Ushqimet e importit fillimisht ushqejnë xhepat e doganierëve, më pas arkën e shtetit, më tej djegin duart e qytetarëve. E kemi fjalën për çmimet, ndërsa cilësia lihet të nënkuptohet.
Një raport i KLSH për doganat, i publikuar sot, nxjerr indirekt diferencën e madhe të çmimeve me të cilat i importojnë tregtarët mallrat, vlerën që deklarojë në doganë dhe humbjet për arkën e shtetit. Çmimi i deklaruar i blerjes sugjeron se tregtarët e shumicës importojnë mallra të cilësisë së fundit dhe me origjinë të dyshimtë.
Pulat e ngrira blihen me 1,3 Euro, shiten me pakicë 5 euro
Nuk ka rëndësi nëse janë nga Brazili, nga Greqia apo Kina, por çmimi i deklaruar i pulave të ngrira është tepër i ulët. Artikulli ”Paste Pule” për të cilin çmimi i referencës është 0.45 EU/kg, deklarohet nga tregtarët 0.30 euro. “Pula të ngrira” duhet të ishte trajtuar me çmimin alternativ referues në nivelin prej 1.65 Euro/kg, bazuar në të dhënat për rritjen reale të çmimit të mishit te pulës ne tregun botëror si dhe të dhënave alternative të transaksioneve të kryera pranë sistemit Asycuda Ëorld për vitin 2021 dhe 2022. Në tabelë duket se pulat deklarohen nga tregtarët me 1.3 euro/kg (krahasojeni me çmimin me pakicë në treg që është mesatarisht 5 euro/kg).
Mishi i derrit deklarohet për 1 Euro/kg
Diferencë e madhe ka tek artikulli ”Kofsh Derri Shpatull me Kockë” me origjinë nga vendet e BE, i cila duhet të ishte trajtuar me çmimin alternativ referues në nivelin prej 1.7 Euro/kg. Tregtarët e deklarojnë me çmim 1 Euro/kg.
Efekti financiar i përllogaritur në praktikat doganore të mësipërme për deklarime të mallrave, sipas KLSH është në shumën 13 418 031 000 lekë dhe përbën të ardhura të
munguara në buxhetin e shtetit. Sipas raportit, për këto humbje ka përgjegjësi edhe drejtori i përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli.
Në lidhje me produktin “Përgatitje mish pule” me subjekt deklarues shoqërinë “I.F. SHPK” dhe eksportues malli kompaninë me seli në Itali “A.G.C. C. S.R.L.V.D. R.S.V.D. C.I” u ritrajtuan deklarime me efekte keqklasifikuese me trajtim tarifor preferencial 0%, ndërkohë që duhet të ishte trajtuar në një nivel 15%. Sipas KLSH, “kur mallrat janë në pamje të parë të klasifikueshme në dy apo më shumë krerë klasifikimi
do të kryhet në kreun numerik i cili ndodhet i fundit”. Kreu numerik i cili ndodhet ne fund është kreu 16023230 me tarifë bazë 15%. Si rezultat i këtij veprimi, dëmi në arkën e shtetit është në shumën 9,059,737 lekë.
Për çfarë na duhet kaq shumë dhjam derri?
Artikulli “Dhjam Derri” duhet të ishte trajtuar me çmimin alternativ referues në nivelin prej 0,56 Euro/kg, sipas rasteve të praktikave doganore për të cilat është ndërhyrë më parë nga Drejtoria e Vlerësimit. Si ka mundësi që tregtarët e blejnë me 0,13 Euro/kg? Imagjinojeni cilësinë e produkteve të sallamerisë!
Efekti financiar i përllogaritur për këtë deklarim të falsifikuar të vlerës së mallrave është në shumën 1,564,923 lekë.
Në një rast tjetër në Morinë, artikulli “Dhjam Derri” duhej të ishte trajtuar në zbatim të parimeve te vlerësimit me çmimin alternativ referues në nivelin prej 0,56 Euro/kg, por është vlerësuar me 0.47 euro.
Ndërsa artikulli ”Mish Derri pa kocka, Mish gush derri pa kocka, Mish Vici pa kocka”, me çmimin alternativ referues në nivelin prej 1.7 Euro/kg, 2,72 Euro kg, ka rezultuar me 1.05 Euro/kg. Çfarë dreqin po na sjellin për të konsumuar këta tregtarë?
Pasi u kap në shkelje, Dogana po përpiqet ta hedhë topin tek tregtarët, por në fakt është ajo që e ka krijuar këtë terren abuzimesh. Me shkresën nr. 283/71 datë 11.01.2024 dhe nr. 1311/12 prot Drejtoria e Doganës Korëë datë 28.12.2023 është dërguar shpjegimi nga subjekti “F SHPK” në lidhje me detyrimet doganore të rillogaritura për praktikat doganore.
