Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu nuk iu ndahet aferave me tenderët edhe si kryetar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Në 5 qershor 2023, kjo agjenci ka mbyllur tender të çmendur të shtrenjtë. Objekti i prokurimit është “Blerje sistemi për përgjim ambjental dhe lokalizim”. Për të blerë këtë pajisje përgjuese, Ardi Veliu do të shpenzojë 270 milionë lekë. Për çfarë duhet një pajisje e tillë?
Tender pa konkurrencë!
Tenderi është dhënë pa garë dhe është pranuar një ofertë shumë e lartë. Sikurse shihet në dokument për këtë tender kanë paraqitur oferta vetëm 2 kompani; OPENTECH shpk dhe SINTEZA CO. Këtë të fundit, Ardi Veliu e ka përjashtuar nga gara që në fazën e parë dhe mbeti vetëm oferta e firmës OPENTECH shpk. Sipas ligjit, kur nuk ka më shumë se dy oferta të përshtatshme për të garuar, atëherë procedura duhet të anulohet.
Por, Veliu nuk e respekton ligjin dhe vendos që pa garë t’ia falë 270 milionë lekë firmës OPENTECH shpk, në pronësi të Ermal Xhaferrit.
Në fakt, firma e tij ka përfituar çdo tender me këtë skemë abuzive, sikur shohim në tabelë pjesën më të madhe të kontratave e ka të lidhur me Bashkinë Tiranë. Ndërsa tani ka nisur miqësia edhe me Ardi Veliun!
Sakaq, vëmë re se në dokumentet e këtij tenderi theksohet se paratë që do shpenzohen për këtë pajisje janë nga buxheti i shtetit. Pra, me paratë e taksave po blihen pajisje që do përdoren vetëm për qëllime të caktuara, ndërkohë që e çuditshme në këto dokumente është edhe kohëzgjatja e kësaj kontrate, e cila është vetëm 90 ditë. Kush do ta mirëmbajë këtë pajisje?! Me siguri do të bëhen tendera të tjerë.
Nga ana tjetër, në tender nuk specifikohet nëse flitet vetëm për një pajisje të vetme apo disa të tilla.
Institucioni i Ardi Veliut varet drejtpërdrejtë nga Ministria e Brendshme e Bledi Çuçit. Ky i fundit është përfshirë në disa skandale me tenderët në kohë kur në krye të Policisë së Shtetit ishte Veliu.
Më i bujshmi është tenderi me vlerë 2.8 miliardë lekë për uniformat e policisë, për të cilin përfunduan pas hekurave 9 zyrtarë.
Pas kësaj ngjarje Veliu dha dorëheqjen dhe Çuçi po e forcon në rrugë të tjera.
Skandalet me përgjimet me pajisjen IMSI Catcher
270 milionë lekë po paguhen vetëm për një lap top që gjurmon dhe lokalizon celularët. Kjo lloj pajisje është përdorur herë pas here fshehurazi këto dhjetë vjetët e fundit nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë, nga misioni Interforze për llogari të policisë dhe vazhdimisht ka qenë objekt i skandaleve sepse janë drejtuar ndaj kundërshtarëve politikë (rasti i përgjimeve gjatë protestave të 21 janarit 2011 apo më 2015-2016 kur ishte ministër i brendshëm, Saimir Tahiri, çështje të hetuara nga prokuroria).
Më 11 Maj 2016, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) kishte informuar Prokurorin e Përgjithshëm Llalla dhe Presidentin Nishani se Policia e Shtetit po përdorte një pajisje të paregjistruar për gjurmimin dhe përgjimin e telefonëve celularë.
Sipas burimeve të mediave, nisur nga ky informacion i SHISH-it, Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar para disa javësh informacion policisë në lidhje me këtë pajisje të supozuar përgjimi.
