Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara po dëgjon të enjten argumentet për të përcaktuar nëse ish-presidenti Donald Trump duhet të përjashtohet nga pjesëmarrja në zgjedhjet paraprake, për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.
Atë ditë një turmë përkrahësish të ish-presidentit, që besonin pretendimin e tij, se rezultati i zgjedhjeve të nëntorit 2020 ishte manipuluar, sulmuan Kongresin në përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të certifikonin fitoren e presidentit Joe Biden.
Në një çështje tjetër ligjore, në fillim të kësaj jave, një gjykatë federale e apelit hodhi poshtë pretendimin e zotit Trump se ai ka “imunitet absolut” dhe nuk mund të gjykohet për akuzat penale për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020. .
Ish-presidenti Trump ka gjasa ta apelojë edhe këtë çështje në Gjykatën e Lartë. Ai thotë se paditë e ndryshme penale dhe civile të ngritura kundër tij janë pjesë e një “gjuetie shtrigash” të zotit Biden për të eliminuar një kundërshtar politik – një pretendim që Shtëpia e Bardhë dhe demokratët e mohojnë.
Mund të kandidojë zoti Trump?
Çështja që po shqyrton Gjykata e Lartë, ka në qendër pyetjen nëse zoti Trump duhet të ndalohet të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake në Kolorado, sipas pikës 3 të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Gjykata e Lartë e Shtetit të Kolorados ka vendosur që zoti Trump nuk ka të drejtë të vërë kandidaturën pasi ai ka qënë pjesëmarrës në rebelim. Por zbatimi i vendimit të Kolorados është pezulluar në pritje të vendit të Gjykatës së Lartë.
Pala akuzuese thotë se zoti Trump u përpoq të ndalonte transferimin paqësor të pushtetit dhe për këtë arsye duhet t’i ndalohet të mbajë sërish postin e presidentit.
Pika 3 e amendamentit të 14 u hartua në vitin 1866 pas përfundimit të Luftës Civile për të parandaluar kthimin në pushtet të zyrtarëve të Konfederatës, që u shkëputën nga Shtetet e Bashkuara, për të mbrojtur institucionin e skllavërisë.
Sipas kësaj pike: “Asnjë person nuk duhet të jetë Senator ose Ligjvënës në Kongres, ose delegat për të zgjedhur Presidentin dhe Nënpresidentin, ose të mbajë ndonjë post, civil ose ushtarak, në Shtetet e Bashkuara ose shtete të veçanta, nëse, pasi është betuar si anëtar i Kongresit, ose si zyrtar i Shteteve të Bashkuara, ose si anëtar i çdo organi legjislativ shtetëror, ose si zyrtar i ekzekutivit ose gjyqësorit të një shteti, për të mbështetur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, përfshihet në kryengritje ose rebelim kundër tyre, ose u jep ndihmë armiqve të tyre. Por Kongresi me dy të tretat e votave të secilës Dhomë mund ta përmbysë këtë përjashtim.”
Avokatët e ish-presidentit Trump argumentojnë se pika 3 nuk vlen për presidentët, se 6 janari nuk ishte kryengritje dhe se zoti Trump thjesht po ushtronte të drejtat e tij të lirisë së shprehjes.
Opinionet e ekspertëve
Studiues të ndryshëm, zyrtarë zgjedhjesh, ligjvënës dhe figura të tjera politike kanë dorëzuar opinione në gjykatë, duke ndarë pikëpamjet e tyre në favor ose kundër zotit Trump.
Njëri prej tyre është Mark Graber, profesor i së drejtës në Universitetin e Merilendit dhe një nga ekspertët kryesorë për të drejtën kushtetuese lidhur me kryengritjet dhe Amendamentin e 14-të.
Në përmbledhjen e tij ai argumenton se vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados është në përputhje me mënyrën se si komuniteti ligjor e interpretoi kryengritjen në kohën kur u hartua pika 3 dhe se ai me të drejtë arriti në përfundimin se kishte ndodhur një kryengritje.
“Donald Trump nxiti kryengritjen”, i tha prof. Graber Zërit të Amerikës.
“Atij iu tha se postimet e tij në Twitter po nxisnin dhunë kundër zyrtarëve të zgjedhjeve. Ai reagoi duke i shtuar postimet e tij në Twitter. Atij iu tha se kishte persona të armatosur në turmë që synonin të merrnin nën kontroll Kongresin. Ai u përgjigj duke thënë: ‘Kur ka manipulime (zgjedhjesh), nuk përdoren mjetet e zakonshme, por duhet të luftosh, të luftosh me të gjitha forcat’”, shpjegon prof. Graber.
“Një person me logjikë duke e parë sjelljen e Trump-it, mund të mendojë se ai kishte qëllim të frymëzonte një kryengritje.”
Në përgjigje të një pyetjeje tjetër qendrore në këtë çështje – nëse Amendamenti i 14-të vlen për presidentin – prof. Graber thotë se përgjigja është “e qartë”.
“Çdo anëtar i Kongresit që përdori shprehjen ‘zyrtar i Shteteve të Bashkuara’ në Kongresin e 39-të tha se presidenti konsiderohej ‘zyrtar’ ”, nënvizon ai.
