Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi iu ndan 800 milionë lekë dy të dënuarve për korrupsion me tenderët, Bujar Muratit dhe Fiqiri Palit.
Peleshi ka firmosur tenderin për dy biznesmenët e preferuar të PS-së që kanë marrë dhjetëra tenderë me korrupsion nga qeveritë e Berishës dhe të Ramës. Tenderi në fjalë mban numrin e referencës REF-68732-05-09-2023, ka si objekt “Ndërtim grup depo për administrimin e pajisjeve dhe akomodimin e kompanisë së II-të, të kërkim – shpëtimit, në pronën nr. 86, Ferraj, Tiranë”.
Tenderi pa konkurrencë
Për të ndërtuar këto depo është lënë në dispozicion fondi në vlerën rreth 800 milionë lekë të vjetra. Është skandal, që paratë e Ministrinë së Mbrojtjes së një vendi anëtar të NATO-s të jepen për qoka tek miqtë me probleme penale të Peleshit dhe të Ramës.
Për më tepër, tenderi u është falur pa garë bashkimit të dy kompanive.
Pas një vrojtimi të dokumenteve të tenderit, vihet re se në garë kanë marrë pjesë 7 kompani, nga të cilat fituese është shpallur bashkimi i operatorëve LIS KONSTRUKSION dhe SIRETA 2F për ofertën 700 milionë lekë pa TVSH. Në fakt, 3 firma të tjera kanë paraqitur oferta më të lira, por stafi i Peleshit ka ndjekur urdhrin dhe kanë firmosur kontratën me fituesin e paracaktuar.
Duke qenë se kemi një tender të dhënë në mungesë të konkurrencës dhe me ofertën më të shtrenjtë, është e qartë që fituesi ka qenë i urdhëruar nga lart.
Biznesmenë të arrestuar dhe të dënuar
Kush qëndron prapa LIS KONSTRUKSION dhe SIRETA 2F?
“LIS KONSTRUKSION” është një kompani e krijuar në Bulqizë nga Bujar Murati me emrin e mëparshëm “EURO-ALB”, i cili e kaloi firmën në emër të së bijës. Bujar Murati u arrestua në vitin 2021 bashkë më kryetarin e Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe për abuzim me tenderët. Në cilësinë e pronarit të firmës “EURO-ALB”, Bujar Muratit iu vunë prangat me urdhër të SPAK pas një operacioni anti-korrupsion.
Ai u arrestua me dyshimet se së bashku me disa persona të tjerë, përfshirë këtu kryetarin e atëhershëm të Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe, kishin konsumuar disa vepra penale si “Shkeljes së barazisë në tendera”, “Korrupsion” dhe “Shpërdorim detyre” në një tender me vlerë rreth 240 milionë lekë.
Në dosje thuhet se Fatos Tushe dhe Flamur Peqini, drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati. Ky i fundit përfitoi nga prokurimi për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 285 milionë lekë.
Bujar Murati rezulton të jetë arrestuar edhe në vitin 2009 për abuzime në lidhje me një tjetër tender, për uniformat e policisë.
Në vitin 2009, Murati mbante postin e drejtorit të përgjithshëm të prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme kur u arrestua për tenderin e uniformave të policisë, i paracaktuar për kompaninë “Gjergjefi”, me pronar Jani Gjergjefi. Në dhjetor 2009, gjatë operacionit ‘Prokurimi i fundit”, u arrestuan edhe pronari i kompanisë fituese Jani Gjergjefi, specialisti Redi Popescu, shef i prokurimeve në Gardën e Republikës Tahir Imami si dhe biznesmenët Artan Berberi dhe Agur Sadiku. Sipas prokurorisë dhe policisë, tre biznesmenët do t’u jepnin një pjesë të fitimit tre funksionarëve publikë, në këmbim të shpalljes fitues të tenderit.
