendore apo lokale, me qëllim kryerjen e veprimeve në lidhje me objektet e konfiskuara, nëse përcaktohet me vendim të Komisionit apo nga parashikimet e këtij ligji;
- d) Zhvillon ankandin publik të shitjes së objekteve së konfiskuara, pas marrjes së vendimit nga Komisioni dhe nënshkruan aktet e nevojshme për kalimin e pronës në favor të fituesit të ankandit;
- dh) Në përfundim të programit të shitjes së objektit të konfiskuar apo pjesëve takuese të tij, kryen kalimin e fondeve në fondin e veçantë të objekteve të konfiskuara;
- e) Zhvillon procedurën e transferimit me të drejtë parablerjeje të objekteve të konfiskuara, në zbatim të parashikimeve të këtij ligji;
ë) Kryen procedurën e dorëzimit të objekteve të konfiskuara te njësia e zbatimit apo tek institucioni/enti publik në pronësi/përdorim/përgjegjësi administrimi të të cilit kalon objekti i konfiskuar.
- Në funksion të miradministrimit apo përdorimit më të mirë të objekteve të konfiskuara, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore angazhon ekspertë vlerësues të licencuar apo/dhe ekspertë të jashtëm.
Neni 13
Agjencia e Zhvillimit të Territorit
Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), pas vendimmarrjes së KKT-së për konfiskimin apo transferimit në favor të shtetit me kontrate premtim shitjeje me vlerë 1 euro të objektit pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit:
- a) kryen përgatitjet për shqyrtimin e aplikimeve përkatëse, me qëllim ndryshimin e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit ekzistuese, sipas destinacionit të ri;
- b) kryen përgatitjet për shqyrtimin e aplikimeve përkatëse, me qëllim ndryshimin e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit ekzistuese, në zbatim të vendimeve të Komisionit, në përputhje me nenin 11, të këtij ligji;
- c) propozon për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit rregulloren e veçantë, sipas përcaktimeve të nenit 27, të këtij ligji.
Neni 14
Agjencia Shtetërore e Kadastrës
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës është përgjegjëse për dhënien e informacionit mbi gjendjen juridike të truallit, të ndërtimit dhe pasurive mbi të cilat ai shtrihet, të kontratave të regjistruara në lidhje me këto pasuri apo objekteve, sipas regjistrave kadastralë përkatës.
- Në zbatim të këtij ligji, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka këto detyra:
- a) Regjistron vendimin e organit administrativ përgjegjës për konfiskimin e objekteve të ndërtuara pa leje/në tejkalim të lejes, përveçse në regjistrin e objekteve të konfiskuara, edhe në seksionin e shënimeve të veçanta të kartelës së pronës mbi të cilën ngrihet objekti i konfiskuar. Në pamundësi të përcaktimit të pronës mbi të cilën ngrihet objekti i konfiskuar kryen regjistrimin e vendimit të konfiskimit në regjistrin e posaçëm të lejeve të ndërtimit;
- b) Siguron që të reflektojë në certifikatën e pronësisë pronësinë e zhvilluesit dhe pronësinë e shtetit mbi pronën e konfiskuar, sipas pjesëve takuese përkatëse, pasi të jetë lëshuar certifikata e përdorimit nga sekretariati teknik i KKT-së apo njësia e qeverisjes vendore, sipas fushës së përgjegjësisë, në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
- c) Mbështet me mjedise pune dhe burime njerëzore e logjistike veprimtarinë e Komisionit;
ç) Administron Regjistrin e Objekteve të Konfiskuara.
- Rregullat për administrimin e Regjistrit të Objekteve të Konfiskuara, të dhënat parësore dhe dytësore të tij, subjektet e interesuara dhe nivelin e aksesit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 15
Njësia e zbatimit
- Me vendim të Këshillit të Ministrave/Komisionit përcaktohet njësia e zbatimit, e cila zbaton programin e zhvillimit për një apo disa objekte të konfiskuara /të kaluara në favor të shtetit me anë të kontratës premtim shitjeje me vlerë 1 euro apo pjesëve të caktuara të tyre.
