Avokatët e gazetarit Elton Qynos, pas seancës sot në një deklaratë për media akuzuan gjyqtaren e çështjes se po zvarrit procedurën. Gjithashtu avokatët e gazetarit Qyno, e quajtën absurde se si një prokuror që është vetë objekt i këtij hetimi, është po vetë ai që po heton veten e tij dhe dy kolegë të tjerë.
Avokati Matlija tha se gjyqtarja e çështjes sot që kishte çështjen nuk ka dorëzuar ende dosjen në sekretari, cka po vonon vendimarrjen e gjykatës së Apelit.
“Jam i bindur se Gjykata e Lartë të paktën do të zhbëjë gjithë këtë katrahurë por deri atëherë si duket duhet të presim edhe ca kohë. Sepse gjykata po përdor një logjikë absurd.
U konstatuan edhe paligjshmëri të reja sepse nuk ishim informuar për disa veprime të prokurorit që ishin kryer.
Telefonat që i janë marrë gazetarit Elton Qyno, nuk i janë marrë as në trup as në shpi as në punë, por i janë marrë tek një lokal këtu afër”, tha ai.
Avokati Arben Llengozi deklaroi se prokurori Behar Dibra që po heton Qynon, është në dijeni të disa fakteve të bëra publike nga një avokat, se Edi Rama rezulton i implikuar në disa përgjime që i kanë rënë në dorë edhe gazetarit, teksa akuzoi organin e akuzës se po fsheh provat.
Ndërkohë Dorian Matlija tha se Behar Dibra pranoi në seancën e mëparshme që janë vetë prokurorët të cilët duhen hetuar për daljen e akteve sekrete hetimore, ku njëri prej tyre sipas tij, është vetë ai që po heton gazetarin.
“Togat e zeza e konsiderojnë të paligjshëm kontrollin e automjetit të gazetarit Elton Qyno pa vendim gjykate duke urdhëruar kthimin e një USB-je të gjetur brenda tij. Por nga ana tjetër nuk u shpreh i njëjti qëndrim për sendet e sekuestruara në banesë dhe në zyrë, si CD me këngë popullore apo këngë greke dhe deklarata pasurie të zyrtarëve, subjekt i ILDKPI-së që gazetari thotë se i kishte për përgatitjen e shkrimeve në vijim. Po ashtu nga Gjykata e Posaçme u refuzuan kërkesat për kthimin e dy telefonave që njësoj si USB-ja në makinë, janë marrë pa vendim gjykate në ambientet e lokalit që ndodhet pranë SPAK, ku ai i kishte lënë në ruajtje.
Nën sekuestro mbeten edhe dy kompjuterë të sekuestruar në ambientet e punës dhe shtëpisë si dhe disa dokumente të tjera”, tha ai.
Mbrojtja e gazetarit pretendon se e njëjta gjyqtare, Atalanta Zeqiraj, në rrethana të pakuptimta me dispozitat ligjore të Kodit Procedurës Penale, ka vonuar duke mos dërguar ende dosjen penale në Apelin e GJKKO, me qëllim gjykimin e ankimit.
Kanë kaluar 10 ditë, që Apeli ende nuk ka nxjerrë datë gjykimi për ankimin e avokatëve, për shkak se gjyqtarja nuk ka çuar dosjen në sekretarinë e Apelit. Lidhur me vendimin e kësaj të mërkure avokatët e Elton Qynos paralajmërojnë një tjetër ankim, gjë e cila bën që çështja të gjykohet dy herë në Apel.
Discussion about this post