Bujar Murati, jo vetëm i shpëtoi dënimit, por në janar të vitit 2014 depozitoi një padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për ditët e burgut. Murati e ka themeluar kompaninë e ndërtimit “Euro Alb” në vitin 1999. Në vitin 2006, Murati ia shiti aksionet në masën 100 % bashkëshortes së tij, Doriana Murati. Pas shkarkimit si drejtor prokurimesh, arrestimit dhe më pas shpëtimit nga dënimi, Bujar Murati, në dhjetor të vitit 2013, i rimerr sërish aksionet, tashmë përmes dhurimit nga bashkëshortja e tij.
Gjatë katër viteve (2016-2021) kompania e Bujar Muratit, herë e vetme dhe herë duke u bashkuar me kompani të tjera, është shpallur fituese e të paktën 66 tenderave në total, me vlerë miliona euro. 36 tendera i ka marrë e vetme, ndërsa 30 tendera duke u bashkua me kompani të tjera. Nga 66 tendera, kompania e Bujar Muratit, 18 tendera i ka marrë procedurat tejet të dyshimta. 18 tenderat karakterizohen nga mungesa e plotë e garës dhe skualifikimit në bllok të të gjithë konkurrentëve të tjerë.
Shikohet se Murati ka ndryshuar emrin e kompanisë së tij nga EURO-ALB në LIS KONSTRUKSION në datë 24 mars 2023.
Vetëm 4 ditë pasi ndryshoi emrin e kompanisë, Murati ka marrë një tender të ri me vlerë rreth 106 milionë lekë nga kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli. Tenderi është dhënë disa ditë para nisjes së fushatës elektorale për të riparuar rrugët e fshatit Laknas. Kuptohet se pas tenderit fshiheshin qëllimet elektorale.
Kompania e dytë, SIRETA 2F, ka pronar një tjetër biznesmen të përzier në afera korrupsioni. Ky është Fiqiri Pali. Ai njihet për faktin që është dënuar më parë për ryshfet dhe falsifikim dokumentesh.
Pali u arrestua dhe u dënua në vitin 2008, si pjesë e një skeme korrupsioni, ku vidheshin paratë publike me tenderë abuzivë. Skema funksiononte me disa institucione, por policia dhe prokuroria dokumentoi një aferë me Ministrinë e Punës dhe Shanseve të Barabarta. Fiqiri Pali, në bashkëpunim me Llambi Tarka, u akuzuan në atë kohë se korruptuan zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spartak Gjini, duke paracaktuar tenderin e rikonstruksionit të ministrisë dhe duke ndarë fitimet bashkë.
Pali u dënua në 2 maj të vitit 2008. Dënimi i tij është konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe më pas nga Gjykata e Lartë. 12 ditë më pas ai shiti aksionet tek e shoqja, për të shpëtuar kompaninë nga balta.
Por këta biznesmenë vazhdojnë të jenë të privilegjuar nga krybashkiakët dhe ministrat sepse ndajnë bashkë paratë e korrupsionit. Më 25 mars 2023, para fushatës së zgjedhjeve, kryebashkiaku Erion Veliaj i dha tenderin 2.2 miliardë lekë Fiqiri Palit. Qëllimi e justifikon mjetin edhe në këtë rast!
Ndërkaq, dy fjalë për Niko Peleshin dhe firmat që hedh për këto tenderë. Si ministër i Mbrojtjes, Peleshi mban përgjegjësi edhe për Emergjencat Civile. Nuk e dimë nëse këto depo do ta justifikojnë Peleshin gjatë këtij sezoni të verë. Për fat të keq zjarret në zonat e nxehta janë të pashmangshme. Dhe në çdo vit, për shkak të paaftësisë së qeverisë, zjarret kanë gllabëruar mijëra hektarë pyje dhe kullota!
Lexo edhe: Ndërhyrja e policisë në kampin e MEK, Peleshi: S’mund të lejohen “ishuj” ku shkelen ligjet
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post