Dhjetëra kamionë kanë hyrë në Gazë, por punëtorët e ndihmës kanë deklaruar se dërgesa ende nuk plotëson kërkesat pasi mijëra persona hynë nëpër depo dhe morën miell dhe produkte të higjienës bazike.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i viktimave në mesin e palestinezëve ka kaluar 8.000 dhe shumica e viktimave janë gra dhe të mitur, ndërkohë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është duke u zhvilluar “faza e dytë” e luftës ndaj militantëve të Hamasit, pasi ata sulmuan Izraelin më 7 tetor.
Izraeli lejoi të dielën të hynin 33 kamionë që bartnin ujë, ushqime dhe ilaçe. Kamionët hynë nga pikëkalimi në Rafah, që lidh këtë territor me Egjiptin, tha zëdhënësi i këtij pikëkalimi, Wael Abo Omar për AP.
Kryeporkurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka vizituar pikëkalimin në Rafah dhe e përshkroi vuajtjen e civilëve si të “madhe”. Kryeprokurori Karim Khan tha se nuk është lejuar që të hyjë në Gazë. “Këto janë ditët më tragjike”, tha ai. Gjykata Ndërkombëtare Penale heton veprimet e Izraelit dhe autoriteteve palestineze që nga viti 2014.
Khan i bëri thirrje Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar. Ai tha se sulmi i 7 tetorit i kryer nga Hamasi përbën shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Më 29 tetor, ushtria izraelite tha se ka shënjestruar mbi 450 caqe të militantëve, përfshirë edhe qendra komanduese të Hamasit, duke thënë se kanë vrarë dhjetëra militantë.
Ushtria izraelite tha se operacionet tokësore në Gazë janë intensifikuara dhe u bëri sërish thirrje banorëve që të largohen nga veriu për në jug të Gazës.
Sipas Izraelit, shumica e banorëve në Gazë kanë respektuar urdhrin dhe janë larguar për në pjesën jugore të territorit të rrethuar, por qindra mijëra vazhdojnë të jenë në veri, pjesërisht për shkak se Izraeli po ashtu ka bombarduar caqe në të ashtuquajturat zona të sigurta. Mbi 1.4 milion banorë në Gazë janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Krahu ushtarak i Hamasit ka thënë se është përleshur me trupat izraelite që kanë hyrë në veriperëndim të Rripit të Gazës, teksa militantët palestinezë kanë vazhduar të gjuajnë raketa në Izrael, përfshirë edhe një raketë që është hedhur drejt Tel Avivit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar me Netanyahun të dielën dhe i ka shprehur atij “nevojën e menjëhershme për rritjen e dërgesave të ndihmave humanitare që të plotësohen nevojat e civilëve në Gazë”, ka njoftuar SHBA-ja. Autoritetet izraelite thanë se shumë shpejt do të lejojnë që më shumë ndihmë të hyjë në Gazë.
Ushtria izraelite që nga mbrëmja e së premtes ka thënë se ka zgjeruar operacionet tokësore në Gazë, duke synuar që të shkatërrojë Hamasin, pasi grupi militant vrau më shumë se 1.400 persona – shumica civilë – gjatë sulmit në jug të Izraelit më 7 tetor. /REL
Discussion about this post