- Njësia e zbatimit merr të dhëna nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, agjencia përgjegjëse për zhvillimin/planifikimin e territorit, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore apo çdo institucion tjetër publik si dhe akseson të dhënat në Regjistrin e Objekteve të Konfiskuara.
- Njësia e zbatimit merr në përdorim, administrim të përkohshëm/pronësi objektin e konfiskuar apo pjesë të tij, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, pas marrjes së propozimit nga Komisioni.
- Njësia e zbatimit ka këto detyra:
- a) Kryen vlerësimin tekniko-urban e financiar të objekteve të konfiskuara në fazën e prezantimit të objektit të konfiskuar përpara Komisionit si dhe pas përcaktimit nga Komisioni të destinacionit të përdorimit të tij.
- b) Propozon programin e zhvillimit dhe masat në përbërje të tij dhe ia kalon për miratim Komisionit;
- c) Harton projektin e përshtatjes/përfundimit të objekteve të konfiskuara apo pjesëve takuese të tyre;
ç) Aplikon për leje ndërtimi/zhvillimi/përdorimi, në cilësinë e njësisë zbatuese, dhe koordinon me agjencinë përgjegjëse për kadastrën për regjistrimin e tyre, sipas përcaktimeve të Komisionit;
- d) Koordinon punën me institucionet e përfshira në programin e zhvillimit dhe zbaton masat e parashikuara në të, sipas vendimit të Komisionit;
- dh) Merr masa për miradministrimin apo përdorimin e objekteve, në zbatim të planit të veprimit deri në dorëzimin e tyre tek organi përgjegjës, në përputhje me vendimin e Komisionit.
- e) Merr në përgjegjësi administrimi/pronësi objektet e konfiskuara/objektet e kaluara në favor të shteit me kontratën premtim shitjeje 1 euro apo pjesë të tyre, sipas përcaktimit në vendimin e Këshillit të Ministrave.
- Njësia e zbatimit ka të drejtë të angazhojë ekspertë vlerësues apo/dhe ekspertë të jashtëm, në funksion të hartimit dhe realizimit të masave të programit të zhvillimit për zhvillimin/ ndërtimin/përshtatjen /përfundimin, si dhe në funksion të miradministrimit apo përdorimit më të mirë të objekteve të konfiskuara.
Neni 16
Njësitë e vetëqeverisjes vendore
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në zbatim të kompetencave të tyre, sipas përcaktimeve në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, rishikojnë planet e përgjithshme vendore, hartojnë, miratojnë dhe rishikojnë planet e detajuara vendore dhe miratojnë lejet e zhvillimit e të ndërtimit, në funksion të procesit të rregullimit të pasojave të krijuara nga ndërtimi pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, të objekteve të cilat, me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, konfiskohen apo transferohen në favor të shtetit me kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro.
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në bashkërendim me autoritetet përgjegjëse shtetërore për planifikimin dhe zhvillimin territorit, marrin masa për miratimin e lejeve të ndërtimit në kompetencë të tyre, sipas ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, me procedurë të përshpejtuar, në përputhje me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e ndryshimeve në lejen e zhvillimit.
KREU IV
ZHVILLIMI DHE ADMINISTRIMI i OBJEKTEVE TË KONFISKUARA
Seksioni I
Programet e zhvillimit
Neni 17
Tipologjia e programeve të zhvillimit të objekteve të konfiskuara
Administrimi i objekteve të konfiskuara është një proces i integruar zhvillimi, i përbërë nga disa programe, të cilat janë:
- a) Programi i zhvillimit të objekteve të konfiskuara, të ndërtuara në truall shtet;
- b) Programi i zhvillimit të objekteve të konfiskuara, të ndërtuara në truall privat;
- c) Programi i shitjes së objekteve të konfiskuara;
ç) Programi i administrimit të objekteve të përfunduara.
