Gijotina.com ka denoncuar prej fillimit tenderin e Bashkisë Berat me objekt “Përmirësimi i banesave ekzistuese për komunitetet të varfra dhe të pafavorizuara”. Projekti është thjesht mbulesa për të çuar fondin në duart e dy miqve të kryebashkiakut Ervin Demo.
“Projekti i madh për riparimin e shtëpive të familjeve rome dhe të varfra në disa bashki, si kjo e Beratit, po ushqen korrupsionin lokal. Ky është një projekt i bukur për propagandë elektorale nga kryebashkiakët, ndërkohë që shërben për të xhiruar fondet tek miqtë e tyre”, kemi theksuar ndër të tjera më herët në Gijotina.com.
Dhe lëvizja e fundit e kryebashkiakut të Beratit e vërteton plotësisht atë dyshim që ne kemi ngritur. Në këtë pazar janë 542 milionë lekë. Ato pak lekë që do të filtrojnë nga procesi i korruptuar i tenderit do të përdoren për meremetimin e 55 shtëpive në qytetin e Beratit dhe në fshatra. Por, teksa familjet që deri dje ishin në shtëpi të amortizuara, sot gjenden pa strehë fare, sepse fituesi nuk dihet kur do të nisë punën.
Kontrata e nënshkruar më datë 7 nëntor 2023 parashikonte që punimet të zgjasnin 180 ditë. Pra maksimumi në fillim të Majit do të përfundonin të gjitha riparimet në banesa. Por me sa duket fituesi i kësaj kontrate Ramazan Kalia me firmën LIQENI VII SHPK nuk është i kënaqur.
Kështu Demo ka bërë disa rishikime në kontratë, ku bie në sy fakti që ky projekt ka marrë financim nga fondet e bashkisë për vitin 2023, tashmë do të marrë për vitin 2024 edhe nga Buxheti i Shtetit.
Megjithëse punimet nuk po përparojnë, paratë rrjedhin lumë. Duke qenë se u bënë këto ndryshime, automatikisht shtyhet edhe afati i nisjes së kontratës. Sërish në dokument thuhet se punimet do të zgjasin 6 muaj, por tashmë si afat i lidhjes së kontratës konsiderohet data 5 dhjetor 2023 dhe jo data 7 nëntor 2023, kur është shpallur fituesi. Ose më saktë, data 11 dhjetor 2023, kur është bërë publikimi zyrtar i kontratës në Buletinin 100 të Agjencisë së Prokurimeve. Pra një muaj iku me pazaret në prapaskenë dhe për të caktuar fondet.
Për më tepër afati i kontratës lë afatin në varësi të grafikut të punimeve, Ndërsa në dokumentet e tenderit nuk gjendet grafiku i supozuar i punimeve.
Në njoftimin e dytë, në emërtimin e tenderit përcaktohet se ku do të gjenden paratë. “Financimi do të bëhet në 2 (dy) vite buxhetore (2023, 2024) nga buxheti i shtetit dhe i bashkisë”, kjo është shtesa e bërë në emërtimin e tenderit. Këtu del e qartë se punimet mund të nisin nga pranvera, duke qenë se buxheti i vitit 2023 tashmë i mbyll veprimet.
Ashtu sikur herën e parë edhe kjo kontratë mban ‘Flamurin e Kuq’ të vendosur nga Open Data Albania, për shkak se është nënshkruar në kundërshtim me rregullat ligjore. Kjo është shenjë e riskut të korrupsionit.
Kujtojmë se për këtë tender kanë shfaqur interes 5 kompani, ku dy prej tyre kishin ofertat më të lira, me 420 milionë lekë, pra 120 milionë lekë më lirë se fondi limit. Por, të dyja këto kompani, bashkë me dy të tjerat janë skualifikuar nga gara që në fazën e parë, me justifikime të cilat lidhen me deklarimet dhe afatet.
Kështu, mbeti mbi tryezë vetëm oferta e bashkimit të operatorëve LIQENI VII SHPK në pronësi të Ramazan Kalisë dhe SARDO SHPK, me administrator Saba Ahmataj, me vlerë 510 milionë lekë. Pra, propozimi ishte sa 87% e fondit limit dhe 100 milionë më shumë se ofertat e përjashtuara. Pikërisht në këtë pikë nis abuzimi, por Demo i ka anashkaluar kërkesat e ligjit mbi prokurimet dhe i ka dhënë këtyre firmave menjëherë kontratën.
Kjo shmangie e rregullave synon devijimin e parave tek xhepat e miqve biznesmenë. Ndërsa puna që do të kryhet është “suva” brenda shtëpive, veshje me pllake majolike, çati me tjegulla, shtresë dërrasash, fasada, bojë plastike, dyer e dritare alumini me xham në banesat ekzistente.