Të tjerë argumentojnë se i takon Kongresit të përcaktojë se në cilat raste mund të përdoret Amendamentit të 14-të. Një prej tyre është Prokurori e Përgjithshëm të Indianës, Todd Rokita, i cili paraqiti një opinion së bashku me 26 prokurorë të tjerë të përgjithshëm republikanë.
“Pika 3 nuk hyn në fuqi automatikisht,” tha ai gjatë një aktiviteti të mërkurën të organizuar nga Fondacioni Heritage, një institut konservator.
Ai argumentoi se sipas pikës 5 që parashikon se, “Kongresi do të ketë kompetencën për të vënë në zbatim, me legjislacion përkatës, dispozitat e këtij neni”, janë ligjvënësit që duhet të përcaktojnë se si do të zbatohet Amendamenti i 14-të.
Alan Dershowitz, profesor i së drejtës në Fakultetin Juridik të Harvardit, i cili ishte avokat i zotit Trump gjatë procesit për shkarkim ndaj tij në Senat, e mbështet këtë argument.
“Në mungesë të aktivizimit të Kongresit, nuk besoj se Amendamenti i 14-të hyn në fuqi automatikisht,” i tha ai Zërit të Amerikës.
“Përndryshe, pse do duhej neni 5 i Amendamentit të 14-të që i jep shprehimisht Kongresit fuqinë për të marrë këto vendime?”
Një grup prej 25 historianësh me peshë, përfshirë Allan J. Lichtman, profesor historie në Universitetin Amerikan, argumentuan në përmbledhjen e tyre se pika 3 vlen për zotin Trump dhe nuk “ka nevojë për një veprim tjetër të Kongresit, ose një dënim” për kryengritje.
Prof. Lichtman i tha Zërit të Amerikës se është e qartë se pika 3 është hartuar jo vetëm për të parandaluar “ish-konfederalistët, por edhe ata që kryejnë kryengritje në të ardhmen”.
“Hartuesit synonin të kishin një amendament të qëndrueshëm dhe që të mos mund të cenohej nga kongreset e ardhshme, duke qenë se është pjesë e Kushtetutës,” thotë Prof. Lichtman.
Por zoti Rokita, thotë se i takon popullit amerikan që të zgjedhë presidentin e tij, jo gjyqtarëve.
“Votuesit do të humbasin besimin nëse gjyqtarët vendosin se votuesit nuk mund të përcaktojnë një nga dy kandidatët kryesorë presidencialë të vendit tonë,” paralajmëroi ai.
Ndikim i gjerë
Edhe pse Gjykata e Lartë do të vendosë vetëm për çështjen e Kolorados, ndikimi do të jetë i gjerë, përfshirë edhe për shtetin e Meinit, sekretarja e shtetit e të cilit vendosi në dhjetor se zoti Trump duhet të përjashtohet nga votimet paraprake të shtetit, për çështje që janë pezull në 11 shtete të tjera ku sfidohet e drejta e tij për të kandiduar, si edhe për raste të tjera në të ardhmen.
Nëse Gjykata e Lartë mbështet vendimin e Kolorados, kjo do të ishte një goditje masive për objektivin e zotit Trump për t’u rizgjedhur. Alternativa tjetër është që mund të vendosë se zoti Trump nuk mund të skualifikohet sipas pikës 3 dhe ta vendosë atë përsëri në fletëvotim.
Anëtarët e gjykatës gjithashtu mund të refuzojnë të marrin një vendim përfundimtar dhe t’ua lënë në dorë ligjvënësve, duke thënë për shembull që të vendosë Kongresi nëse do ta pranojë fitoren e zotit Trump, nëse ai rizgjidhet në nëntor.
Gjashtë nga nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë janë emëruar nga presidentët republikanë, përfshirë tre nga ish-presidenti Trump.
Por meqenëse nuk ka pothuajse asnjë precedent ligjor për këtë çështje, është e vështirë të parashikohen qëndrimet e anëtarëve të veçantë të gjyqtarëve bazuar në ideologjinë e tyre.
Do të jetë e vështirë për anëtarët e gjykatës që të “dalin kundër të dhënave historike”, tha prof. Lichtman. Megjithatë, duke pasur parasysh kontekstin politik, ekziston mundësia që Gjykata e Lartë të gjejë një arsyetim teknik për të shmangur një vendim madhor për këtë çështje, sipas tij.
Prof. Dershowitz bie dakord, duke parashikuar se gjyqtarët ose “do të thonë se Amendamenti i 14-të nuk mund të zbatohet nëse nuk vepron Kongresi, ose do të gjejnë një mënyrë për ta shtyrë një përgjigje përfundimtare”.
Ai nënvizon rëndësinë e një vendimi unanim nga Gjykata e Lartë. “Një vendim i ndarë do ta mbante vendin shumë të përçarë,” thotë ai. “Kjo do të thotë se ka të ngjarë të shohim një vendim të kufizuar.”
Është e paqartë se sa kohë do t’i duhet Gjykatës së Lartë për të vendosur. Në muajt e ardhshëm, Gjykata gjithashtu ka të ngjarë të shqyrtojë apelin e zotit Trump kundër akuzës për ndërhyrje në zgjedhje të ngritur nga prokurori i posaçëm Smith, i cili u hodh poshtë të martën nga një gjykatë federale e apelit./VOA/
Discussion about this post