Dy pandat gjigante, që i ishin huazuar kopshtit zoologjik të Edinburgut në Skoci prej 12 vjetësh po rikthehen në Kinë, pasi ka skaduar kontrata 10-vjeçare e nënshkruar me agjencinë e Pekinit që menaxhon këto kafshë. Lajmi bëri bujë por edhe shkaktoi shumë trishtim, sepse pandat ishin bërë të famshme.
Në fakt, ky është një fenomen që përsëritet pak a shumë kudo ku ka një kopsht zoologjik me ekzemplarë të huazuar. Mediat i ndjekin si të ishin yje kinemaje, duke i kushtuar reportazhe zakoneve të tyre dhe duke ndjekur hap pas hapi përpjekjet për t’i çiftuar apo përmes fekondimit artificial si në rastin e çiftit të Edinburgut.
Janarin e kaluar në portat e kopshtit zoologjik Ueno në Tokio të Japonisë, mbi 3 mijë njerëz ishin në radhë që në orët e para të mëngjesit për të përshëndetur Xiang Xiang, pandën femër të lindur atje në vitin 2017 nga një çift i huazuar, që me 2 vjet me vonesë për shkak të pandemisë, ishte gati të nisej tek një rezervat kinez.
Në fakt sipas kontratës, çdo pasardhës i ekzemplarëve të huazuar është pronë e Kinës. Pekini i ka përdorur për dekada pandat si një mekanizëm diplomatik. Herën e parë kjo ndodhi në vitin 1941, kur Soong Mei-ling, bashkëshortja e udhëheqësit të Republikës së Kinës Chiang Kai-shek, i dhuroi dy panda Kopshtit Zoologjik të Bronksit në Nju Jork, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që i dha SHBA-ja gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, Pekini filloi të refuzonte vazhdimisht kërkesat e vendeve kapitaliste për ta pasur këtë kafshë të veçantë. Kjo pjesërisht për t’i dhënë përparësi kërkesave të kombeve mike në emër të solidaritetit socialist dhe pjesërisht sepse në atë kohë pandat nuk jetonin në rezervate dhe kapja e tyre nuk ishte aq e thjeshtë.
Megjithatë, në vitin 1957, Kopshti Zoologjik i Pekinit i dërgoi Moskës një çift pandash si dhuratë për popullin sovjetik. Por një vit më pas, ata kërkuan të zëvendësonin njërin prej tyre, sepse kishin zbuluar se ishin që të dy meshkuj. I vetmi vend tjetër që mori panda kineze si dhurata në vitet 1950-1960 ishte Koreja e Veriut, ku 5 të tillë mbërritën në 20 vjet, por ngordhën para kohe.
Pekini i refuzoi për vite me radhë kërkesat këmbëngulëse të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë Perëndimore dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat ishin gjithashtu të gatshme të blinin ekzemplarë të kësaj kafshe të rrallë dhe përpiqeshin të anashkalonin rezistencën kineze duke i blerë ato në rrugë të tjera.
Një shembull është ai i arushës Qiqi, i riemërtuar më vonë Chi-Chi, që në vitin 1958 përfundoi në Kopshtin Zoologjik të Londrës. Atë vit, Kopshti Zoologjik Brookfield në Çikago iu drejtua një tregtari austriak të kafshëve, Heini Demmer, që arriti të merrte një ari panda nga Kopshti Zoologjik i Pekinit në këmbim të 3 gjirafave, 2 rinocerontëve, 2 hipopotamave dhe 2 zebrave.
Panda ishte Chi-Chi, e cila sapo ishte rikthyer nga Moska. Por hyrja e saj në Shtetet e Bashkuara u pengua nga një ligj tregtar për shkak të “prejardhjes së saj komuniste”. Ndaj Demmer e çoi Chi-Chi nëpër Evropë, derisa Kopshti Zoologjik i Londrës ra dakord ta blinte për 390.000 dollarë me kursin e sotëm.
Pas Chi-Chi, Perëndimit iu desh të priste udhëtimin historik të Richard Nixon në Pekin në vitin 1972 që të fuste një pandë në kopshtin e saj zoologjik. Robin Wright, një veterane e gazetarisë amerikane, që shkruan mbi ‘diplomacinë e pandave’ që nga viti 1978, thotë se në një moment gjatë vizitës, Zonja e Parë e SHBA-së Pat Nixon, pasi pa një panda të vizatuar në një kuti cigaresh, tha: “A nuk janë të lezetshme? Unë dua të kem disa prej tyre!”.
Kryeministri kinez, Zhou Enlai, u përgjigj se do ta lejonte të kishte disa. “Çfarë? Cigare?”- pyeti ajo. “Jo, panda” – ia ktheu Zhou. Është e vështirë të thuhet nëse shkëmbimi ndodhi vërtetë por 2 muaj më vonë në Uashington mbërriti çifti i parë i pandave dhe konkretisht në kopshtin zoologjik Smithsonian, që sot gjendet për herë të parë në 50 vjet pa asnjë nga arinjtë e veçantë bardh e zi.
Kontrata për strehimin e 3 ekzemplarëve të fundit skadoi dhe nuk u rinovua më, dhe të enjten qyteti u tha atyre lamtumirë. Fakti që edhe kopshteve të tjera zoologjike amerikane, të cilave Pekini u ka dhënë panda, nuk u janë rinovuar kontratat, është interpretuar si një pasojë e marrëdhënieve të vështira midis Uashingtonit dhe Kinës.
Dhe ky pretendim është i besueshëm. Tek e fundit, duke qenë se është një mjet diplomatik, Pekini e përdor atë sipas interesave të tij. Universiteti i Oksfordit, që ka kryer një studim mbi këtë çështje, vuri në dukje se të gjitha vendet ku Kina ka dërguar pandat e saj kanë marrëveshje tregtare me Pekinin.
Po pse Edinburgu kishte panda dhe Londra jo? Ndoshta, thonë studiuesit e Oksfordit, sepse Skocia ka burime natyrore që janë joshëse për Kinën. Tani për tani, Shtetet e Bashkuara do të mbeten pa panda, por diplomacia e arinjve panda vazhdon.
Në vitin 2019, Rusia mori një çift pandash dhe ato u mirëpritën në kopshtin zoologjik të Moskës, në një ceremoni ku merrte pjesë Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Vitin e kaluar, gjatë Kupës së Botës, Katari ishte vendi i parë i Lindjes së Mesme që mori 2 panda, të cilët sipas kontratës do të jetojnë atje për të paktën 15 vjet.
Burimi: Internazionale
Discussion about this post