Nëse do të krahasohej me një ndeshje futbolli, hetimi për koncesionin 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale është një nga ato raste me portë bosh, kur është thuajse e pamundur të mos shënosh gol.
Megjithatë, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) iu desh më shumë se tre vjet që të shënonte “gol”, por edhe atë gjysmak.
Pak ditë më parë, prokurorët njoftuan se vunë nën arrest ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, “bosin” e koncesionit, Ilir Rrapaj, ndërkohë që aplikuan masa më të buta sigurie për 6 zyrtarë e ish-zyrtarë të Shëndetësisë, që ishin pjesë e procedurës koncesionare në vitin 2015.
Hetimi, ai që është zbuluar të paktën deri më tani, është shumë i pjesshëm. Në listën e personave të penalizuar mungon, më së paku një individ, i konsideruar si “koka e koncesioneve në Shëndetësi”-Ilir Beqja, ministër i linjës në periudhën 2013-2017.
Diçitura: Ilir Rrapaj (në rreth majtas) dhe Ilir Beqja (në rreth djathtas)
Mungesën e tij në këtë listë nuk e konstaton vetëm opinioni publik apo opozita politike. Edhe gjyqtari i posaçëm që ka shqyrtuar kërkesat për masa sigurimi, Erion Bani, u ka sugjeruar prokurorëve që të marrin nën hetim dhe të vendosin nën akuzë edhe Ilir Beqjan. E pas tij, edhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.
Historia e thjeshtë
Historia e ngjizjes së koncesionit 100 milionë euro të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është shumë e thjeshtë dhe e ngjashme me një pjesë të madhe të procedurave koncesionare të zhvilluara gjatë mandatave qeverisës së Edi Ramës.
Ilir Rrapaj, një emigrant anonym në Itali, i cili prej vitit 2000 ka krijuar një sipërmarrje minimale ndërtimore në Peruxhia, papritur shndërrohet në “yllin e mbrëmjes”, në një aktivitet që zhvillon kryeministri Edi Rama në dimrin e vitit 2013, me mjekët shqiptarë në botë.
Rrapaj, dikur student për Mjekësi, u gjend në sallën ku ishin mbledhur shumë koka shqiptarë në fushën e mjekësisë, të thirrur nga Rama për të dëgjuar projektin e kryeministrit të sapo-mandatuar për rikthimin e bluzave të bardha në vend.
Ilir Rrapaj, tashmë sipërmarrës i vogël tullash e llaçi në Itali, siguroi foto me kryeministrin e me ministrin e Shëndetësisë.
Diçitura: “Foto 100 mln euro”, kryeministri Edi Rama dhe “bosi” i koncesionit të sterilizimit, Ilir Rrapaj
Pas këtyre fotove, ai krijon një kompani në Kosovë, “Investial LLC”. Në vitin 2015, kompania e tij gjendet në krye të një konsorciumi, ku bënin pjesë edhe tre shoqëri italiane (Tecnosanimed, Servizi Italia dhe U.Jet), i cili fitoi kontratën Kontrata (10 vjeçare) për “Shërbime të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile dhe furnizim me materiale mjekësore sterile”.
Ilir Rrapaj, i cili zotëronte 40 përqind të kompanisë koncesionare “Sani Service”, e krijuar nga bashkimi i shoqërisë së tij “kosovare” me tre italianet, nuk kishte as staf, as përvojë dhe, mbi të gjitha, as mundësi financiare për të marrë përsipër këtë kontratë.
Por ai fitoi kontratën 100 milionë euro, njëlloj si Mirel Mërtiri e Klodian Zoto fituan koncesionet për inceneratorët në Elbasan, Fier e Tiranë.
Diçitura: Akti i themelimit të kompanisë koncesionare “SaniService”
Skema është gati e njëjtë, kur anonimët sigurojnë kontrata të majme nga hiçi. Prej vitesh, në qendër të akuzave për korrupsion në këtë koncesion, por edhe në tre të tjerët e dhënë gjatë mandatit të parë të Rilindjes (Hemodializa, Check Up, Laboratorët), është Ilir Beqja.
Ai, deri më tani ka shpëtuar nga akuzat penale, në një hetim që SPAK-u duket se nuk ka aspak dëshirë e vullnet për ta vijuar.
Koncesioni i sterilizimit ka probleme të theksuara në procedurat paraprake, por edhe në zbatimin e saj. Sidomos në zbatimin e saj, ku koncesionari, me bekimin e strukturave spitalore, ka kryer dhe vijon të kryejë manovra skandaloze me faturimet. Të gjithë këto manovra janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të hartuar në vitin 2022.
Radiografia e KLSH
Në vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një audit në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), autoriteti i ngarkuar nga kontrata koncesionare për të kryer pagesat për shërbimin e sterilizimit të seteve kirurgjikale.
KLSH konstaton se kontrata koncesionare parashikon që setet kirurgjikale ndahen në tre nivele; kompleksiteti i ulët, kompleksiteti i mesëm dhe kompleksiteti i lartë, ku, natyrisht, fatura vjen vjen me progresion rritës sipas nivelit. Këtu, sipas KLSH-së, është abuzuar masivisht.
Nga përpunimi i të dhënave të administruara për vitin 2021, KLSH ka konstatuar se, për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale, të realizuar në të njëjtin spital apo spital tjetër, faturimi kryhet sipas kompleksiteteve të ndryshme, dhe për pasojë çmime të ndryshme.
“Kjo mënyrë aplikimi e nivelit të kompleksitetit gjatë zbatimit të kontratës, shkakton pasoja financiare shtesë, krahasuar me efektin e përdorimit të kompleksitetit më të ulët të mundshëm, e lidhur kjo me çmimin përkatës”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Diçitura: KLSH zbulon manovrat financiare me faturat e seteve kirurgjikale
Më tej, audituesit shtetërorë janë detaje me shifra. “Në këtë kuadër, kanë rezultuar 21,174 raste, në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i mesëm dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë, si dhe janë 4,725 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet të lartë, megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje kirurgjikale është faturuar si kompleksitet i mesëm. Në se për këto ndërhyrje do të përdorej kompleksiteti i mesëm, do të ulej financimi i kësaj kontrate për 87,318,000 lekë me TVSH”.
Gjithashtu, sipas KLSH-së, në total paraqiten 16,710 raste, në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i ulët dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë apo kompleksitet i mesëm.
“Nga auditimi konstatohet se janë 5,924 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet i lartë dhe 8,057 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet i mesëm megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje është faturuar si kompleksitet i ulët. Në se për këto ndërhyrje do të përdorej niveli i ulët i kompleksitetit, financimi kësaj kontrate do të ulej me vlerën 81,214,560 lekë me TVSH”, thuhet në raport.
Kufizim për pacientët
Nga auditimi mbi zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se nuk ekziston një protokoll i saktë i ndërhyrjeve/seteve, numri i seteve në aneks kontratë dhe faktit sipas diagnozave të aplikuara.
Diçitura: Pjesë nga raporti i KLSH-së në vitin 2022 për koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale
“Është ndryshuar numri i instrumenteve në sete në vite edhe për të njëjtën diagnozë/ndërhyrje, ka raste që janë aplikuar dhe paguar 2 dhe 3 nivele kompleksiteti, duke sjellë mosrespektim të tavanit buxhetor, zhbalancim në buxhet, me pasojë kufizimin e ndërhyrjeve për pacientët”, thonë audituesit shtetërorë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post