Lulzim Meçani ishte nisur nga Shqipëria për të punuar me transportin e fruta-perimeve në Hungari, por gjërat nuk i shkuan siç ai kishte menduar.
Meçani ishte nisur për Hungari më 11 Shtator 2023 dhe mbërriti aty në datë 12. Ai ishte lidhur me një person të quajtur Enea Piktiu që e ndihmoi për të shkuar të punonte në Hungari.
Por, teksa fliste shpesh në telefon me bashkëshorten e tij në Durrës, ai i shprehte pakënaqësinë për punën pasi nuk ishte ajo që shpresonte.
Pas disa ditësh ai humbi kontaktet me familjen.
Në një intervistë për emisionin Uniko në Klan Plus, bashkëshortja e Lulzim Meçanit tregon se burri i dukej i frikësuar në telefon dhe kërkonte që të kthehej në Shqipëri por nuk e lejonin personat me të cilët ishte lidhur për të shkuar për të punuar.
“Ai kur merrte në telefon fliste me shumë frikë. Nuk zgjaste shumë telefonata, shumë pak, me një fytyrë tjetër, nuk kishte qetësi shpirtërore”, thotë gruaja.
Kjo e fundit bisedoi me Enea Piktiun, personin që e dërgoi në Hungari Lulzim Meçanin. Ai i dha kontaktin e një shqiptari tjetër në Hungari me të cilin duhet të bisedonte. Ky person ishte Jani Demolli.
“Fola me atë dhe i thashë a ka mundësi burrin tim të ma ktheni në shtëpi dhe pse duhet me marr leje nga ju, megjithatë i thashë nuk i vë shumë re kësaj gjëje, unë dua burrin tim në shtëpi. Ai më është përgjigjur, si e do burrin, siç ka ardhur apo tjetërsoj? Kur më ka thënë kështu nuk u ndjeva mirë për momentin. Diçka më vrau në shpirt sepse nuk m’u duk gjë e arsyeshme kjo. Edhe telefonatat e atij më kishin mërzitur shumë, por kjo gjë më ka mërzitur më shumë. Thashë unë e dua burrin siç ma keni marrë të ma sillni.
Ne prapë ju përulemi që ju të ma sillni burrin në shtëpi. Në rregull tha, nesër e keni në shtëpi. Erdha në shtëpi, në shtëpi e mora në telefon burrin tim, i thashë kam folur me atë Janin, unë nuk e njoh se kush është Jani, por ti do vish nesër. Ai më tha, gjallë e vdekur unë nesër jam në shtëpi. Nuk i ka pëlqyer kjo punë, ka kuptuar diçka që ishte në rrezik. Pastaj në tetë e gjysmë ishte telefonata e fundit që tha që unë gjallë a vdekur do vij në shtëpi dhe nuk folëm më”, tregon bashkëshortja e Lulzim Meçanit. /TV Klan/
Discussion about this post