Në rast të një krize tjetër si ajo që shkaktoi lufta në Ukrainë, ku shumë produkte u shtrenjtuan dhe të tjera mungonin në treg, qytetarët do të ishin tërësisht të pambrojtur.
Në një auditim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi “Rezervat materiale të shtetit në shërbim të qytetarit”, janë përgënjeshtruar të gjitha deklaratat e qeverisë që rezerva shtetërore për qytetarët është e garantuar.
Madje në auditim thuhet se institucionet nuk e kanë një vizion mbi rezervat materiale për përballimin e rreziqeve, çka e ekspozon vendin negativisht përballë çfarëdo emergjence që mund të ndodhë, si ajo e pandemisë COVID-19 apo si lufta në Ukrainë.
“Ministria e Mbrojtjes, si institucion politikë bërës, nuk ka një vizion të qartë për rezervën materiale të shtetit në përgjigje të përballimit të situatave me të cilat mund të përballet vendit dhe përmbushjen e misionit të saj. Mungesa e vizionit të qartë për rezervën materiale të shtetit cenon garantimin e nevojave të popullsisë në situata normale dhe të emergjencave civile. Kuadri ligjor dhe rregullator i pa përditësuar ndikon negativisht në ushtrimin e aktivitetit të institucioneve përgjegjëse për rezervën materiale të shtetit”, thuhet në auditim.
Skandal/ Rezerva e shtetit është bosh!
Gruri, produkt që në vitin 2021-2022 ishte në mungesë dhe çmimi i tij gati u dyfishua, nuk është në dispozicion të qytetarëve në rast nevoje, pasi rezervat shtetërore janë bosh.
Edhe pse është detyrim që rezerva shtetërore duhet të ketë minimalisht 300 tonë grurë në gjendje në çdo kohë, qeveria që propagandoi pa ndalur në vitin 2021-2022 ruajtjen e rezervave nga kompanitë private, magazinat e shtetit i ka lënë bosh. Që prej vitit 2019 deri në fund të vitit 2022, sipas auditimit të KLSH rezerva shtetërore e grurit ka qenë zero.
Rezerva shtetërore ka vetëm 1.5 ton miell!
Në magazinat e shtetit duhet të jenë minimalisht 30 tonë vaj ushqimor, 40 tonë sheqer, 40 tonë oriz, 30 tonë makarona, 2 tonë kripë, 200 tonë miell, 10 tonë konserva mishi apo 30 tonë fasule. Pra minimalisht rezerva e këtyre produkteve në total duhet të jetë 382 tonë.
Në asnjërin prej produkteve nuk është e garantuar rezerva e detyrueshme minimale. Në total në fund të vitit 2022 në magazinat e rezervave ndodheshin vetëm 9.8 ton vaj, 21.4 tonë sheqer, 21.2 tonë oriz, 20.7 tonë makarona, 0.8 tonë kripë, 1.5 tonë miell, 9.9 konserva mishi si dhe 8.8 tonë fasule. Rezerva ushqimore në total në fund të vitit 2022 për këto produkte ishte 94.1 tonë, ose rreth 288 tonë më pak se minimumi i përcaktuar.
Skandali i këtyre shifrave është i lartë, duke marrë në konsideratë që vetëm për shkak të mungesës së prodhimit vendas të grurit për të furnizuar popullatën dhe si rezultat i importit të madh të gruri, menjëherë pas luftës në Ukrainë çmimi i tij u dyfishua. Çmimi i miellit në vend për një kuintal kapërceu në 10 mijë lekë, ndërkohë që një bukë nëpër furra nga 70-80 lekë shkoi në 120 lekë.
Teksa inflacioni dhe çmimet konsiderohet rreziku kryesor edhe për vitin që vjen, qeveria mendon se një krizë tjetër mund ta përballojë me 0 tonë grurë apo vetëm 1.5 tonë miell.
Shqipëria e pasur me naftë, por rezervat private e shtetërore janë bosh!
Zbulimet e naftës në Shpirag por edhe fuçitë e naftës që nxirren në Patos-Marinzë e kthejnë Shqipërinë në një vend me pasuri të mëdha tokësore, por e varfër për shkak të keq menaxhimit.
Ligji i rezervave shtetërore e detyron qeverinë të ketë në magazinat e saj minimalisht 100 mijë litra naftë, por në fakt e vërteta është e kundërta. Auditimi ka zbuluar se rezerva shtetërore e karburantit është zero.
Menjëherë pas nisjes së agresionit rus, kryeministri Rama u shpreh se shteti do të krijonte rezervën e vet të naftës duke përdorur Albpertol, por kjo gjë u harrua.