Neni 18
Programi i zhvillimit të objekteve të konfiskuara në truall shtet
- Ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore merr në dorëzim/regjistron, inventarizon dhe ruan objektet e konfiksuara, deri në momentin e marrjes në dorëzim nga njësia zbatuese, e përcaktuar me vendim të Komisionit.
- Institucioni/enti publik, me kërkesë të arsyetuar, i kërkon ministrit përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore kalimin në përgjegjësi administrimi apo pronësi të objektit të konfiskuar apo pjesë të tij, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik. Ministri vlerëson kërkesën dhe i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e vendimit për:
- a) kalimin në përgjegjësi administrimi/përdorim të përkohshëm/pronësi të objektit/objekteve apo pjeseve takuese të konfiskuara apo të kaluara në favor të shtetit me kontratën premtim për shitje me vlerë 1 euro;
- b) destinacionin e përdorimit të objektit/objekteve apo pjeseve takuese të konfiskuara apo të kaluara në favor të shtetit me kontratën premtim për shitje me vlerë 1 euro;
- c) njësinë e zbatimit.
- Me qëllim përfundimin e punimeve/përshtatjen e objektit të konfiskuar, njësia zbatuese zbaton parashikimet e pikave 4 dhe 5, të nenit 19, të këtij ligji, si dhe dispozitat e tjera të këtij ligji për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 19
Programi i zhvillimi të objekteve të konfiskuara, të ngritura në truall privat
- Ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore merr në dorëzim/ regjistron, inventarizon dhe ruan objektet e konfiksuara, deri në momentin e marrjes në dorëzim nga njësia zbatuese, e përcaktuar me vendim të Komisionit.
- Pas marrjes së një prezantimi të të dhënave identifikuese të objektit dhe vendndodhjes së tij nga ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore dhe pas njohjes me nevojat/kërkesat e institucioneve apo enteve publike, interesave të pronarëve të truallit dhe personave të tretë, Komisioni vendos për:
- a) destinacionin e objektit/objekteve apo pjesëve takuese të konfiskuara;
- b) njësinë e zbatimit dhe masën e shpehur në përqindje të pjesëve takuese që rrjedhin nga marrëdhënia ligjore me pronarët e truallit, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe parashikimeve të kontratës së lidhur me subjektin ndërtues/zhvillues përpara konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim vetëm mbi pjesën e ndërtuar sipas lejes së ndërtimit;
- c) masën e detyrimit financiar që njihet për personat e tretë, sipas parashikimeve të këtij ligji;
- Me marrjen e vendimit të Komisionit për destinacionin e përdorimit të objektit të konfiskuar, njësia e zbatimit kryen vlerësimin e përshtatjes së objektit e përcakton nevojat teknike, urbane e financiare e procedurale të realizimit të përshtatjes, propozon tipologjinë e programit të zhvillimit të përshtatshëm në rastin konkret, si dhe harton masat përkatëse të programit të zhvillimit, i cili pas marrjes së mendimit të autoriteteve publike të përfshira, i propozohet për miratim Komisionit.
- Vendimi i Komisionit që miraton programin e zhvillimit përcakton afate dhe detyra për çdo autoritet publik, me qëllim që t’i japë mundësinë njësisë së zbatimit të zbatojë programin e zhvillimit.
