Nga Allister Heath
Ashtu si librat “1984” e George Orwell dhe “Bota e re e guximshme” e Aldous Huxley, del se edhe filmi “Terminator” me protagonist aktorin Arnold Schwarzenegger ishte një plan, dhe jo një vepër fantatiko-shkencore. Kur Skynet, një rrjet kompjuterash i krijuar nga kontraktori ushtarak “Cyberdyne Systems”, u bë i vetëdijshëm, njerëzit në panik u përpoqën ta çaktivizonin atë.
Inteligjenca artificiale e sapoformuar (AI) i identifikoi “të gjithë njerëzit si një kërcënim” dhe nisi një sulm bërthamor ndaj çdo qyteti të madh. Por 4 dekada më vonë, fiksioni rrezikon të bëhet realitet. Në paralajmërimin më rrëqethës që nga peticioni i Szilárd i vitit 1945, dhe nga themelimi nga Albert Einstein i Komitetit të Emergjencës të Shkencëtarëve Atomikë, shumë nga ekspertët më të mirë në botë, janë të bindur se AI mund të shkatërrojë njerëzimin, dhe se kjo teknologji përbën një kërcënim ekzistencial për mbijetesën tonë si specie.
“Zbutja e rrezikut të zhdukjes nga Inteligjenca Artificiale, duhet të jetë një prioritet global krahas rreziqeve të tjera në shkallë shoqërore, si pandemitë dhe lufta bërthamore”,- thuhet ndër të tjera në një letër të nënshkruar nga Sam Altman krijuesi i ChatGPT i kompanisë OpenAI, Demis Hassabis i Google DeepMind dhe shumë të tjerë.
Ekspertë të tjerë të kësaj fushe, kanë braktisur punën e tyre duke shprehur keqardhje për aq sa kanë bërë deri tani. Frika e tyre është më se e dukshme, ashtu siç është edhe ndjenja se këtë herë kemi shkuar shumë larg, se institucionet tona nuk mund ta përballojnë dot situatën, se AI do të rrëmbehet nga mendje të liga për të ndërtuar armë të shkatërrimit në masë apo për të sunduar mbi të gjithë ne.
Të gjithë mund të gabojnë. Inteligjenca Artificiale ka përfitime të mëdha por edhe kosto të konsiderueshme. Atëherë si ka mundësi që kjo çështje nuk është prioriteti numër një i çdo politikani në botë? Si mund t’i besojë dikush se një pakti idiot apo një rregulloreje formale të BE-së?
Ne përballemi aktualisht me një dileme të madhe filozofike dhe praktike: Cili është kuptimi i jetës dhe inteligjencës? Si mund të sigurohemi që njerëzimi të mbetet në krye të makinave dhe jo e kundërta? Si mund të balancojmë synimin e rritjes së produktivitetit me rrezikun e asgjësimit nga këto makineri super-inteligjente?
Kjo është padyshim pyetja më komplekse me të cilën jemi përballur ndonjëherë. E megjithatë shoqëria jonë nuk mundet të përballet me të. Sepse elitat globale kanë gabuar sërish me prioritetet që kanë zgjedhur. Ato janë fokusuar në mënyrë obsesive tek ndryshimi i klimës, duke e kthyer një problem real por të kapërcyeshëm në një fe anti-perëndimore, ndërsa janë çuditërisht të pavëmendshme ndaj kërcënimeve shumë më të mëdha.
Unë nuk po e minimizoj aspak problemin dhe kostot e ndryshimit të klimës. Por e di se ato nuk do t’i japin fund jetës në Tokë, ndryshe nga një luftë bërthamore, luftë biologjike apo një Inteligjencë Artificiale e dalë jashtë kontrollit.
Nxitimi ynë drejt arritjes së zeros emetimeve të gazrave ndotës në atmosferë, duke e reduktuar rritjen ekonomike, po e kufizon në fakt aftësinë tonë për të zhvilluar një përballje me një Kinë që po vazhdon me emetimet e saj të shumta të dioksidit të karbonit.
Rreziku më i menjëhershëm për mbijetesën e njerëzimit është lufta bërthamore. Rusia mund të lëshojë ende armë bërthamore taktike ndaj Ukrainës; Kina mund të pushtojë Tajvanin; ose një sulm terrorist mund të zhysë Indinë dhe Pakistanin në një luftë totale midis tyre. Megjithatë, rreziku më urgjent vjen nga përhapja armëve bërthamore, një krizë që përhapet dalëngadalë dhe që bie ndesh me narrativat aktuale, dhe që për pasojë anashkalohet. Koreja e Veriut mbetet një kërcënim i madh, por rreziku i vërtetë është Irani: ai vazhdon të pasurojë uraniumin dhe dëshiron të asgjësojë Izraelin.
