Kreu demokrat Sali Berisha, nga Gjirokastra ku po zhvillon një takim me mbështetës të opozitës, shprehu besimin se mosbindja civile do të rrëzojë Edi Ramën, të cilin e quajti një armik të egër.
Berisha tha se PD ka qenë dhe mbetet parti e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, mbetet parti e interesit kombëtar, e shtetit ligjor dhe orientimit të saj euroatlantik.
“Kthesa e madhe që kërkohet sot nga ne, nga çdo demokrat, është qëndrimi që duhet të mbajmë ne për realizimin, për garantimin e këtyre parimeve.
Kthesa që kërkohet nga ne, nga çdo demokrat dhe demokrate, ka të bëjë me misionin e ri që duhet të marrë përsiper PD, të përmbysë me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, atë që erdhi me termin rilindje në vitin 2013 dhe u vërtetua si një revansh primitiv hakmarrës ndaj demokracisë dhe përfundoi në një diktaturë bande, në një diktaturë krimi, në një diktaturë të shpërbërjes së arritjeve tona.
Sot, ne mblidhemi këtu në një moment kur Shqipëria sundohet nga një regjim, në të cilin krimi me lidhjet e tij gjer te kryeministri, në të cilin kartelet e drogës, nga Sinaloa e Meksikës, e udhëhequr nga dy shqiptarë, tek ato të Kolumbisë, Ekuadorit dhe Shqipërisë, kanë lidhje me zyrën e kryeministrit.
Mblidhemi në një kohë kur krimi dhe bandat kanë caktuar ministër të rendit, eksponentin kryesor të tyre.
Mblidhemi sot në një moment kur krimi vendos kudo, jo vetëm me këto lidhje, por edhe me grykën e revoles, në rrugë dhe në qelitë e burgjeve me sigurinë më të lartë.
Mblidhemi sot në një regjim të diktaturës së bandave, i cili tre muaj, pesë muaj para zgjedhjeve, liron nga burgjet vrasësit serialë, sjell nga Dubai dhe vendet e tjera, trafikantët më të rrezikshëm për t’i vërsulur kundër votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Mblidhemi pra në një regjim, në të cilin krimi shndërrohet në votë dhe vota shndërrohet në krim”, tha Berisha.
Duke e quajtur PD një parti të misioneve të mëdha, Berisha tha se do ngrihemi në një mosbindje civile dhe do të rrëzojmë këtë armik të egër, që dallon aq sa dallojnë dy pika ujë në raport me votën, me dajën e tij xhelat të inteligjencës së diktaturës, Spiro Koleka.
Në vijim të akuzave ndaj Edi Ramës, Berisha tha se pasuritë e tij janë shtuar 16 herë që nga momenti që u bë Kryeministër. Në këtë kuadër, Berisha dha një shembull që sipas tij provon se ccfarë ka ndodhur me pasuritë e Ramës.
“Në vitin 2008 kishte të depozituara 400 mijë lekë dhe 3800 euro. Tani në vitin 2021 del me 100 milionë lekë të reja dhe më shumë.
Po do hetohesh ti patjetër, do hetohesh për të gjithë aferat.
O ti do hetohesh o ne nuk të lëshojmë.
Ky është detyrimi ynë kushtetues. Nuk ka forcë në botë që na përkul ne”, tha Berisha.
Gjithashtu kreu demokrat, thumboi edhe Lulzim Bashën, për të cilin tha se tradhëtoi interesat e demokratëve në 2021.
“Ju derdhët lumenj djerse, ju i mbrojtët idealet tuaja. Ju garantoj se me datën 25 prill, po të mos tradhtoheshit, do ishin fitimtarë të merituar.
Por ai, në një akt primitiv, hyri në pazare me kreun e opozitës. Po në këtë mënyrë, ku jemi sot?”, tha Berisha.
“Kurrë ndonjëherë, një komb nuk numëron 35 përqind të banorëve të larguar nga vendi për shkak të kushteve për shpopullim që krijon regjimi.
Lufta e Dytë Botërore, në vendin që e përjetoi në mënyrën më dramatike atë, Poloninë, e pakësoi atë komb me 20 përqind. As Siria në luftë civile nuk është pakësuar as gjysmën tonë.
Dhe sot, Edi Rama shpërndan tezën se po shkojmë për eksplorime, se le të ikin se do i zëvendësojmë me bangladeshas, me indianë.
Ne nuk mund të pajtohemi kurrë me këtë. Kjo është një superemergjencë kombëtare”, tha Berisha.
Discussion about this post