- Programi i zhvillimit përmban minimalisht, por nuk kufizohet në përcaktimin e:
- a) marrëdhënieve ligjore të njësisë zbatuese me pronarët e truallit, sipas parashikimeve të këtij ligji, duke njohur e marrë përsipër detyrimin e bashkëpronësisë sipas parashikimeve të kontratës së lidhur me subjektin ndërtues/zhvillues përpara konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim vetëm mbi pjesën e ndërtuar sipas lejes së ndërtimit;
- b) marrëdhënieve ligjore apo financiare të njësisë zbatuese me personat e tretë, duke njohur e marrë përsipër detyrimin e bashkëpronësisë sipas parashikimeve të këtij ligji;
- c) masave konkrete që ndërmerr njësia zbatuese së bashku me institucionet e tjera publike me qëllim financimin e punimeve;
ç) detyrimit të agjencisë përgjegjëse për zhvillim/planifikim të territorit/ njësive vendore për të hartuar/miratuar aktet sipas përgjegjësive të tyre, me qëllim rregullimin e pasojave në territor, të shkaktuara nga ndërtimi pa leje/në tejkalim të lejes, në kushtet e pamundësisë për t’u prishur, si dhe masat për përshtatjen e objektit/objekteve të konfiskuara për destinancionin e ri, sipas interesit publik përkatës;
- d) detyrimit të ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore/ministrisë përgjegjëse për financat për të alokuar fonde nga fondi i veçantë i objekteve të konfiskuara apo fonde buxhetore të nevojshme, në pamundësi të gjetjes së formave të tjera të financimit të përshtatjes/përfundimit të godinës;
- dh) detyrimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin dhe inventarizimin e pronës së përfunduar;
- e) njohjes dhe parashikimit të mënyrës së përballimit të shpenzimeve të kryera me qëllim përfundimin e punimeve të objekteve të konfiskuara;
ë) përcaktimit të destinacioneve apo subjekteve që i administrojnë/marrin në pronësi objektet apo pjesët takuese të objekteve të konfiskuara;
- f) masave për marrjen në dorëzim të objektit të përfunduar apo pjesëve takuese nga ana e institucionit/entit publik, i cili do të përdorë objektin/objektet e konfiskuara apo pjesë të tij.
- g) çdo masë tjetër të nevojshme;
- Parashikimet e këtij neni, për aq sa janë të zbatueshme, zbatohen edhe për objektet për të cilat është e lidhur një kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro.
Neni 20
Programi i shitjes së objekteve të konfiskuara
- Komisioni, në funksion të miradministrimit të objekteve të konfiskuara apo në përmbushjen më të lartë të interesit publik, mund të vendosë miratimin e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara.
- Format e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara janë:
- a) ofrimi për blerje me vlerën e tregut, nëpërmjet një njoftimi me shkrim, subjekteve që kanë të drejtën e parablerjes, në kuptim të këtij ligji, sipas kësaj radhe përparësie:
- Pronari i truallit ka të drejtë parablerjeje të pjesës së objektit të konfiskuar në tejkalim të lejes, me të njëjtat raporte/apo përqindje të njësuara sipas pjesës takuese të tij në aktmarrëveshjen për ndërtim/kontratën noteriale me qëllim zhvillimin e ligjshëm të pronës, regjistruar në regjistrat përkatës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.
- Personat e tretë, në kuptim të këtij ligji, kanë të drejtën e parablerjes për objektin e konfiskuar, sipas marrëveshjes juridiko-civile të hartuar para noterit, të regjistruar në regjistrat përkatës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit.
iii. Në rast se pronari i truallit apo personi i tretë shprehen me shkrim se nuk duan të ushtrojnë të drejtën e parablerjes për objektin e konfiskuar apo në rast se këta nuk përgjigjen brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit se dëshirojnë të blejnë objektin e konfiskuar, subjekti zhvillues/ndërtues ka të drejtën e parablerjes së objektit të konfiskuar ose të një pjese të tij.
- b) shitja nëpërmjet ankandit publik i cili kryhet në zbatim të kuadrit ligjor për ankandin publik. Procedurat e kryerjes së ankandit publik bazohen në parimet e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi për ankandin e pronave publike. Përjashtimisht, nga parashikimet e kuadrit ligjor për ankandin publik, në asnjë rast nuk lejohet ofrimi i shitjes me një çmim më të ulët se vlera fillestare e ankandit publik.
- Programi i shitjes së objekteve të konfiskuara kryhet nga ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, nëpërmjet strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike.
- Brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit të Komisionit për miratimin e programit të shitjes së objekteve të konfiskuara, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore njofton subjektet që kanë të drejtën e parablerjes, në kuptim të këtij ligji, në lidhje me ushtrimin e së drejtës së parablerjes.
- Në rast se subjektet sipas pikës 2, të këtij neni, shprehen me shkrim se nuk duan të ushtrojnë të drejtën e parablerjes për objektin e konfiskuar apo në rast se këta nuk përgjigjen brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit me shkrim në lidhje me ushtrimin e së drejtës së parablerjes se dëshirojnë të blejnë objektin e konfiskuar, ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore fillon procedurën e zbatimit të programit të shitjes nëpërmjet ankandit publik.
- Lidhja e kontratës në përfundim të procedurës së shitjes së objekteve të konfiskuara, në kuadër të të dyja formave të programit, kryhet pas pagesës së çmimit të blerjes, që duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga konfirmimi me shkrim për ushtrimin e së drejtës së parablerjes apo njoftimi i fituesit të ankandit publik. Kontrata e shitjes lidhet vetëm pasi provohet kryerja e pagesës së çmimit nga ana e subjektit.
- Fondet e përfituara nga programi i shitjes së objekteve të konfiskuara kalojnë në fondin e veçantë të objekteve të konfiskuara dhe përdoren me vendim të Komisionit.
- Parashikimet e këtij neni, për aq sa janë të zbatueshme, zbatohen edhe për objektet për të cilat është e lidhur një kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro.
- Rregullat e detajuara për zhvillimin e programit të shitjes me të drejtë parablerjeje miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 21
Programi i administrimit të objekteve të përfunduara
- Me kërkesë të njësisë së zbatimit apo me kërkesë të autoriteteve publike, entit të banesave, njësive vendore, Komisioni miration administrimin /përdorimin/shfytëzimin e objekteve të konfiskuara apo pjesëve të tyre për qëllime të nevojës së strehimit social apo për interes publik.
- Vendimi i Komisionit parashikon masat e nevojshme për përshtatjen sipas destinacionit të ri, të ndryshme nga ato të programit të zhvillimit dhe të nevojshme për realizimin e interesit publik.
- Procedura për kalimin e pronësisë apo përgjegjësisë së administrimit kryhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore.
- Parashikimet e pikave 1, 2 e 3, të këtij neni, zbatohen edhe për objektet për të cilat është e lidhur një kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro.
Neni 22
Metodologjia e vlerësimit të objekteve të konfiksuara
- Procedurat për vlerësimin e pasurisë së konfiskuar fillojnë me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore apo titullarit të njësisë së zbatimit për caktimin e ekspertit/ekspertëve vlerësues të licencuar të pasurisë së paluajtshme, të cilët do të hartojnë raportin e vlerësimit të objektit të konfiskuar apo pjesëve të tij. Numri i ekspertëve përcaktohet në proporcion me volumin e objektit.
- Vlerësimi i objekteve të konfiskuara, pavarësisht fazës së tyre të zhvillimit, bëhet nga ekspertët e vlerësimit, në përputhje me vlerën reale të tregut, duke përdorur metodat e vlerësimit të objektit, referuar strukturës dhe gjendjes së tij faktike, në zbatim të legjislacionit në fuqi.
- Ekspertët e vlerësimit mbajnë përgjegjësi për vlerësimin e kryer dhe për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tyre (genplane, situacione, aktvlerësime etj.). Afati i vlerësimit duhet të jetë jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e daljes së urdhrit për vlerësimin nga titullari.
Neni 23
Pronarët e truallit
- Pronarët e truallit nuk kanë të drejta mbi pjesën e objektit të ndërtuar në tejkalim të lejes. Për pjesën e objektit të ndërtuar në kushtet e lejes, njësia e zbatimit zbaton vendimin e Komisionit mbi pjesët takuese të bashkëpronësisë, sipas kontratës së sipërmarrjes të hartuar përpara noterit dhe të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përpara vendimit të konfiskimit. Njësia e zbatimit nuk merr përsipër detyrimet e tjera që lindin nga kontrata e sipërmarrrjes apo çdo aktmarrëveshje e lidhur midis pronarëve të truallit dhe zhvilluesit/ndërtuesit përpara kohës së konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim/ndërtim.
