Konstatohen dhe goditen 2 raste të transportimit me qëllim shitjen, të sasive të konsiderueshme të mallrave të papajisura me fatura fiskale.
Transportonin me furgonë, një shumëllojshmëri mallrash dhe produktesh me vlerë rreth 1 000 000 lekë të rinj, të papajisura me dokumentet e nevojshme fiskale, procedohen penalisht me qëllim kryerjen e verifikimeve të mëtejshme, 2 shtetas.
Sekuestrohen mallrat që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë, si dhe furgonët me të cilët transportoheshin ato.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë, si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për 2 raste të transportimit të sasive të konsiderueshme të mallrave dhe produkteve të pashoqëruara me faturat përkatëse me qëllim shitjen e tyre në Tiranë, në aksin rrugor “Rrëshen – Milot”, konkretisht në Skuraj, Milot, kanë ndaluar për kontroll 2 automjete (furgonë) që drejtoheshin nga shtetasit Ilir Shehu dhe Valmir Doci.
Gjatë kontrolleve në këto automjete, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash dhe produktesh (artikuj industrialë, tekstile dhe vegla të ndryshme pune) me vlerë rreth 1 000 000 lekë të rinj, të papajisura me dokumentet e nevojshme fiskale, të cilat dyshohet se do të shiteshin në Tiranë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, për verifikime të mëtejshme, për shtetasit I. Sh., 40 vjeç dhe V. D., 39 vjeç, të dy banues në Kukës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Discussion about this post