Rreziku tjetër i madh është lufta biologjike. Mendoj se është çmenduri që ne vazhdojmë të tolerojmë eksperimentet me viruset dhe modifikimin e tyre gjenetik:në një moment, një virus super i fuqishëm mund të dalë aksidentalisht ose qëllimisht nga një laborator, duke vrarë miliarda njerëz dhe duke e shkatërruar qytetërimin tonë.
Dhe ku është në këtë rast zemërimi dhe parada e aktivistëve të shqetësuar? Inteligjenca Artificiale e dalë jashtë kontrollit, mund të favorizohet nga një patologji në rritje në zemër të shoqërisë perëndimore: varësinë tonë ndaj kolektivit. Në vend se të krijojmë një ushtri individualistësh racionalë dhe elastikë, të pavarur, hiper-edukuar dhe me të gjithë mësimin njerëzor në majë të gishtave, telefonat inteligjentë na kanë reduktuar në një turmë shumë emocionale, shtazarake, dhe të drejtuar nga dopamina.
Sot ka shumë informacione, por pak njohuri. Në vend se të jemi në gjendje të mendojmë vetë, ne jemi skllevër të modës, jo vetëm kur flitet për veshjen, por edhe për opinionet, konsumin dhe vendimet financiare. Të radikalizuar nga mediat sociale, formuesit e elitës së opinionit, përqafojnë pikëpamjet absurde, dhe e bëjnë këtë me një shpejtësi marramendëse.
Politikanët, bizneset dhe personazhet e famshëm, marrin shkas nga një pararojë revolucionare që po përmbys ndjenjën e përgjegjësisë publike. Shoqëria jonë nuk e kupton më qëllimin e fjalës së lirë, siç e përshkruan John Stuart Mill në esenë e tij “Mbi lirinë”.
Në vend se të angazhohemi në një katekizëm sokratik për të arritur tek e vërteta, ne përdorim fjalë për të sinjalizuar virtytin dhe për të fshehur emocionet bazë. Elitat tona pretendojnë se janë humanistë universalistë. Në fakt ato janë tribalistë të rilindur, të cilët e kalojnë kohën e tyre duke u vendosur përballë grupeve të jashtme (cilido që nuk është dakord me ta).
Ne nuk po dimë të mendojmë më në një mënyrë kritike. Subjektiviteti dhe nihilizmi sundojnë në mënyrë absolute:kulti i çmendur dhe post-modernist i lëvizjes “Woke”, pretendon se nuk ka më të vërteta universale, por vetëm të vërtetat tona.
Idetë janë në rastin më të mirë të mira pozicionale, pra deklarata që janë në modë, shënjuese të hierarkisë sociale, dhe në rastin më të keq mjete shtypjeje. Fjalët nuk kanë më asnjë kuptim thelbësor: shprehja e “mendimit të drejtë” sinjalizon një status të lartë (edhe nëse opinioni është i pakuptimtë, siç është pretendimi se Kina nuk kishte asnjë lidhje me Covid-in ) dhe “të menduarit e gabuar” (siç është mbështetja për Brexit) nënkupton një status të ulët.
Alex Tabarrok i George Mason University, argumenton se shoqëria jonë nuk është thjesht gjithnjë e më kapriçioze, por edhe e prirur ndaj një çmendurie të re të turmave. Duke e rritur transparencën dhe duke ulur kostot e transaksionit, teknologjia ka “intensifikuar çmendurinë e masave dhe ka zgjeruar shtrirjen e tyre, nga financat te politika dhe kultura, asnjë fushë nuk mbetet e paprekur”.
Paniku bankar është gjithnjë e më i shpejtë, ku depozitat zhvendosen nga llogaritë online sapo fillojnë të qarkullojnë disa zëra alarmantë. Lajmet e rreme, bojkotet, zemërimi, demonstratat, paniku shëndetësor dhe thirrjet për falimentim të bankave po bëhen një normë. Nuk ka asnjë mekanizëm për korrigjimin e gabimeve. Një botë e tillë – e qeverisur nga parimet e kundërta me ato të zhvilluara nga Nassim Nicholas Taleb në librin “Antifragile” – është e ndjeshme ndaj manipulimit, dhe rrjedhimisht ndaj përdorimit si një armë e Inteligjencës Artificiale.
Imagjinoni një video të falsifikuar në mënyrë të rafinuar (deepfake) të parë 20 milionë herë brenda pak orësh, që paralajmëron për një sulm të afërt terrorist, apo që “provon” se një politikan ishte një mashtrues disa orë përpara zgjedhjeve:ndikimi do të ishte katastrofik. “A mund t’i mbijetojmë teknologjisë?”- pyeti në vitin 1955 John von Neumann, mendja më e madhe e shekullit XX-të. A mund të jetë vërtet negative përgjigja? / Daily Telegraph – Bota.al
Discussion about this post