Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë në “Euronews Albania”, ku foli për disa tema të ndryshme, kryesisht në lidhje me përgatitjet e ekipit Kombëtar përpara Europianit “Gjermani 2024”.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar komentoi edhe ndeshjet miqësore që do të zhvillojë ekipi Kombëtar përpara “Euro 2024”, teksa bëri të ditur se së shpejti do të zbulohet edhe kundërshtari i dytë i Shqipërisë në muajin mars.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka folur edhe për biletat e Europianit, për të ardhmen e trajnerit Silvinjo dhe për marrëdhëniet e mira që ai ka me Presidentin e FFK-së, Agim Ademi.
Përsa i përket futbollit vendas, Presidenti Duka theksoi edhe njëherë besimin që ai ka te formula e re që po aplikohet këtë sezon në “Abissnet Superiore”. Gjithashtu ai dha edhe një koment për mundësinë e rikonstruksionit të stadiumit “Selman Stërmasi”.
– E keni pritur shumë mirë shortin në Europian, kemi kundërshtarë Italinë, Kroacinë dhe Gjermaninë?
– Entuziazmi im ishte për faktin që jemi pjesë e një kompeticioni shumë të rëndësishëm. Vërtetë ekipi na bëri të ndihemi krenar dhe entuziazmi lidhet me faktin që të gjitha ekipet në Europian janë të nivelit të lartë. Por në fund të fundit shkohet në një kompeticion të rëndësishëm për të matur forcat, për të sfiduar dhe për të takuar ekipe të mëdha. Zakonisht ekipet e mëdha i takon në gjysmëfinale në finale, ne kemi patur fatin që t’i kemi në grup dhe pse jo të mos tentojmë për të bërë mire, për t’i sfiduar dhe për të shkuar më tej. Të luash kundër Kampionëve të Europës dhe Botës është kënaqësi, pikërisht për këtë dhe faktin që jemi në Europian kam qenë entuziast”.
– Si e pritën shortin e Shqipërisë kolegët e t’u në federatat e tjera?
– Flasim për nivele të larta qoftë teknike apo organizative dhe që janë të ndërgjegjshëm dhe e dinë, i njohin shumë mirë kundërshtarët. Nuk i njohin vetëm nga emrat, në përgjithësi opinionet nisin nga emrat, Italia, Gjermani apo Franca.
Ndërsa ekspertët njohin nivelin aktual të ekipeve dhe asnjë nga ata nuk ka shprehur dhe nuk arrin apo nuk mundet të shprehi një notë nënvlerësimi, sepse në fund të fundit në futboll armiku kryesor ky është.
Nëse t’i nënvlerëson kundërshtarin, nëse t’i mbivlerëson veten dhe shkon në fushë duke menduar që je superior, pastaj fusha dhe rezultati të nxjerrë inferior. Kështu që për nivelin e lartë të ekspertizës apo përgatitjes sportive padyshim që na kanë parë si një kundërshtarë real, si një kundërshtarë që i mbylli kualifikueset në vendin e parë në grup me një performancë fantastike dhe me dy golat më të bukura në kualifikueset e Europianit. Të gjitha këto bëjnë që të na shohin si një kundërshtarë jo të lehtë.
– Lojtarët që do të grumbullohen për në Europian, do të ketë risi në listë?
– Në futboll gjithçka tregohet në fushën e lojës. Në skuadër është ai që është më mirë në momentin që luhet ndeshje dhe në ekipin Kombëtar akoma më shumë. Ekipi Kombëtar nuk njeh moshë, nuk njeh histori, por njeh kush është më i mirë në momentin kur është kompeticioni. Kush është më në formë, kush është në gjendje të mirë fizike dhe shëndetësore, kush është i gatshëm ta ndihmojë më shumë ekipin.
Në fakt, kjo nuk është një punë e imja është e trajnerit dhe e stafit, por nuk mund ta kemi të programuar që këto janë futbollistët që do të jenë në Europian, sepse kemi më shumë se katër muaj kohë për të qenë atje. Stafi, trajneri kanë bërë një tur këto ditë, do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë deri në qershor. Do të kenë edhe ndeshjet miqësore që ne do të luajmë në mars për të parë dhe për të pasur alternativa më shumë se 23, sepse duhet të jemi të përgatitur për çdo lloj surprize që do të sjellë fillimi i Europianit.
Ka futbollistë që nuk kanë qenë në ndeshjet kualifikuese, që po vlerësohen seriozisht që mund të jenë alternativa. Nuk kanë qenë pjesë e kualifikueseve për arsye dëmtim, siç nuk kanë qenë Broja dhe Kumbulla apo qoftë edhe Rey Manaj që nuk ka qenë për shkak të një formë jo të mirë apo dëmtimi dhe sot po bën shumë mirë në Turqi. Ka futbollistë të rinj gjithashtu që janë rritur dhe mund të rriten akoma më shumë deri në qershor. Stafi duket të ketë në kokën e tij, në planet e tij më shumë se sa 30-të për të patur 23 më të mirët në Europian.