- Pas daljes së vendimit të Komisionit mbi rregullimin e marrëdhënies ligjore me pronarët e truallit, njësia e zbatimit dhe pronarët e truallit lidhin kontratë të veçantë bashkëzhvillimi/bashkëpunimi në ndërtim, sipas modelit të miratuar me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për drejtësinë dhe ministrit përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore me qëllim rregullimin e marrëdhënieve mes tyre në situatën e re të krijuar nga paligjshmëria në zhvillimin e pronës.
- Nëse pronarët nuk pranojnë të lidhin kontratën, sipas pikës 2, të këtij neni, apo nuk zbatojnë kontratën, sipas kushteve të përcaktuara, brenda 45 ditëve nga njoftimi, njësia e zbatimit aplikon për marrjen e lejës së re të ndërtimit/përdorimit, duke paraqitur kopje të kontratës me pronarë të truallit apo njoftimin e tyre 45 ditë më parë se të paraqitet aplikimi.
- Në kushtet e pamundësisë së identifikimit, mosmarrëveshjes midis subjekteve, të cilat pretendojnë të gëzojnë të drejtat e pronarit të truallit, apo në kushtet e pamundësisë së komunikimit me pronarët e truallit, njësia e zbatimit merr të gjitha masat për përfundimin/përshtatjen e objektit, duke paraqitur pranë autoriteteve publike gjendjen e pamundësisë së identifikimit/komunikimit/mosmarrëveshjeve mes pronarëve të truallit. Me identifikimin/vënien e komunikimit/zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me pronarët e truallit, zbatohen parashikimet e pikave 1 dhe 2, të këtij neni.
- Pronarët e truallit kanë të drejtën të marrin pjesë në programin e shitjes së objekteve të konfikuara, në cilësinë e subjekteve me të drejtë parablerjeje në kushtet e parashikuara në këtë ligj.
Neni 24
Personat e tretë
- Komisioni njeh proporcionalisht detyrimin financiar të paguar nga personat e tretë në favor të subjektit ndërtues/zhvillues, nëse bazohet në një kontratë të hartuar përpara noterit dhe të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përpara konstatimit të paligjshmërsië në zhvillim/ndërtim.
- Në zbatim të vendimit të Komisionit sipas pikës 1, njësia e zbatimit i paguan palës së tretë, sipas një marrëveshjeje të veçantë, modeli i së cilës miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për drejtësinë dhe ministrit përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore, atë vlerë të objektit të porositur prej tij, e cila korrespondon me vlerën e punimeve të realizuara sipas aktit të vlerësimit të kryer në momentin e konfiskimit, në zbatim të parashikimeve të këtij ligji. Nëse vlera e paguar, sipas parashikimeve të pikës 1, është më e madhe se vlera e përcaktuar në aktin e vlerësimit që korrespondon me gjendjen e objektit, personi i tretë mund të kërkojë nga ndërtuesi/zhvilluesi vlerën e përfituar pa të drejtë.
- Parashikimet e pikës 2 të këtij neni zbatohen, për aq sa është e mundur, edhe për kontratat e Klering.
- Palët e treta kanë të drejtën të marrin pjesë në programin e shitjes së objekteve të konfiskuara, në cilësinë e subjekteve me të drejtë parablerjeje, në kushtet e parashikuara në këtë ligj.
Neni 25
Regjistrimi i objekteve të konfiskuara
- Autoriteti përfitues, në favor të të cilit kalojnë pasuritë e konfiskuara, paraqet kërkesë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e tyre në administrim apo pronësi, sipas akteve përkatëse ligjore.
