Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për gjykim të zakonshëm në procesin për tragjedinë e Gërdecit, duke u tërhequr nga vendimi i marrë më parë për gjykim të shkurtuar.
Më 22 shtator gjykata do ta rifillojë procesin nga e para ku pritet të lexohet kërkesa për gjykim e prokurorisë e më pas, do të dëgjohen avokatët për përballjen gjyqësore me prokurorinë për çdo faqe të dosjes.
Vendimi i gjykatës për proces të zakonshëm u prit mirë nga avokati i familjarëve të viktimave të Gërdecit.
“Jemi dakord, gjykimi i zakonshëm shërben për sqarimin e pozicionit të gjithësecilit, përfshirë edhe zyrtarin më të lartë, që ka qenë ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Por procesi në këtë mënyrë do të zgjasë, janë mbi 24 mijë faqe materiale” tha avokati Daniel Matlija
Më herët ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu paraqiti në Gjykatën e Posaçme një listë prej 90 dëshmitarësh të cilët kërkon të merren në pyetje.
Lista nis me ish.zv.sekretarin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes Gordon England, dhe vijon me ish-ministra të mbrojtjes në Gjermani e Itali, ish-zyrtarë të NATO-s në Tiranë, ish-ministra të mbrojtjes në qeverinë shqiptare, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ushtrisë.
Pyetjen e këtyre personave mbrojtesit e Mediut e argumentojne me faktin se deshmitaret mund të shpjegojnë nevojën e demontimit të municioneve dhe reformimin e forcave të armatosura. Përfaqësuesi i familjeve të viktimave të Gërdecit, tha se disa nga emrat në listë duket sikur po thirren për të shpjeguar pse nevojitej demontimi, në një kohë që gjyqi ka objekt pasojat e këtij procesi.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Emrat e thirrur si dëshmitarë nga Mediu
Pandeli Majko, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes sepse ai ka miratuar dokumentet kryesore të sigurisë, urdhrat për menaxhimin e municionit të tepërt dhe shkatërrimin e tyre. Gjithashtu është përgjegjës për kontratën me kompanitë private të financuara nga donatorët për demontimin.
Besnik Mustafaj, në cilësinë e ish-ministrit të Jashtëm nga viti 2005 deri në vitin 2007. Ky i fundit ka qenë i ngarkuar për koordinimin e Komisionit Ndërministror të Integrimit në NATO, në përgatitjen dhe implementimin e detyrimeve të MAP (plani i detyrimit për anëtarësimin), si dhe negociatori kryesor në Këshillin e Atlantikut në Bruksel.
Ridvan Bode, në cilësinë e ish-ministrit të Financave për periudhën 2005-2013. Ai ka qenë pjesë e miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.138 / 2007 për demontimin e municioneve të tepërta, si dhe miratimin e vlerësimin e buxhetit të mbrojtjes në kuadër të anëtarësimit në NATO.
Aldo Bumçi, në cilësinë e ish-ministrit të Drejtësisë në kohën kur u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave për VKM nr.138/2007 për demontimin e municioneve.
Mimi Kodheli, në cilësinë e ish-ministres së Mbrojtjes për periudhën 2013-2017, periudhë në të cilën ka vazhduar procesi i demontimit.
Besnik Baraj, si ish-zv. ministër i Mbrojtjes, të cilit i janë deleguar kompetenca në nënshkrimin e marrëveshjeve me partnerët për kryerjen e demontimit.
Myqerem TAFAJ, ish-Sekretar i Pergjithshëm i Këshillit të Ministrave, i cili ka koordinuar proceset ndërmjet ministrive për vendimmarrje të qeverisë, përfshi edhe VKM 138/2007 për demontimin.
Bahri SHAQIRI, ish- Drejtori SHIK, i cili ka pasur detyrë për ndjekjen e veprimtarive që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. SHAQIRI thirret të dëshmojë për informacione apo akte të mundshme në Gërdec të deklaruara prej tij pranë Këshillit të Sigurisë në mbledhjen e datës 21.03.2008.
Ahmet PREMÇI, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në periudhën e ngjarjes së Gërdecit, i cili thirret të dëshojë për informacione dhe rezultate hetimi lidhur me veprimtari kriminale në Gërdec.
Si dëshmitarë janë ftuar edhe zyrtarë ndërkombëtarë.
Gjeneral Major Vito DI VENTURA, ish-Komandant i Shtabit të NATO-s për Tiranën për periudhën 2005-2006. Z.VENTURA ftohet të dëshmojë në Gjykatë rreth bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës së drejtimit të NATO-s në Tiranë, në kuadër të plotësimit të detyrimeve për anëtarësi në NATO; plotësimet e detyrimeve të MAP dhe PARP, raportet civilo-ushtarake; municionet dhe armatimet e tepërta, si dhe angazhimin e NHQ Tiranë në koordinimin me përfaqësi diplomatike të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë, për të mbështetur FA në demontimin e municioneve të tepërta.
Gjeneral Brigade Georgios MOUROUTSOS, Gjeneral Brigade, ish- Komandant i Shtabit të NATO-s për Tiranën për periudhën 2006- 2007.
Z.MOUROUTSOS ftohet të dëshmojë në Gjykatë rreth bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës së drejtimit të NATO-s në Tiranë në kuadër të plotësimit të detyrimeve për anëtarësi në NATO; plotësimin e detyrimeve të MAP dhe PARP edhe në fushën logjistike, municionet e tepërta, raportotet civilo-ushtarake; municionet dhe aramatimet e tepërta, si dhe koordinimin me përfaqësi diplomatike të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë, për të mbështetur FA në demontimin e municioneve të tepërta.
Kolonel Louis L. BOROS dhe Z.Gregory CANNATA, drejtues të ekipit CUBIC, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, të zgjedhur nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes për reformat dhe modernizimin e FA nga viti 2006 deri në 2013
Z.BOROS dhe Z. CANNATA thirren të dëshmojnë për vlerësimin e situatës të depove të armatim municionit dhe propozimet që ata kanë bërë me Shtabin e Përgjithshëm dhe me Zyrën e Kryeministrit, takimin më 28.02.2008 me Shtabin e Përgjithshëm për cështjen e demontimit; marrëdhëniet me Ministrin MEDIU dhe me Shtabin e Përgjithshëm; takimin me Kryeministrin dhe Ministrin MEDIU më 14 Mars (1 ditë para shpërthimit) për situatën e armatim municionit, si dhe praktikat e demontimit mbas ngjarjes së Gërdecit.
Gjeneral Major Buzz KIEVENAAR, ish-Drejtues i ekipit SAIC, i zgjedhur nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nga viti 2001 deri në 2006 për modernizimin e FA.
Z. KIEVENAAR ftohet të dëshmojë për vlerësimin e situatës së armatimeve dhe municioneve të bërë në vitin 2001 nga DOD(Departamenti i Mbrojtjes) me kompaninë SAIC të cilën ai drejtonte, hartimin e strategjisë ushtarake; ligjin për pushtetet dhe autoritet në FA dhe përgjegjësinë civile dhe ushtarake.
Për të dëshmuar për Fatmir Mediun janë ftuar dhe shtetasit e huaj, përfaqësues të kompanisë SAC:
Patric Corneilous Henry
David Clark Howell
Sidney Tison Mac Intyre,
William Merrit Hart,
Sodney Spencer Taylor
Këta dëshmitarë duhet të pyeten dhe të sqarojnë të gjitha rrethanat e çështjes dhe detyrat që kryenin.
Discussion about this post