– Biletat e Europianit, a do të ketë një mundësi tjetër, apo procesi ka përfunduar?
– Stadiumet në të cilat ne do të luajmë janë stadiume shumë të mëdha, i pari me kapacitet 67 mijë dhe dy të tjerët me kapacitete më shumë dhe besoj se do të plotësohen kërkesat e të gjithëve për të qenë të pranishëm në stadium. Procedurat e shpërndarjes së biletave kanë filluar që në dhjetor, nuk e di nëse janë shitur të gjitha kapacitetet, pasi menaxhimin e tyre e bën UEFA.
Realisht edhe ne kemi marrë një pjesë të biletave, të cilat ua kemi shpërndarë grupimeve të tifozëve, si Tifozat Kuqezi dhe sponsorave dhe anëtarëve të Federatës së Futbollit. Ky procesi i joni ka përfunduar që me 12 dhjetor. Nuk kam informacion nëse është shitur 100% e kapaciteteve apo do të ketë dhe një rishpërndarje të re. Tifozët Kuqezi në mënyrë të grupuar i kanë marrë biletat për të treja ndeshjet dhe kanë rezervuar dhe të drejtën e biletave për ndeshjet pas grupit.
– E ardhmja e trajnerit Silvinjo? Mund të na zbuloni diçka më shumë?
– Unë uroj që Silvinjo, i gjithë ekipi dhe të gjithë ne të bëjmë mirë në Europian. Padyshim ta shijojnë Europianin, Silvinjo kryesisht bashkë me ekipin, sepse është suksesi i tyre, janë ata që na kanë bërë ne krenarë dhe që jemi pjesë e këtij kompeticioni shumë të rëndësishëm.
Pastaj padyshim ose më përpara do të duhet të diskutojmë për vazhdimin e bashkëpunimit të FSHF-së me Silvinjon dhe stafin e tij. Si gjithë opinioni dhe ne jemi pozitiv për vazhdimin e bashkëpunimit dhe vetë stafi dhe trajneri po ashtu, por më besoni që realisht gjatë gjithë muajit janar nuk jemi takuar, sepse lëvizjet kanë qenë vërtetë të mëdha, qoftë tonat, të stafit kryesisht për organizimin dhe problemet e përgatitjeve në Europian.
– Përveç ndeshjes me Suedinë, a jeni në kontakte me Federata e tjera për të gjetur edhe një tjetër kundërshtarë në muajin mars?
– Ne pothuajse i kemi mbyllur apo jemi drejt konfirmimit për sfidat miqësore në muajin mars dhe në qershor. Është bërë publike ndeshja me Suedinë më 25 mars dhe besoj se brenda tre apo katër ditëve do të bëhet publike edhe ndeshja e parë sepse në 25 mars është ndeshja e dytë, ndërsa kjo sfidë do të luhet me 21 ose 22 mars.
Gjithashtu edhe miqësoret e qershorit pothuajse janë përcaktuar dhe shumë shpejt do të bëhet publike. Të gjithë ekipet që do të luajnë në Europian, nuk kërkojnë të luajnë me skuadrat e nivelit që janë në Europian, apo me skuadra që konsiderohen të nivelit të lartë, por përkundrazi me një nivel vështirësie më të ulët pasi qëllimi është për të mos pasur, jo dëmtim fizik, por psikologjik, për të qenë në një gjendje sa më të mirë shpirtërore dhe të ketë të gjitha mundësitë për të realizuar planet tekniko-taktike që kanë stafet dhe futbollistët.
Këto janë specifikat e Europianit, nuk do të shihni kurrë para turneut ndeshje Spanjë – Gjermani, por do të shihni një ndeshje që është e një niveli ndryshe. Ndeshjet do të luhen jashtë, kjo ka qenë edhe kërkesa e trajnerit për t’u përgatitur dhe për të luajtur jashtë. Gjithashtu edhe ndeshjet e qershorit, sepse ndeshjet do të luhen afër kampit ku do të bëjë përgatitjet ekipi. Nuk kemi përcaktuar ende se ku do t’i bëjmë përgatitjet para Europianit, besoj do të jemi në Zvicër apo Austri, por në marrëveshjet që kemi bërë me kundërshtarët, ndeshjet do të luhen afër kampit ku do të jetë ekipi.
– Marrëdhënia juaj me Presidentin e Federatës të Kosovës, Agim Ademi si është aktualisht? Dhe duke qenë se Kosova nuk ka ende një trajner të Kombëtares, a e keni këshilluar Ademin duke qenë se ju keni një eksperiencë të gjatë në këtë fushë?
