Nga Gjergji Koja
Arben Ahmetaj është kthyer në kurbanin e rradhës në pushtetin e Rilindjes.
Dikur i plotëfuqishëm, me poste e pozicione jo vetëm në ekzekutiv, por edhe në strukturat e Partisë Socialiste, sot emri i ish-zv.Kryeministrit mund të konkurojë në listat e më të kërkuarve nga Interpol.
Është vetëm një hap larg kësaj procedure, nëse GJKKO legjitimon kërkesën e SPAK për të arrestuar deputetin socialist, pasi Kuvendi miratoi me konsensus të gjerë autorizimin.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Ahmetaj paralajmëron vijimin e betejës, sikundër nuk nguron të tregojë se ai nuk është “koka e mbretit”, shprehje kjo që u tha për herë të parë nga mbrojtësit ligjorë të ish-zv.Kryeministrit dhe që u interpretua si një “mesazh i koduar”.
Në sqarimin e tij, Ahmetaj thotë se “Zoti e di të vertetën, që unë do mundohem ditë pas dite ta nxjerr”.
Po çfarë të vërtete mund të dijë ish-zv.kryeministri përtej asaj që ka arritur SPAK të përfshijë në dosjen që kërkon arrestimin e tij?
Arben Ahmetaj në rradhët e socialistëve ishte ndër të paktët emra që i mbijetoi çdo “tcunami politik” në Partinë Socialiste. Ai ka qenë pjesë e ekzekutivit në kohën e Fatos Nanos, më pas u kthye në një prej njerëzve të afërt të Edi Ramës në opozitë, dhe një prej figurave që Kryeministri i besoi jo pak në qeverisjen e tij.
Për 3 vjet në mandatin e parë qeverisës, Edi Rama i besoi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Dhe më pas për 3 vite të tjera drejtoi Ministrinë e Financave.
Gjithashtu Edi Rama i besoi rolin e ministrit për Rindërtimin, pozicion që e shtoi në kabinet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, dhe që rolin kryesor kishte menaxhimin e fondeve të donatorëve për ndërtimin e banesave të reja.
Dhe paralelisht me rindërtimin, Ahmetajt iu besua edhe menaxhimi i situatës së Covid-19, bashkë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Postin më të lartë ekzekutiv që Rama ia besoi ishte ai i zv.Kryeministrit, pozicion që e kishte deri 1 vit më parë, kur u zëvendësua nga Belinda Balluku.
Dhe referuar të gjitha pozicioneve që ka mbajtur në qeverisjen e Edi Ramës, “kurbani” i rradhës së tij, natyrisht që mund të dijë shumë të vërteta, madje shumë më shumë, sesa përfshihen në një dosje, qoftë kjo edhe më voluminozja.
Të vërtetat nuk u zbuluan as në rastin e Saimir Tahirit, as në rastin e Lefter Kokës, madje as me Alqi Bllakon, tre ndër emrat e fundit nga rradhët e politikës, që kishin pozicione në Qeverinë Rama.
Por asnjë prej tyre nuk u godit, qoftë edhe në hetimin penal, si ish-zv.Kryeministri, ndaj të cilit “regjia” u kujdes të nxirrte me detaje pothuajse çdo gjë që kishte lidhje me të, pavarësisht merakut të “sekretit hetimor” që kishin prokurorët e SPAK.
Nëse ndaj Ahmetajt do të ngrihej akuza e shpërdorimit të detyrës, njëlloj si të tjerë para tij, ndoshta ish-zv.Kryeministri do të shfaqej duke mbrojtur veten si në Këshillin e Mandateve, ashtu edhe në sallën e Kuvendit.
Por SPAK zgjodhi një tjetër rrugë, e akuzoi deputetin për korrupsion në të paktën 6 raste, fshehje pasurie e pastrim parash, duke i rezervuar akuza që në rastin më të mirë, mund ta çojnë në burg, nëse provohen në mbi 10 vite, dhe që do të pasohen nga sekuestrimi i atyre pasurive që sot Prokuroria Speciale, i ka përfshirë në dosje.
Dhe nisur nga kjo situatë, duke e krahasuar me ato të mëparshmet, duket se Arben Ahmetaj, u piketua si shembulli i parë për drejtësinë e re, në goditjen e atyre që konsiderohen si “peshkaqenët” e politikës shqiptare.
Ish-zv.Kryeministri e ka të qartë se goditjen që iu dha nuk e ka thjesht e vetëm nga Prokuroria Speciale, por edhe nga të tijët, pjesëtarët e familjes politike, të cilët i përmend edhe përmes rrjeshtave në reagimin e tij.
“E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie. Habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje”, shkruan Ahmetaj.
Deputeti që për shkak edhe të pozicioneve që ka pasur me disa prej të tijve tallej dhe me të tjerë krijonte lobingje, e ka të qartë që goditjen nuk e ka marrë nga ata që mund të konsideroheshin si rivalë brenda PS-së, veçanërisht në një parti, kur gjithçka, dirigjohet nga zyra e Kryeministrit.
Kur muaj më parë, në emisionin “Opinion” ai u shpreh ndër të tjera se “Ramës nuk i kam kërkuar ndonjëherë ndihmë. Ai duhet të bëjë kryeministrin dhe jo gjykatësin. Mua më kujtohen shpesh këta kolegë. Me Tahirin nuk kam shkuar fare. Megjithatë më vjen keq kur e shoh në atë situatë. Rama bëri rolin e gjykatësit. Ai ka të drejtë kur thotë secili t’i dalë vetes zot, por të mos bëjë gjykatësin”.
Pas deklaratës së Ahmetajt, vjen reagimi i Kryeministrit i cili do të shprehej “nëse do kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.
Pas këtyre reagimeve dhe kundër-reagimeve, ish-zv.Kryeministri sigurisht që do e ketë pasur të qartë se goditja që po i vinte, ishte me “bekimin” e shefit të tij politik, pavarësisht se mund të mos dinte forcën me të cilën do të goditej, fillimisht politikisht e publikisht, dhe me pas edhe penalisht.
Sot Ahmetaj trajtohet si një person në arrati, i arratisur nga frika për tu përballur me drejtësinë. Ish-zv.Kryeministri thotë se ndodhet pranë familjarëve të tij, premton betejë për të thënë të vërtetat, jo ato që deri më sot janë mësuar nga dosja penale, por të tjera që i di Zoti.
Çështja është nëse Arben Ahmetaj do të pranojë të hapë ose jo atë që konsiderohet “kutia e Pandorës”.
Të presim e të shohim, por nëse të vërtetat dalin në shesh, vështirë që dikush nga ata që ka ose s’ka firmosur, mjafton që të ketë pasur zyrën nga sheshi Skënderbej dhe përgjatë bulevardit, mund ta bëjë gjumin e qetë.
Discussion about this post