Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar përmes një deklarate lidhur me akuzat e deputetit demokrat, Gazment Bardhi, për rekrutimin e punonjësve në institucionin e hetimit, dhe nxjerrjen e sekretit.
Deklaratat e Bardhit u bënë në seancën ku po diskutohej kërkesa e SPAK lidhur me arrestimin e ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj, ndërsa ai foli për dekonspirimin e operacionit.
Por BKH në një deklaratë të sajën i cilëson deklarata të tilla si cënim të imazhit të institucionit, por që nuk do të ndikojnë në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Por në një deklaratë zyrtare, BKH thekson se procesi i rekrutimit të gjithë punonjësve, në zbatim të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, duke filluar që nga Drejtori i BKH-së, kalon në disa faza të detajuara, të mirëpërcaktuara nga një Komision i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, dhe dy Prokuror të Posaçëm, si dhe është monitoruar në çdo fazë nga një Komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale të caktuar nga misionet e SHBA -së dhe BE-së.
Byroja Kombëtare e Hetimit gjatë kryerjes së detyrës udhëhiqet nga misioni për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, në mënyrë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, me kryefjalë ”ruajtjen e sekretit për çdo veprim që kryen “, në bazë të ligjeve në fuqi.
“Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit i ka të parashikuara në ligj shumë qartë detyrat funksionale përsa i përket pjesës hetimore dhe asaj administrative e organizative. Parashikimet ligjore nuk i japin të drejtë Drejtorit të BKH-së të njihet, marrë apo të kërkojë informacion mbi hetime, kur nuk është vetë i përfshirë në kryerjen e veprimeve si hetues.
Byroja Kombëtare e Hetimit si një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme, nga fillimi i funksionimit të saj ka treguar integritet, paanshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në përmbushjen e misionit të saj, kjo e shprehur edhe me rezultatet e deritanishme”, thuhet në reagim.
Discussion about this post