“Ne si qeveri, ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës sot angazhohet për të krijuar rezervën e vet të naftës duke përdorur Albpertol për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija”, tha kryeministri në mars 2022.
Por përveç faktit që shteti nuk ka asnjë litër rezervë karburanti, nuk bëri as transparencë për rezervat e naftës të privatëve siç paralajmëroi Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e energjisë Belinda Balluku.
Më 11 mars të vitit 2022, ministrja Belinda Balluku gjatë takimit me furnizuesit e naftës ju kërkoi atyre të përmbushin detyrimin për të pasur rezervën e naftës për 3 muaj. Pra në rast të mungesës së produktit në tregun e huaj, kompanitë të kishin 3 muaj karburant të garantuar.
“Kërkojmë të përmbushet detyrimi i rezervave faktike që ju duhet të keni. Rezervat faktike dalin përmes një llogaritje që bëhet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes konsumit të shitjes që ju keni bërë në vitin pararendës. Rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës dhe të gazit natyror dhe nënprodukteve ët tyre janë të detyruara të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë mesatareje shitje, sasi që llogaritet duke u mbështetur në të dhënat dhe rezultatet faktike të veprimtarisë tuaj të vitit të mëparshëm”, u shpreh Balluku.
Madje për këtë kërkesë që u bë atëherë u tha se inspektorët do të dilnin në terren dhe kush nuk respektonte ligjin për rezervën e sigurisë rrezikonte licencën.
Por edhe ky paralajmërim u harrua, dhe kompanitë private si Kastrati, Gega OIL, EIDA apo kompani të tjera, vijuan të pa shqetësuar aktivitetin e tyre, me çmimet që ua caktonte shteti me fitim të garantuar. Edhe pse asnjëra prej kompanive që tregtojnë karburant në vend nuk e plotësoi rezervën e sigurisë.
“Kështu si po shkon puna, mund të vijë dita të mos ketë naftë, të mos ketë sasi, të mos ketë energji fare. Mund të mos ketë sasi fare. Duhet të përgatitemi për të gjitha sepse lufta nuk vjen për të bërë të mira, lufta vjen për të sjellë dhimbje”, tha Rama më 10 mars të vitit të kaluar.
Por të gjitha këto deklarata të qeverisë mbetën vetëm në fjalë, pasi në realitet rezerva si ajo shtetërore ashtu edhe ajo e ndërmarrjeve private nuk u realizua.
Në këtë mënyrë interesi i qytetarëve nuk u përmbush dhe as nuk u mbrojtën përballë çmimeve të larta të karburanteve, që mund të vijonin të rriteshin përderisa lufta nuk ka të ndalur, ndërkohë që tashmë rreziku është përsëri ekziston pasi ka nisur lufta mes Izraelit e Palestinës, që janë burim kryesor për naftën.
Qeveria nuk mbajti premtimin e rezervës së ushqimeve!
Në mes të krizës së inflacionit kryeministri Edi Rama u kërkojë importuesve të ushqimeve të garantojnë 3 muaj furnizim rezervë për ccdo skenar negativ, dhe nëse produktet ju mbesnin stok do ua blinte shteti. Por as ky premtim nuk është mbajtur përderisa rezerva është bosh.
Madje më 30 mars 2022, Rama ju tha importuesve të ushqimeve se për të rritur furnizimin me mallra në këtë kohë krize do miratohej një një garanci sovrane, ndërsa malli që do t’u mbetet stok, do të blihet nga shteti.
“Ne kemi vendosur garancinë sovrane, që ju të mund të merrni dhe ta përdorni me garanci të plotë të shtetit, çdo kredi për të marrë edhe më shumë furnizim se zakonisht, për ta pasur më afatgjatë me mirëkuptimin e shkruar që çdo gjë që do të mbetet do ta marri shteti. Nuk do t’iu mbetet e prashitur, s’do të humbisni paratë nga një investim me përgjegjshmëri sociale dhe jo thjesht biznesi për të qenë aty. Kjo është rezervë dhe shtetërore në të njëjtën kohë”, tha Rama.
Garancia u miratua në maj të vitit të kaluar, në vlerën 3 miliardë lekë, por as nga kjo ndihmë nuk u arrit krijimi i rezervës siç u tha.
Por për çfarë dhe si përdoret rezerva materiale?
Rezerva materiale e shtetit krijohet për të ndërhyrë në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Ato përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Rezerva materiale e shtetit në raste të mungesës apo krizave për mallra, të cilat kanë një impakt të rëndësishëm në jetën e qytetarëve, shërben si garantor, duke qenë se Shqipëria është një vend i varur nga importet e produkteve e për rrjedhojë e ekspozuar ndaj faktorëve të jashtëm të tregut.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post