Subjekti pretendon se plotëson kushtet për trajtim vlere me transaksion pasi pretendon se disponon kontrate me firmën
eksportuese të mallit, faturë tregtare, proformë fature, sëift bankar, certifikatë origjine, certifikate Euro 1, deklarate eksporti, certifikatë fitosanitare.
Ndërkohë, konstatohet se për këto importe malli nga Greqia si, vend i Komunitetit Evropian që ka Marrëveshje Reciproke Bashkëpunimi dhe Asistence Doganore me Shqipërinë, nuk janë kryer verifikime doganore pranë Autoriteteve Doganore Homologe. Efekti financiar i përllogaritur i humbjes nga praktikat doganore të mësipërme është në shumën 736,348 lekë.
Me të njëjtë metodë, për produktin “Mish i ngrire” konstatohet se taksa duhej të ishte trajtuar në nivelin prej 0.7 Euro/kg, por është pranuar deklarata e tregtarëve për çmimin 0,5 Euro/kg.
Po ashtu, produkti ”Pastë Pule” duhet të ishte trajtuar me çmimin alternativ referues në nivelin prej 0.45 Euro/kg, ndërsa çmimi i deklaruar është 0,39 Euro/kg.
Efekti financiar i përllogaritur për deklarime të gabuara të mallrave është në shumën 1,939,810 lekë.
Kafshët dhe shpendët e gjalla pa kontroll
Shqiptarët i shpëton Zoti nga lloj kafshësh e shpendësh që hyjnë pa kontroll dhe mund të sjellin sëmundje në këtë vend. Është KLSH që zbulon mungesën e kontrollit. Nga Degët Doganore Morinë, Qafë Thanë dhe Hani i Hotit nuk janë kryer veprime hetimore verifikuese pranë Doganave Homologe lidhur me kafshët dhe shpendët e gjalla të importuara, thekson raporti.
KLSH kërkon verifikimin e saktë të të dhënave që lidhen
me vlerën e mallit dhe peshën e këtyre mallrave të lëvruara dhe të transportuara pranë selive të kompanive pritëse me qëllim evidentimin e detyrimeve doganore të shmangura dhe të papaguara si dhe rregullimin e situatës.
Në këtë kuadër theksohet se malli “Viça për therje“ i cili paguan tarifë doganore 10% në import dhe pagesë TVSH-je në nivelin 20% është identik me mallin “Viça për Majmëri” i cili nuk paguan tarifë doganore në import dhe përjashtohet nga pagesa e TVSH bazuar në autorizimet specifike të lëshuara nga Degët Doganore respektive.
Ç’po ndodh? Për artikullin “Viça për majmëri” klasifikimi i peshës specifike për njësi viç të gjallë varion nga pesha 121 kg deri në maksimum 530 kg! Nuk mund të jenë normale këto pesha.
Arra që vijnë nga Greqia
Edhe arrat vijnë nga importi. Në lidhje me mallin “Arra në guackë“ konstatohet se niveli i vlerësimit doganor duhet të ishte 4.5 Euro/kg, ndërsa efekti financiar humbjes i përllogaritur është në shumën 23,401 lekë.
Dogana e bën gropë me pijet energjetike
Për mallin “Pije energjetike në konfeksione kanaçe 0.25 ml ”, konstatohet se nuk janë trajtuar me nivelin 0.82 Euro/litri për ambalazhet deri 0.25 litra. Gjithashtu për “Pije energjetike në konfeksione deri 1.5 litra dhe konfeksione kanaçe 0.25 ml”, nuk janë trajtuar me nivelin e vlerësimit përkatësisht 0.48 Euro/litri dhe 0.82 Euro/litri.
Kurse “Pije energjetike në konfeksione kanaçe 0.25 ml të llojit G. E”, nuk janë trajtuar me nivelin 0.92 Euro/litri për konfeksionin deri 0.25 litra. Efekti financiar i përllogaritur është në shumën 7,538,928 lekë.
Maqedonia na mbyt me birrë të lirë
Në lidhje artikulli birrë “S në Shishe” dhe “Birrë S shishe plastike” sipas referencës, duhet të ishte në nivelin 0.7 Euro/litri dhe 0.5 Euro/ litri për artikullin në kanaçe.
Edhe kjo diferencë në shumën 3,376,197 lekë, përbën të ardhura doganore të munguara në buxhetin e shtetit.
Siç shihet në tabelë, tregtarët kanë deklaruar çmim 50% më të lirë se sa referenca e Doganës.
Nëse qytetarët zakonisht nuk protestojnë për çmimet me të cilat i blejnë ushqimet, fermerët dhe industria agroushqimore duhet të ngrenë zërin. Drejtori Genti Gazheli, jo vetëm që ka bërë gropë me rreth 20 miliardë lekë në buxhet, por po e mbyt prodhimin vendas me këto çmime që pranon për zhdoganim.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post