Armaldo Kllogjeri mbylli sonte rrugëtimin e tij në “Dancing With The Stars”, pasi rezultoi konkurrenti më pak i votuar nga juria dhe publiku.
Dy artistët me numrin më të ulët të votave ishin Armaldo dhe Ronaldo, të cilët herë pas herë kanë shprehur dëshirën që konkurrenti të eliminohet para tyre.
Armaldo shpresonte që të linte garën pas Ronaldos, ndërsa Ronaldo synonte që “të paktën Armaldo të dilte para tij”. Por, për këtë vendos juria dhe publiku, dhe duket se performanca e Armaldos sonte ishte më pak e pëlqyera.
Ndërkohë, për herë të parë në këtë sezon, u bënë publikë dy konkurrentët me më shumë vota nga juria dhe publiku. Roerdi dhe Juliana rezultuan dy artistët më të pëlqyer në javën e katërt të “Dancing With The Stars”.
Por përveç lajmit të bukur, atyre iu dha një mundësi zgjedhjeje që mund të ndryshojë fatin e artistëve. Roerdi dhe Juliana, të ndarë në dy grupe të ndryshme, zgjodhën se kë duan të kenë në skuadrën e tyre. Konkurrentët e grupit që humbet javën e ardhshme, do të jenë në rrezik për t’u eliminuar.
Grupi i Roerdit dhe Ensës:
Arnita dhe Eni
Sardi dhe Erisa
Enxhi dhe Silvester
Elvis dhe Jora
Irgen dhe Joana
Grupi i Julianës dhe Dionit:
Atalanta dhe Luixhino
Odeta dhe Eni
Fifi dhe Graciano
Ina dhe Eltion
Ronaldo dhe Frenki
13 konkurrentët e “Dancing With The Stars” dhuruan emocione sonte me perfomancat e tyre, teksa kishin zgjedhur vetë këngët që do të kërcenin.
Irgen Çela erdhi me një cha cha nën ritmin e këngës së Rihanës, “Please don’t stop the music”. Pavarësisht se për Valbona Selimllarin performanca ishte shumë e bukur, pati shumë kritika nga anëtarët e tjerë të jurisë, që në fund e vlerësuan me 26 pikë.
Roerdi dhe Ensa dhuruan një performancë që u shoqërua me duartrokitje nga publiku dhe emocione të shumta.
Olta Gixhari u prek shumë nga kërcimi, derisa një moment nuk i mbajti lotët dhe përgëzoi konkurrentin. Roerdi mori pikët më të larta të mbrëmjes nga juria, plot 36 pikë.
Elvis Pupa “rrëmbeu” zemrat e jurisë me pasadoblen e kësaj jave.
Olta Gixhari mbeti e kënaqur nga performanca, aq sa e konsoderoi më të mirën të bërë nga ai deri më tani. Edhe anëtarët e tjerë të jurisë patën opinione pozitive për kërcimin, që u vlerësua me pikët më të larta të dhëna dyshes Elvis-Jora, 30 pikë.
Atalanta Kërçyku na çoi sonte te zanafilla e mëkatit me rumba-n e saj.
Moderatorja shfaqi sensualitetin në çdo hap dhe duket se “futi në kurth” partnerin, Luixhinon, që e bindi të hajë mollën e mëkatit. Kërcimi kulmoi me një padjeshkë të realizuar më së miri. Performanca u vlerësua me 31 pikë.
Armaldo Kllogjeri kërceu nëm ritmet e këngës së tij, “O jetë”, që solli atmosferë në skenë, por edhe shumë kritika nga juria për hapat e quick step-it. Ai mori 21 pikë dhe menjëherë më pas, debatoi me Lorin dhe Ilirin, madje iu drejtua duke u thënë “po lini nam”, lidhur me faktin që dy anëtarët e jurisë vlerësojnë me pikë të ndryshme.
Kërcimi latin i Ronaldo Sharkës nuk u prit mirë nga juria, që e kritikoi gazetarin duke vënë në dukje se ai ka sjellë të njëjtin zhanër kërcimi në të katërta netët e Dancing, ndërkohë që e vlerësoi me 20 pikë.
Eni Shehu erdhi ndryshe me një vals, që i dha të tjera ngjyra kërcimeve të tij që prej natës së parë të startimit të “Dancing With The Stars”.
Ai pati një sinkronizim të mirë me partneren e tij, balerinën Odeta Dishnica, por kryetari i jurisë Ilir Shaqiri pati shumë kritika. “Valsi” që iu dedikua zemrave të thyera dhe dashurive te pamundura, nuk i shpëtoi syrit kritik të kryetarit të jurisë, që në fund i dha 28 pikë.
Fifi dhe Graciano erdhën sonte me një charleston energjik. Juria vlerësoi energjinë e Fifit, por Valbona Selimllari i kërkoi të guxojë më shumë dhe të dalë nga zona e komfortit: “Performanca ishte e bukur, korrekte, me emocion. Graciano, duhet ta nxjerrësh nga zona e komfortit Fifin“. Ata grumbulluan 30 pikë nga katër anëtarët e jurisë.
Ina dhe Eltioni erdhën me një pasodoble, e cila arriti të vlerësohej pozitivisht nga juria, por nuk munguan as kritikat. Pas komenteve, konkurrentja kritikoi veten, duke u shprehur se nuk dha më të mirën.
Në fund, Ina dhe Eltioni morën 27 pikë në total nga juria.
Sardi Strugaj erdhi me një cha cha nën ritmin e këngës “Makeba”. Performanca e këngëtarit aq sa u pëlqye nga Olta Gixhari, aq edhe u kritikua nga kryetari i jurisë, Ilir Shaqiri. Çifti grumbulloi 28 pikë, nga 30 pikë që morën natën e shkuar.
Mbrëmja ishte e mbushur me emocione të forta për Julianën, e cila dhuroi një performancë shumë të mirë, nën kujtime të forta të luftës në Kosovë.
Juliana dhe Dion kërcyen një foxtrot, që mori komente pozitive dhe u vlerësua me 33 pikë.
Regjisorja Arnita Beqiraj erdhi me një kontemporane nën tingujt e këngës “Lose Control” nga Teddz Swims, me një domethënie shumë të veçantë.
Ajo tregoi mes lotësh se e zgjodhi këngën pasi ka momente të tilla kur njeriu mendon se humbet kontrollin kur largohen persona aq të rëndësishëm, sa gjyshja e saj e ndjerë të cilës i dedikoi kërcimin. Për performancën e saj në skenë, Arnita mori 30 pikë.
Enxhi Nasufi shpërtheu në skenë këtë herë me një ‘jive’ ritmik me partnerin e saj, Silvester Shuta. Juria vlerësoi hapat e Enxhit, por kritikoi saltron dhe padjeshkën e saj, duke i dhënë 31 pikë.
Discussion about this post