- Pas paraqitjes së kërkesës për regjistrimin e dokumentacionit të miratuar nga autoritetet publike përgjegjëse, në zbatim të këtij ligji, Agjencia Shtetërore e Kadastrës kryen regjistrimin e tyre në regjistrat kadastralë, në përputhje me procedurat e parashikuara në legjislacionin për kadastrën si dhe në zbatim të parashikimeve të këtij ligji.
Neni 26
Fondi i veçantë i objekteve të konfiskuara
- Për të siguruar përmirësimin/zhvillimin/përshtatjen e objekteve të konfiskuara dhe për të shlyer në para ndaj të tretëve, sipas përcaktimeve të nenit 24 dhe shpenzimet e tjera të lidhura me administrimin e procesit të vlerësimit, krijohet “Fondi i veçantë i objekteve të konfiskuara”, në formën e një fondi financiar publik, që mbështet politikën kombëtare të zhvillimit të kontrolluar të territorit, të mbështetjes së shpronësimeve/kompensimeve financiare, me qëllim realizimin e veprave publike si dhe zbutjen e pasojave të shkaktuara nga ndërtimet pa leje, të konfiskuara për qëlllime të strehimit social apo interes tjetër publik.
- Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit (pagesa e ekspertëve etj.) përballohen nga fondi i veçantë, i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.
- Burimet e financimit të fondit të objekteve të konfiskuara janë:
- a) të ardhurat e krijuara nga shitja e objekteve të konfiskuara apo pjesëve takuese të objekteve të konfiskuara apo objekteve për të cilat është e lidhur një kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro;
- b) financime vendase apo të huaja për këtë qëllim, të cilat burojnë në mënyrë të ligjshme nga organizata publike, private ose persona fizikë;
- c) buxheti i shtetit.
- Ky fond krijohet pranë ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore dhe përdoret me miratim të Komisionit. Në fund të vitit buxhetor, ky fond transferohet në një llogari të veçantë në Bankën e Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e nenit 8, të ligjit nr.9936 datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
SEKSIONI II
PROCEDURA E PËRSHPEJTUAR DHE LEHTËSUAR PËR PËRFUNDIMIN E PUNIMEVE TË OBJEKTEVE TË KONFISKUARA DHE ZHVILLIMIN E TYRE
Neni 27
Lejet e zhvillimit dhe ndërtimit
- Pas vendimmarrjes së Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) për konfiskimin apo transferimin në favor të shtetit me kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro të objektit pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit merr masat që të reflektohen ndryshimet sipas destinacionit të ri të objektit, duke propozuar pranë KKT-së ndryshimin e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
- a) Për lejet e ndërtimit të lëshuara nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, kur kondicionet urbane të objektit të ri përputhen me sa parashikon Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV) në fuqi, KKT-ja miraton vendimin për ndryshimin e lejes së zhvillimit dhe delegon pranë njësisë së qeverisjes vendore shqyrtimin dhe lëshimin e dokumentit të ri të lejes së ndërtimit. Vendimi i KKT-së, së bashku me praktikën përkatëse i përcillet njësisë së qeversisjes vendore nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e sekretariatit të KKT-së.
- b) Për lejet e ndërtimit të lëshuara nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, kur kondicionet urbane të objektit të ri nuk përputhen me sa parashikon PPV-ja në fuqi, KKT-ja miraton vendimin për ndryshimin e lejes së zhvillimit, i cili shoqërohet me një rregullore të veçantë dhe delegon pranë njësisë së qeverisjes vendore shqyrtimin dhe lëshimin e dokumentit të ri të lejes së ndërtimit. Vendimi i KKT-së, së bashku me praktikën përkatëse dhe rregulloren e veçantë i përcillet njësisë së qeversisjes vendore nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e sekretariatit të KKT-së.
- c) Për lejet e ndërtimit të lëshuara nga KKT-ja, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, kur kondicionet urbane të objektit të ri përputhen me sa parashikon PPV-ja në fuqi, KKT-ja miraton vendimin për ndryshimin e lejes së ndërtimit dhe sekretariati i KKT-së vijon me lëshimin e dokumentit të ri të lejes së ndërtimit.