– Marrëdhënia ime personale me Agim Ademin është e shkëlqyer, gjithashtu edhe marrëdhënia institucionale me Presidentin e FFK-së është shumë e mirë. Por jo vetëm me Presidentin, por me të gjithë ambientin e futbollit në Kosovë.
Ne e kemi patur derën e hapur për të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të kontribuojnë për Kombëtaren, këtë e kemi bërë edhe kur Kosova nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe nuk kishte një ekip nacional dhe ishte akoma më e domosdoshme. Këtë e bëjmë në përgatitjen e trajnerëve. Kosova sot nuk ka mundësi të bëjë përgatitjen e trajnerëve me licencën UEFA, por e bëjnë në Shqipëri, madje në kuotat e kurseve që ne bëjmë, kemi një kuotë që ja heqim trajnerëve shqiptarë për t’ia ofruar atyre që vijnë nga Kosova.
Pra, ne si popull ndihemi një dhe asnjë nga ne nuk ka të drejtën t’i mohojë një shqiptari të luajë për Shqipërinë dhe këtë do ta vazhdojmë ta bëjmë dhe kjo nuk do të cenojë në asnjë rast marrëdhëniet tona me Kosovën dhe ambientin e futbollit atje. Për të qenë i sinqertë kam diskutuar me Presidentin Agim Ademi, për çështjen e trajnerit të ri të kombëtares së Kosovës, por nuk është se në fund ka marrë mendimet e mia, ka vendosur vetë.
– A ka një plan për rikonstruksionin e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe a do ta mbështeste FSHF projektin?
– Stadiumi “Selman Stërmasi” është pronë e Bashkisë Tiranë dhe administrohet nga klubi i Tiranës me një kontratë përdorimi 20 ose më shumë vjet dhe që ka mbetur nga ajo kontratë 17 apo 18 vjet për t’u përdorur. Për të qenë i sinqertë edhe unë kam informacione mediatike ashtu siç keni edhe ju, nëpërmjet komunikimeve që bëjnë këto institucione, qoftë Bashkia Tiranë apo klubi i Tiranës që kanë në planet e tyre një rikonstruksion, një modernizim të stadiumit, por zyrtarisht nuk kam informacion. Ne nuk kemi qenë pjesë e këtij projekti dhe nuk na është ofruar për të qenë pjesë e këtij projekti. Padyshim që nëse do të kenë nevojë, do kenë kontributin tonë për ta bërë sa ma mirë stadiumin.
– Formula e re e kampionatit “Abissnet Superiore” final-four, mendoni se do të sjellë më shumë tifozë?
– Nëse nuk do të mendoja që do të jetë i suksesshëm nuk do ta kisha mbështetur, por nëse rezulton ashtu siç mendoj unë apo jo duhet të presim deri sa të përfundojë. Të gjithë argumentet, se pse mendoj se është i mirë, i kam dhënë dhe mund t’i përsërisë. Ka disa që çfarëdo që të bësh do ta komentojnë negativisht, edhe fakti që jemi në Europian nga disa komentohet negativisht, këtyre ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë.
Por kampionati nuk dëmtohet nga final-four. Të gjitha ekipet po luftojnë për të qenë atje, pra mes katër ekipeve më të mira, pastaj atje përsëri do të kemi një emocion, për të katër skuadrat dhe për të gjithë mbështetësit e tyre, për të gjithë opinionin, për të pritur se kush do të jetë kampion.
Final-four është për të krijuar një emocion tjetër dhe për të pasur më shumë interes nga spektatorët dhe të gjithë mbështetësit e futbollit në përgjithësi. Për ta përmbledhur, unë mendoj që është e mirë, për ta vërtetuar duhet të presim, nuk mund të presim vetëm një edicion, por mund të bëhet një ndryshim pozitiv dhe duhet të presësh më shumë se sa një edicion për ta parë nëse vërtetë është një ndryshim pozitiv dhe do të kontribuojë akoma më mirë për zhvillimin e futbollit shqiptar.
– E keni ndjekur intervistën e Kristjan Asllanit, dëshira e tij ishte për të fituar ndeshjen e parë të Europianit ndaj Italisë?
– E kam dëgjuar, në fakt e gjithë intervista e Asllanit më pëlqeu shumë, por shprehja “ëndrra ime është për të mundur Italinë” më pëlqeu akoma më shumë. Ato që e duan futbollin e presin mirë dhe mbështesin akoma më shumë ato që janë luftëtarë të vërtetë në fushë dhe që gjithmonë mbrojnë fanellën me të cilën luajnë, e aq më shumë fanellën e ekipit Kombëtar për të cilën luajnë, siç është rasti i Asllanit me Shqipërinë. Kështu që italianët nuk e presin keq dhe askush nuk mund ta presë keq, se përse një futbollist dëshiron të fitojë me ekipin e tij. Përkundrazi duhet ta presë shumë mirë, sepse është pozitive për futbollin.
Discussion about this post