Kryetari i Grupit Parlament të PD-së, Gazment Bardhi, ka deklaruar mbrëmjen e së enjtes se ka prova për përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen e drogës së laboratorit të ‘Xibrakës’. Por, sipas Bardhit, që prokuroria nuk e ka përfshirë, duke fshehur provat.
‘Absolutisht kemi prova, siç i ka pasur provat edhe prokuroria, por me vetëdije e ka përjashtuar vëllain e kryeministrit nga përgjegjësia penale në çështjen e Xibrakës.
Thelbin e kam sqaruar, kam kërkuar që ta bëj atë denoncim, kam rëndë dakord dhe do të duhet të rakordoj kohën me emisionin televiziv me të cilin kemi rënë dakord’, tha Gazment Bardhi në SYRI TV.
Presionet ndaj Kushtetueses
Një nga çështjet e komentuara nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, ishte marrëveshja për kampet e refugjatëve në Shëngjin. Bardhi ka denoncuar drejtoreshën e kabinetit të kryeministrit, se ka marrë në telefon çdo anëtar të Gjykatës Kushtetuese që të linin në fuqi marrëveshjen e refugjatëve me Italinë.
“Drejtoresha e kabinetit të kryeministrit, ka ndërhyrë tek çdo anëtar i Gjykatës i Kushtetuese në rastin e marrëveshjes me Italinë.
Ka një ndërhyrje politike tek çdo anëtar dhe prandaj kam bërë një reagim, dhe kam quajtur ato anëtarë që kanë votuar më së pari për të mos çuar çështjen në Strasburg dhe më pas për të mos u marrë me thelbin e marrëveshjes, por me procedurën e marrëveshjes, siç ka ndodhur kohët e fundit, i kam quajtur Vali Bizhgat e Gjykatës Kushtetuese.
Ka komunikuar me secilin prej anëtarëve të Kushtetueses, duke ju kërkuar lënien në fuqi të marrëveshjes dhe i kam denoncuar e do ta bëj sa herë do të kem informacion të besueshëm dhe sa herë të konstatoj se po shkelet ligji”, tha Bardhi.
Protesta dhe Berisha
Gazment Bardhi ka folur edhe për protestat e opozitës dhe raportet me Sali Berishën, kreun e demokratëve, që ndodhet në arrest shtëpie me vendim të GJKKO-së, prej 30 dhjetorit 2023.
Bardhi u shpreh se nga Berisha asnjëherë nuk i është kërkuar mbështetje për çështje të tij personale.
“Nëse ka një meritë Sali Berisha është se kurrë nuk më ka kërkuar asnjëherë mbështetje për çështje të tij personale. Madje është kujdesur edhe në grupi parlamentar që ti japë mesazhin çdo deputeti, që beteja ime personale është e imja dhe unë atë e bëj vetë.
Ndërkohë që beteja e çdo opozitari ku përfshihet padiskutim me rol kryesor edhe Sali Berisha është të përballemi me regjimin e Edi Ramës.
Kështu që bashkimi nuk ka lidhje me mbështetjen apo solidaritetin me një veprim apo akt të caktuar.
Unë sapo isha kthyer nga SHBA dhe nuk kisha pasur edhe mundësi që të kisha dijeni për protestën para parlamentit dhe të hënën jam informuar mbi këtë çështje dhe kemi vendosur gjithë si grup që do të merrnim pjesë në këtë protestë, e cila kishte një skenar që nuk e kishim caktuar ne.
Unë kam ndjekur skenarin e protestës duke respektuar absolutisht vullnetin e atyre qytetarëve që kishin dalë aty, për të mbështetur opozitën, kauzën tonë në parlament dhe absolutisht në të drejtën e tyre edhe për tu solidarizuar me një padrejtësi që vlerësojnë secili prej tyre që i bëhet liderit historik të PD-së.
Për Gazment Bardhin aty ku janë qytetarët në protestë do jem edhe unë, sepse jam opozitar’, tha Gazment Bardhi.
Discussion about this post