Albpetrol merret me kërkimin, zhvillim, prodhim, trajtimin, transportin, magazinimin dhe shitjen e naftës bruto, gazit dhe rërave bituminoze brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë. Por, në një kohë kur qytetarët në vend po e blejnë karburantin më shtrenjtë se rajoni dhe Europa, pavarësisht se jemi një vend prodhues, Albpetrol po abuzon çdo ditë me procesin e shitjes së naftës bruto.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se vetëm me manovrat që ka bërë në dy vitet e fundit, ku edhe çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, drejtori i Albpetrol ka mundur të zhvatë 5.8 milionë dollarë në bashkëpunim me kompanitë private.
Sipas raportit të KLSH, Albpetrol u zbret kompanive vendase shpenzimet e eksportit, pra e regjistron si naftë që kalohet jashtë vendit. Kur në fakt, në shumë raste nuk ka asnjë kompani të huaj që ka blerë naftë nga Albpetrol.
“Grupi i ekspertëve bën llogaritje të ndryshme për transportin me autobote në një port të caktuar, ngrohjen e naftës gjatë rrugës, siguracionin, magazinimin në port, shpenzime shkarkimi etj, duke rezultuar me një ulje në çmimin që duhet të paguajë Operatori Ekonomik fitues i ankandit të shitjes së naftës. Pjesa më e madhe e shpenzimeve që ulen nga çmimi i shitjes janë fiktive pasi nuk ndodhin se shitjet e naftës janë kryer në operatorë ekonomikë vendas dhe nuk ka pasur shoqëri të huaja që janë shpallur fitues të ankandeve”, thuhet në raportin e KLSH.
Në këtë mënyrë duke shfrytëzuar rreth 100-120 mijë tonë naftë nga prodhimi i puseve të Albpetrolit, apo nga nafta që u merr kompanive koncesionare, të cilat shfrytëzojnë vendburimet e naftës, drejtori i Albpetrol krijon terrenin për përfitime dhe përvetësime, sigurisht bashkë me kompanitë private.
Kompanitë e bashkëpunimit
Në raportin e KLSH publikohen edhe tre raste ku Albpetrol iu ka shitur naftë disa kompanive vendase, duke iu zbritur shpenzimet e eksportit dhe duke e regjistruar sikur transaksioni është kryer me firma të huaja.
Konkretisht bëhet fjalë për 40 mijë ton naftë të shituara në vitin 2021 tek kompanitë “R.B.H Beline” sh.a., e cila zotëron një rafineri në Cerrik dhe Al Global Oil, e cila zotëro Uzinën Bitumit në Fier.
Për të dyja është bërë ulja e shpenzimit për shërbim që në fakt nuk është kryer, duke shkaktuar 8.5 mijë dollarë humbje.
Rasti tjetër është një bashkëpunim me firmën “Europetrol Durrës Albania”, e cila ofroi çmimin 73.3 për qind e Brent minus 3.6 USD për barrelë, për 100 mijë ton naftë. Zbritja e çmimit me 3.6 dollarë për fuçi ka shkaktuar një dëm prej 2.3 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit.
Dhe rasti i tretë është për shitjen e 120 mijë ton naftë e marrë nga firmat “Europetrol Durrës” dhe “R.B.H Beline” sh.a., Elbasan, ku është bërë zbritja e nevojshme për çdo fuçi nafte dhe ka sjellë një dëm ekonomik me vlerë 2.6 milionë dollarë.
“1, Në procedurën për sasinë 40,000 ton e fituar nga Bashkimi i Operatorëve Ekonomik Shoqëria “R…E” sh.a., Elbasan, dhe “A…L” sh.a., Tiranë, vlera e shpenzimeve jo të kryera ishte 3.55 USD/bbl për 40,000 ton, duke arritur në shumën 859,000 USD.
2, Në procedurën për shitje naftë bruto me sasi 100,000 ton, me fitues “E…A”, vlera e shpenzimeve jo të kryera ishte 3.6 USD/bbl, për sasinë 100,000 ton, është në 2,307,000 USD.
3, Në procedurën për shitjen e 120,000 ton naftë bruto, me fitues BOE “E…A” sha, dhe “R…E”sha, vlera e shpenzimeve jo të kryera arrin në 2,630,000 USD. Vlera 5,797,000 USD përbën të ardhura të munguara për shoqërinë Albpetrol sha”, thuhet ne raport.
Përfituesi, Frident Kuqi
Nga e gjithë kjo skemë abuzive e Albpetrol përfituesi që ka marrë naftë me çmim të ulët është Frident Kuqi.
Konkretisht firma EUROPETROL DURRES ALBANIA është me 100% të aksione në pronësi të tij. Firma njihet gjithashtu për skema të tilla duke përdorur licencën që ka.
Ndërkohë edhe firma Al Global Oil është në pronësi të EUROPETROL GROUP, që zotërohet nga Frident Kuqi.
Kjo e fundit në njërin prej ankandeve ka bashkëpunuar me firmën “R.B.H Beline” sh.a., Elbasan, që administrohet nga Dionis Likometa. Këto janë lojëra të Kuqit, ndërsa duket qartë që vorbulla është thurur mes atij dhe drejtorit të Albpetrol.
Tre drejtorët e Albpetrol që kanë abuzuar
Përgjegjësia është pjesa më pak e vlerësuar në raportet e auditimit të KLSH. Nga ky kontroll ku zbulohen afro 6 milionë dollarë dëme buxhetit të shtetit, nuk del asnjë kallëzim penal, madje as ndonjë rekomandim për shkarkim të drejtuesve të kompanisë Albpetrol.
KLSH e cila duhej të informonte SPAK-un, e ka nxjerrë auditimin për këtë periudhë me shumë vonesë dhe pasi administratori është çuar në burg nga prokuroria.
Gjatë periudhës që auditohet ka pasur lëvizje drejtorësh që korrespondojnë me tenderat e shitjes së naftës bruto. Në këtë periudhë ishte drejtor i përgjithshëm (administrator) Florian Muçaj. Për shkak të lëkundjeve tektonike politike në Ministrinë e Ballukut, ky u shkarkua në muajin prill 2022. Në krye erdhi Klejdi Cenmurati. Ai kishte punuar më parë këshilltar i Bankers petroleum, që vazhdimisht nuk i paguan taksat shtetit dhe detyrimet që i ka Albpetrolit. Cenmurati zëvendësoi drejtoreshen e komanduar për një muaj, Alketa Hila.
Pas katër muajsh shkarkohet nga detyra drejtuesi i kompanise Klejdi Cenmurati dhe në krye vjen sërish Florjan Muçaj.
Alketa Hila u bë zyrtarisht drejtoresha e re e Albpetrol, pas arrestimit të Florian Muçës nga SPAK, si i përfshirë në aferën e inceneratorëve. Hila më herët ka mbajtur postin e drejtoreshës së Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësorë.
Florian Muçaj është një prej personave të afërt të eksponentëve të lartë socialistë në Fier dhe është emëruar drejtor kudo ku janë paratë, si në Ujësjellës, prokurimet në Bashki etj. Ai u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, dhe korrupsionit, pas hetimeve të SPAK për inceneratorin e këtij qyteti.
Florian Muçaj ka qenë më parë anëtar i Komisionit të Prokurimit për incineratorin e Fierit është një nga 20 personat për të cilët ishte lëshuar urdhër arrest pasi akuzohet si i përfshirë në korrupsion. Muçaj është thirrur për tu marrë në pyetje nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët, por nuk ka pranuar tu përgjigjet pyetjeve të deputetëve.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post