Duke deklaruar se udhëheqja amerikane “mban botën së bashku”, presidenti Joe Biden u tha amerikanëve se shteti duhet të thellojë mbështetjen e tij për Ukrainën dhe Izraelin në kohën kur këto dy vende po përballen me luftëra të përgjakshme.
Biden e pranoi se këto konflikte “duket se janë larg”, por gjatë adresimit nga Zyra Ovale udhëheqësi amerikan tha se ato mbeten “jetike për sigurinë kombëtare të Amerikës”, përderisa ai është përgatitur t’i kërkojë Kongresit amerikan miliarda dollarë për mbështetje ushtarake për këto dy shtete.
“Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk e paguajnë çmimin për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk e paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos, vdekje dhe shkatërrim”, tha Biden. “Ata nuk ndalen dhe çmimi i kërcënimit për Amerikën dhe botën vazhdon të rritet”.
Biden tha se do të dërgojë një kërkesë urgjente për financim në Kongres për të dy aleatët e SHBA-së të përfshirë në luftëra.
“[Grupi militant palestinez] Hamas dhe [presidenti rus, Vladimir] Putin paraqesin kërcënime të ndryshme, por ata kanë këtë të përbashkët: Që të dy duan të zhdukin një demokraci fqinje”, tha Biden, duke shtuar se fondet për Izraelin dhe Ukrainën “janë një investim i mençur” që do të “paguajnë dividendë për sigurinë amerikane për gjenerata të tëra”.
Para adresimit nga Zyra Ovale, Shtëpia e Bardhë tha se Biden ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ka ripërsëritur mbështetjen e Uashingtonit për Kievin i cili po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar. Ndërkaq, Biden qëndroi në Izrael më 18 tetor për të shprehur mbështetjen e shtetit të tij, pasi militantët e Hamasit nisën sulmet e koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor, gjë që çoi në një kundërpërgjigje të ashpër të këtij të fundit.
Kërkesa për fonde për mbështetjen e Izraelit dhe Ukrainës – që sipas burimeve të mediave amerikane do të jenë afër 60 miliardë për Ukrainën dhe 14 miliardë për Izraelin – vjen pasi së fundi administrata Biden ka paralajmëruar se po mbaron koha për të parandaluar që Ukraina të humbë fuqinë në fushëbetejë, teksa po vazhdon kundërofensivën e saj rraskapitëse kundër forcave ruse.
Ivo Daalder, ish-ambasadori i SHBA-së në NATO, aktualisht shef ekzekutiv i Këshillit të Çikagos për Çështje Globale, i tha Radios Evropa e Lirë se me lidhjen e ndihmës për Izraelin dhe Ukrainën, Biden ia ka bërë më të vështirë Kongresit që të refuzojë pakon e ndihmës. Kjo ndihmë, që pritet të miratohet, “minon edhe një herë llogaritë e Vladimir Putinit se Perëndimi është buzë kolapsit kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës”.
“Nëse jetoni në Rusi, ju e kuptoni se Ukraina nuk do të shkojë askund, se ata do të kenë aftësi të vazhdueshme për të luftuar”, tha ai.
Presidenti Biden tha se dështimi për të mbështetur Ukrainën dhe Izraelin, do të rrezikojë sigurinë e SHBA-së dhe statusin e saj si “një partnere që shtete e tjera do të donin të punonin me të”.
“Për të rrezikuar gjithçka, nëse ne ndërpresim mbështetjen për Ukrainën, nëse ia kthejmë shpinën Izraelit, thjesht nuk ia vlen”, tha Biden.
Ai shtoi se marrja e vendimeve gjatë kohës kur zhvillohen luftëra “kërkon që të bësh pyetje të vështira” dhe kërkon “qartësi lidhur me objektivat dhe nëse rruga në të cilën je do të çojë tek objektivat”.
Presidenti amerikan theksoi se që kur ka nisur pushtimi i Ukrainës, Putini dhe ligjvënës të tjerë të lartë rusë kanë kërcënuar Poloninë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë, që janë shtete të NATO-s. Biden tha se nëse Moska kryen ndonjë sulm ndaj këtyre shteteve, apo ndonjë anëtari tjetër të aleancës, SHBA-ja “do të mbrojë çdo centimetër të NATO-s”.
“Ne nuk duam që trupat amerikane të luftojnë në Rusi apo kundër Rusisë. Nuk mund të lejojmë që terroristët sikurse Hamasi apo tiranët sikurse Putini të fitojnë. Refuzoj të lejoj që kjo të ndodhë”, tha Biden gjatë adresimit nga Zyra Ovale.
SHBA-ja është mbështetësja më e madhe e Ukrainës, duke i dërguar deri më tani ndihma ushtarake në vlerë prej 40 miliardë dollarësh. Ndërkaq, zyrtarët amerikanë kanë thënë se do të sigurohen që Izraeli të ketë gjithçka që i duhet për të mbrojtur veten, pas sulmit të Hamasit që ka lënë 1.400 izraelitë të vrarë. Po ashtu mbi 2.800 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës nga sulmet hakmarrëse të Izraelit./REL
Discussion about this post