Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët, përgjatë ditës së sotme, u shpreh se krimi i organizuar në të gjitha rrafshet, ka njohur një revansh të paparë dhe mund të themi se gushti ishte muaji i krimit.
Gjithashtu, Berisha theksoi se Bajrajt u liruan me ndihmën e Kondilit dhe Nakuçit. Krimi është në revansh për shkak të ministrit Taulant Balla.
“Gushti ishte muaji i krimit sepse si kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, në krye të Ministrisë së Rendit vendoset politikani me lidhje të certifikuara nga organet ligjzbatuese të Shqipërisë dhe ndërkombëtare më të fuqishme me bandat dhe ky është Taulant Balla.
Përveç denoncimeve ndaj tij në sallën e gjyqit si porositës vrasjesh, përveç regjistrimeve të tij me bandat, Taulant Balla është njeriu i dy telefonave.
Në parlament, jo një herë, por disa herë, ai është paraqitur me dy telefona, çka më ka detyruar mua, të denoncoj telefonat që i mbanin si vegla elektronike në duar.
Taulant Balla ka komunikime konkrete me eksponentë kryesorë të krimit ndërkombëtar.
Ishte një muaj revanshi për krimin sepse me vendosjen në krye të ministrisë së krimit, Behar Bajri dhe Denis Bajri u zhdukën- dy vrasësit e organizatës kriminale të Pëllumb Gjokës dhe Edi Ramës.
Mos harroni se ka një histori me këta: dosja e tyre vjen në Tiranë para dy vitesh. Në fakt ata i arreston një prokuror i guximshëm në Shkodër. Ai u përjashtua me shpejtësi nga prokuroria me veting. Dhe dy prokurorët që kanë kaluar vetingun, Kondili dhe Nakuçi, lan duart me dosjen dhe ia çuan për kompetencë Xhevahirit, që ishte ushtar i Pëllumb Gjokës.
Kjo është e vërteta. Dhe natyrisht Xhevahiri i Shkodrës, brenda muajsh i nxori vrasësit nga burgu.
Operacioni Metamorfoza dështoi sepse 60 përqind e personave nuk u arrestuan, sepse vrasësit nuk u arrestuan.”, tha Berisha.
Berisha i bëri thirrje Komisionit Evropian që të dërgojë një ekip, në të cilën të zbardhen bisedat me grupet kriminale të politikanëve.
” I bëj thirrje Komisionit Evropian të dërgojë një ekip, në të cilën të zbardhen bisedat me grupet kriminale të politikanëve. Kushti i parë, të publikohen emrat e cdo personi të politikës dhe jo politikës që kanë mbajtur telefona të kriptuar, për qëllime kriminale.
Publikimi i këtyre të dhënave ka një rëndësi kolosale se këtu nuk ka hetim, këtu do fillojë bixhozi me të dhënat e transkriptuara. Kurse publikimi i tyre do të njohë shqiptarët me anën më të zezë të atyre që krimin e shndërrojnë në votë dhe votën e shndërrojnë në krim. Ndaj duhet të ishte kjo një ndihmë e madhe. Çfardo që të bëjnë partnerët tanë, nëse ne nuk ngrihemi në protesta të fuqishme për të përmbysur këtë regjim të bazuar në krim drogën, korrupsionin vrasjet të ardhme në këtë vend nuk ka”, tha Berisha.
Discussion about this post