Po sipas mediave, policia i ka pranuar Prokurorisë se ajo ka patur, për një farë kohe, një pajisje të tillë përgjuese, e cila është përdorur për trajnimin e punonjësve të policisë. Policia pretendon se, mbas trajnimit, pajisja i është dorëzuar Misionit të Forcave të Policisë Italiane në Shqipëri (Interforze)—mision i cili pretendohet se ia ka ofruar pajisjen policisë si pjesë e mbështetjes për policinë shqiptare.
Prokuroria i ka kërkuar informacione të mëtejshme policisë dhe Misionit Interforze në lidhje me procedurat e ofrimit dhe marrjes së pajisjes përgjuese, si dhe qëllimit dhe mënyrës së përdorimit të saj nga policia shqiptare, por nuk ka marrë asnjë informacion prej tyre.
Ndërkohë, pajisja për të cilën bëhet fjalë është e tipit “Imci Catcher”—një pajisje e fuqishme për gjurmimin dhe përgjimin e celularëve pa patur nevojë për bashkëpunimin e kompanive celulare.
Opozita akuzoi policinë se pajisja është siguruar në shkelje të ligjit dhe është përdorur për përgjime të politikanëve.
Ish-kryeministri Berisha publikoi dje një listë me 375 telefonat e të cilëve ai pretendon se janë përgjuar. Në listë janë Presidenti Nishani, Kryetari i Opozitës Basha, ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, ambasadorë të huaj dhe gazetarë.
Ministri i Drejtësisë Manjani deklaroi më 14 maj 2016 se Prokuroria ka nisur hetimin për këtë çështje, sipas Ministrit të Drejtësisë Manjani.
Pse blihet tani kjo pajisje?
Është e qartë se përgjimi i policëve nuk është kaq i vështirë sa të sillet kjo pajisje e shtrenjtë. Nga ana tjetër ndryshimet në ligj që i lejojnë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të përgjojë edhe civilët, e bëjnë të përshtatshme këtë pajisje. Disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit në vitin 2020, që i hapin rrugë survejimit të kundërshtarëve politikë.
Ligji i miratuar ndryshoi nenin 131, duke parashikuar të drejtën e policisë për të kryer veprimtari informative-gjurmuese, pa lejen e prokurorisë, por jo përgjimin e telefonatave apo në ambiente private. Konkretisht policia, mund të mbikëqyrë lëvizjet dhe bisedat mes personave të dyshimtë në vende publike si dhe të gjurmojë ata përmes teknikave të veçanta për lokalizimin e vendndodhjes së tyre, pa lejen e prokurorisë.
Rregullat dhe proceduat e detajuara të mbikëqyrjes dhe gjurmimit nga policia pa lejen e prokurorisë, do të përcaktoheshin në një udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm, kryeprokurorit dhe kreut të SPAK.
Tashmë që këto udhëzime janë gati, njeriu i Ramës në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është hedhur në aksion për ta siguruar këtë pajisje.
Po cilët personat do të gjurmohen pa lejen e prokurorisë dhe në çfarë vendesh? Objekt survejimi dhe gjurmimi të lëvizjeve do të jenë të gjithë personat që po planifikojnë kryerjen e një krimit, atë që kanë kryer një krim dhe nuk janë zbuluar ende si dhe autorët e krimeve, të cilët kërkohen për t’u arrestuar. Mbikëqyrja lejohet vetëm në vende publike.
Çfarë quhet vend publik? Kjo i lihet në dorë Ardi Veliut që ta përkufizojë. Ajo që dimë deri tani, është se Ardi Veliu i rikthye në Policinë e Shtetit si syri dhe veshi i kryeministrit, prandaj i bën pa frikë shkeljet në tenderë. Aq më shumë që pajisja është “sekrete” dhe duhet ta dijë vetëm Ardi Veliu dhe përfituesi i 270 milionë lekëve.
Lexo edhe: Ardi Veliu e shkarkon, Muhamet Rrumbullaku e emëron këshilltar/ Çfarë ndodhi me Vehbi Bushatin
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post