Prokuroria Speciale (SPAK) arriti të konfirmojë, më në fund, që kompanitë koncesionare të inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë kanë pronarë faktikë të njëjtët persona-dyshen Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Pas këtij konfirmimi zyrtar, tashmë është më e thjeshtë për të kuptuar se si kanë qarkulluar miliona euro mes kompanive të këtyre dy personave dhe “satelitëve të tyre”, nëpërmjet faturave për shërbime të kryera për llogari të njëri-tjetrit.
“Gijotina” ka siguruar të dhënat nga administrata tatimore për pagesat e kryera nga shoqëritë koncensioare deri në fund të vitit 2021. Informacioni i siguruar tregon se dyshja Zoto-Mërtiri ka lëvizur nga “njëri xhep në tjetrin” plot 47.9 milionë lekë të vjetra ose rreth 45 milionë euro.
Këto para janë siguruar nga pagesat e kryera prej institucioneve shtetërore për llogari të ndërtimit të impianteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan dhe Fier, si edhe nga pagesat e kryera prej Bashkisë së Tiranës për depozitimin e mbetjeve urbane në Sharrë.
Pagesat e “Elbasanit” për Zoton
Në dhjetor të vitit 2014, qeveria shqiptare miratoi financimin me rreth 20 milionë euro për kontratën koncesionate të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë “Albtek Energy”. Objekti i kësaj kontrate ishte ndërtimi dhe operimi i landfillit dhe impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan.
Pronari në letra i kompanisë koncesionare ishte Stela Gugallja. Por, në njoftimin e SPAK-ut për dërgimin në gjyq të aferës së inceneratorit të Elbasanit, prokurorët e posaçëm kanë identifikuar Mirel Mërtirin, bashkëjetuesin e Stela Gugalljas, si “pronari faktik” i shoqërisë “Albtek Energy”.
Tashmë, është bërë e qartë se Mirel Mërtiri është i lidhur ngushtë me Klodian Zoton dhe të dy janë të pandehur në dosjet gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit. Të dhënat tatimore tregojnë se mes tyre “lekët kanë qarkulluar lumë”.
Prej vitit 2015 e deri në vitin 2021, shoqëria koncesionare “Albtek Energy” ka paguar kompaninë mëmë të Klodian Zotos, “Integrated Technology Service” (ITS) plot 1.557.242.636 lekë të reja.
Diçitura: Pagesat e “Albtek Energy” për “Integrated Technology Service”
Kompania “ITS” ka objekt të aktivitetit të saj punime ndërtimore dhe besohet se faturat janë paguar për këtë shërbim. Por nuk ndalet këtu. Kompania koncesionare, me pronar në letra Stela Gugalljan, ka paguar edhe 32.500.000 lekë të reja të tjera për Klodian Zoton. Por, kësaj radhe, këto pagesa janë kryer për konsulencë, në favor të studios ligjore “Zoto Consulting”.
Diçitura: Pagesat e “Albtek Energy” për “Zoto Consulting”
Këto bashkëpunime do të shihen në vijim edhe në rastet e koncesionareve të tjerë, të Fierit dhe të Tiranës.
Pagesat e “Fieri” për Zoton dhe Gugalljan
Në Tetor të vitit 2016, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, nënshkruar kontratën koncesionare me shoqërinë “Integrated Technology Waste Treatment”, për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Fier.
Kostoja koncesionare e kësaj kontrate ishte 31 milionë euro. Kompania koncesionare zotërohet në 75 përqind të saj nga ‘Integrated Technology Service” e Klodian Zotos dhe 25 përqind janë në pronësi të “Ndërtim Montim Patos”, me ortakë familjen Kollozi.
Të dhënat e administratës tatimore tregojnë se kompania koncesionare e Fierit, e zotëruar në shumicë absolute nga Klodian Zoto, ka kryer pagesa në vlera qindra milionë lekë të reja për dy shoqëritë e tjera të tij.
Kështu, koncesionari “Integrated Technology Waste Treatment Fier” rezulton të ketë paguar plot 1.055.049.450 lekë të reja për shërbime të marra nga “Integrated Technology Service”, pra nga një prej ortakëve të saj.
Diçitura: Pagesat e koncesionarit “Integrated Technology Waste Treatment Fier” për “Integrated Technology Service”
Po ashtu, koncesionari Klodian Zoto duket se ka pasur nevojë për konsulencën e Klodian Zotos dhe i ka paguar zyrës “Zoto Consulting” disa fatura, me vlerë totale 23.000.000 lekë të reja.
Diçitura: Pagesat e koncesionarit “Integrated Technology Waste Treatment Fier” për “Zoto Consulting”
Gjithashtu, Klodian Zoto nuk mund të qëndronte pa i kthyer “reston” Stela Gugalljas. Koncesionari i Fierit ka paguar shumën prej 29.333.348 për zyrën “Consulting SE Partners”, me aksionere kryesore pikërisht Stela Gugalljan.
Diçitura: Pagesat e koncesionarit “Integrated Technology Waste Treatment Fier” për “Consulting SE Partners”
Pagesat e “Sharrës” për Zoton e Gugalljan
Skema e pagesave mes “grupit” përsëritet me përpikmëri edhe në rastin e landfillit të Sharrës, në Tiranë. Në Shtator 2017, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, nënshkruan kontratën koncesionare me kompaninë “Integrated Energy bv”, për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, në Tiranë.
Kontrata ka kosto koncesionare 128 milionë euro dhe kompania koncesionare zotërohet nga një shoqëri në terrenin off-shore të Amsterdamit, të quajtur “Geogenix bv”. Prokuroria Speciale (SPAK) zbuloi së fundmi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët de fakto të kompanisë koncesionare të landfillit të Sharrës.
Dhe, si “bashkëpronarë”, Zoto dhe Mërtiri duket se ia kanë ndjerë më së miri lezetin e parave publike. Nga të dhënat tatimore shihet se kompania koncesionare e Zoto-Mërtirit, “Integrated Energy bv”, ka paguar plot 2.047.109.240 lekë të reja për shërbime të ofruara nga shoqëria “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos.
Diçitura: Pagesat e “Integrated Energy bv” për “Integrated Technology Service”
Po ashtu, Zoto ka marrë nga “koncesionari i tij” edhe 20 milionë lekë të reja për t’i ofruar shërbime konsulence, nëpërmjet zyrës “Zoto Consulting”.
Diçitura: Pagesat e “Integrated Energy bv” për “Zoto Consulting”
Koncesionari i Sharrës ka pasur shumë para në duar dhe diçka do të mbetej edhe për zyrën këshillimore të Stela Gugalljas. “Consulting Se Partners” e saj ka përfituar 34.833.346 lekë të reja nga kompania koncesionare e Sharrës, “Integrated Energy bv”.
Diçitura: Pagesat e “Integrated Energy bv” për “Consulting SE Partners”
Në total, kompanitë e grupit Zoto-Mërtiri kanë qarkulluar mes tyre thuajse 4.8 miliardë lekë të reja, një shifër marramendëse për dy personazhe, të cilët nuk kishin asnjë përvojë në fushën e përpunimit të mbetjeve urbane.
Lexo edhe: Sekuestrimi i inceneratorit/ A do përmbytet Tirana nga plehrat, siç paralajmëronte Rama
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post