Padrejtësitë në listat e përfituesve
Farsa e riparimit të shtëpive të të varfërve përsëritet prej disa vitesh. Në 9 nëntor 2020, lista e përfituesve nga programi përfundoi tek Komisioneri Për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Sipas informacionit të depozituar në ankesë, familja e S. B. përbëhet nga 4 anëtarë. Për shkak të kushteve të vështira social ekonomike dhe nevojës për të bërë riparime në shtëpinë ku banon familja B., ankuesi i është drejtuar Bashkisë Berat me kërkesa të ndryshme nga data 26 tetor 2017 e në vijim. Sipas ankuesit, pavarësisht kërkesave drejtuar Bashkisë Berat, nuk kishte gjetur ende një zgjidhje për restaurimin e banesës në të cilën jeton. Qytetari pretendon se është trajtuar në mënyrë të diferencuar dhe diskriminuese nga ana e Bashkisë Berat, për shkak të përkatësisë së tij në komunitetin egjiptian dhe gjendjes ekonomike të rënduar. Banori kërkonte “Konstatimin e diskriminimit” dhe “Restaurimin e banesës nga ana e Bashkisë Berat”.
Ankuesi i ishte drejtuar më datë 26 tetor 2017, Prefektit të Qarkut Berat, nëpërmjet një shkrese zyrtare, duke kërkuar nga ana e këtij institucioni, restaurimin e banesës së tij dhe përfitimin e ndihmës ekonomike. Prefekti i Beratit ka sqaruar ankuesin se duhet t’i drejtohej Bashkisë.
Me shkresën datë 22 janar 2018, ankuesi i është drejtuar Bashkisë Berat me të njëjtat kërkesa.
Më datë 26 shkurt 2018, Bashkia Berat, ka bërë me dije ankuesin se për shkak të mungesës së fondeve, nuk e ka të mundur që aktualisht të bëjë restaurimin e banesës së tij. Ndërsa sa i përket ndihmës ekonomike, e ka informuar ankuesin se duhet t’i drejtohet Drejtorisë së Shërbimit Social.
Më datë 19 gusht 2019, ankuesi i është drejtuar sërish Bashkisë Berat duke kërkuar mbështetjen financiare. Ankuesi ka vazhduar me anë të një letre datë 1 qershor 2020 (e cila është protokolluar dy javë më vonë 16.06.2020) drejtuar sërish Bashkisë Berat, duke kërkuar mbështetjen financiare nga ana e këtij institucioni dhe përfundimin e punimeve për ndërtimin e banesës, pasi nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të mbyllur këtë proces.
Në përgjigje të shkresave, Bashkia Berat, se: “...Drejtoria e Shërbimit Social është vënë në dijeni të problematikave që ka familja juaj…”
Lista e familjeve që do të përfitojnë nga projekti “Përmirësim i banesave ekzistuese për komunitete të varfra dhe të pafavorizuara” për vitin 2020, ka përfunduar në muajin maj. Kërkesa e bërë nga S. B. pranë Bashkisë Berat. Kërkesa e përsëritur e qytetarit paska qenë 1 ditë me vonesë.
Nga zbatimi i këtij projekti thuhet se kanë përfituar 14 familje ku dy prej tyre i përkisnin komunitetit egjiptian. Për shkak të vonesës në aplikim ( në fakt kërkuesi kishte disa vjet që i drejtohej bashkisë) Komisioneri nuk gjeti “prova” për diskriminim të qytetarit.
Ndërkohë kryebashkiaku Demo ka vazhduar të bëjë propagandë elektorale me këtë program.
Aktivisti i të drejtave për Romët dhe Egjiptianët në Berat, Besmir Dalipi tregon se gjatë fjalimit të tij në zgjedhjet e 14 majit 2023, Demo ka dhënë disa premtime që lidhen me shërbimet që komuniteti rom, i ka adresuar prej vitesh dhe që trajtojnë nevojën për përmirësimin e infrastrukturës pranë banesave të tyre.
“Në mandatin e ardhshëm kryetari premtoi se do përmirësojë infrastrukturën në lagje, asfaltim dhe ndriçim të lagjes, por premtimi i cili ka peshën më të madhe ishte për rikonstruksionin e 18 banesave të komunitetit në Berat”, ka deklaruar Dalipi për mediat.
Duke parë ecurinë e tenderit të fundit për riparimin e 55 shtëpive, duket se korrupsioni e shuan shpresën për përmirësim të situatës.
Lexo edhe:Ervin Demo i fal Ramazan Kalisë 542 MLN lekë për riparim banesash, romët i lë buzë lumit
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post