ç) Për lejet e ndërtimit të lëshuara nga KKT-ja, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, kur kondicionet urbane të objektit të ri nuk përputhen me sa parashikon PPV-ja në fuqi, KKT-ja miraton vendimin për ndryshimin e lejes së ndërtimit, i cili shoqërohet me një rregullore të veçantë dhe sekretariati i KKT-së vijon me lëshimin e dokumentit të ri të lejes së ndërtimit.
- d) Rregullat dhe procedurat përkatëse detajohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Kërkesa për leje zhvillimi apo ndërtimi shoqërohet nga dokumentacioni i poshtëshënuar:
- a) Projekti i zbatimit;
- b) Licencat profesionale të projektuesve;
- c) Deklaratat e përgjegjësisë profesionale të projektuesve;
ç) Vendimi i Komisionit;
- d) Informacion për marrëdhëniet ligjore të njësisë zbatuese me pronarët e truallit apo njoftimin e tyre, jo më pak se 45 ditë nga data e aplikimit apo gjendjen e parashikuar në pikën 4, të nenit 23, të këtij ligji.
Neni 28
Procedura për leje zhvillimi dhe ndërtimi
- Njësia e zbatimit, e përcaktuar si e tillë sipas parashikimeve të këtij ligji, aplikon për leje zhvillimi/ndërtimi në sistemin elektronik të lejeve të ndërtimit. Aplikimi, shqyrtimi dhe lëshimi i lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit apo njësitë e qeverisjes vendore kryhet ekskluzivisht nëpërmjet sistemit on-line të lejeve të ndërtimit.
- Për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit për objektet e konfiskuara, objekteve të kaluara në favor të shtettit në zbatim të kontratës premtim shitjeje dhe infrastrukturën publike zbatohen procedura të përshpejtuara që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 29
Aplikimi për certifikatë përdorimi
- Njësia e zbatimit, e përcaktuar sipas parashikimeve të këtij ligji, aplikon nëpërmjet sistemit e-leje për miratimin dhe lëshimin e certifikatës së përdorimit, në përputhje me lejen e ndërtimit, sipas nenit 30, të këtij ligji.
- Agjencia përgjegjëse për Zhvillimin e Territorit dhe njësitë e qeverisjes vendore, gjatë procedurës së lëshimit të certifikatës së përdorimit në sistemin e-leje, parashikojnë pjesët e konfiskuara, të përcaktuara, në përputhje me vendimin për konfiskim, si dhe planvendosjen bashkëlidhur dhe shqyrtojnë kërkesën dhe lëshojnë certifikatën e përdorimit, ku parashikohen edhe pjesët e kaluara në favor të shtetit, në përputhje me kontratën e premtim shitjes me vlerë 1 euro, për rastet e kalimit nga zhvilluesi në favor të shtetit të së drejtës së pronësisë mbi sipërfaqet e ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit, për të cilat nuk është miratuar një vendim konfiskimi nga KKT-ja.
- Rregullat dhe procedurat përkatëse për lëshimin e certifikatës së përdorimit detajohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës kryen regjistrimin e vendimit të KKT-së, së bashku me certifikatën e përdorimit, sipas parashikimeve në vendimin nr.589, datë 7.9.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi”.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 30
Përjashtime fiskale
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, autoriteti përfitues i konfiskimit, i autorizuar nga ministria apo njësia zbatuese e përcaktuar nga Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, përjashtohen nga të gjitha tarifat e aplikimit për leje zhvillimi/ndërtimi dhe certifikatat e përdorimit, nga polica e sigurimit, pagesat për shërbimet kadastrale si dhe nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për marrjen e lejeve të ndërtimit, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Neni 31
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga miratimi i këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 11, pika 5; 14, pika 2, shkronja “d”; 20, pika 9, dhe 29, pika 3, të këtij ligji.
Neni 32
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
Discussion about this post