Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha ka përfunduar në Komisionin e Prokurimeve pas një denoncimi që i është bërë nga biznesmeni Luan Kapri. Bëhet fjalë për një tender ku taksapaguesit kontribuojnë me 750 milionë lekë, prandaj po fokusohemi tek abuzimi i zyrtarit. Sipas dokumenteve, tenderi ka objekt “Sistemim asfaltim i rrugës Funarës-Zdranjsh, Njësia Administrative Orenje, Bashkia Librazhd”, pra për shtrimin e një rruge që lidh dy fshatra në këtë zonë.
Ky është një hap pozitiv sepse flitet për dy fshatra të thellë që nga mungesa e infrastrukturës gjatë dimrit bllokohen fare me pjesën e qytetit. Por, kur shohim prapaskenat e tenderit mendojmë se kësaj rruge do t’i hidhet një shtresë asfalti dhe pjesa tjetër do të filtrohet në xhepat e korrupsionit.
Sipas të dhënave, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 12 prill 2024, por duket se procesi do të stërzgjatet sepse më datë 2 prill 2024, pranë Komisionit të Prokurimeve Publike ka mbërritur një ankesë nga firma “Rej” shpk, në pronësi të biznesmenit Luan Kapri.
Shkeljet:
Kompania kërkon që të modifikohen disa kritere në këtë tender, pasi janë diskriminuese. Konkretisht, Kapri shprehet se bashkia ka vendosur një listë punonjësish që duhet të jenë në dispozicion, por në fakt një pjesë e mirë e tyre nuk përputhen me objektin e tenderit. Duke u shprehur se janë kërkesa të tepërta dhe i janë përshtatur vetëm ndonjë firmë të posaçme.
“Referuar natyrës së objektit të prokurimit i cili ka te bëjë vetëm me sistemim dhe asfaltim rruge por referuar dhe zërave të punimeve të pacaktuara në preventivin bashkëlidhur dokumenteve të tenderit, rezulton se shumica dërrmuese e stafit mbështetës të kërkuar nuk gjendet në proporcion me objektin e kontratës, volumeve dhe vlerës së tij”, shprehet Kapri, duke në lënë të kuptojmë që fondi limit i vendosur është tepër i lartë sepse do të behet vetëm rehabilitim i rrugës dhe jo ndërtim nga e para.
Gjithashtu, nëse shohim me kujdes kriteret, konstatohet se përveçse kërkohet që Eksperti Zjarrfikës të jetë pjesë stafit, të figurojë edhe në listëpagesën e shoqërisë për periudhën e fundit.
Ekspertiza nga një ekspert zjarrfikës mund të realizohet më së miri edhe përmes kontraktimit të një subjekti që është i licencuar për këtë punë dhe s’ka pse të jetë domosdoshmërisht i punësuar pranë operatorit ekonomik dhe të figurojë në listëpagesat e tij.
Në këtë pikë Kapri shprehet se “Për sa më sipër kërkojmë që ky kriter të hiqet fare, ose në rast se mire argumentohet nga autoriteti kontraktor për arsyen pse është vendosur, Eksperti zjarrfikës të lejohet të kontraktohet nga operatori”.
Më tutje ankimuesi thekson se “është kërkuar disponimi Përgjegjës për dëmet në mjedis, edhe kjo është një kërkesë e mbivendosur pasi në stafin inxhinierik është kërkuar prezenca e një inxhinieri Mjedisi, i cili vlerëson dhe ndjek realizimin e punimeve gjatë gjithë kohës me qëllim evidentimin dhe shmangieve të dëmeve të mundshme në mjedis”. Në thelb Kapri po tregon se Disha ka përfshirë në dokumentet e tenderit staf që nuk është i nevojshëm ose janë të mbivendosur, çka automatikisht rrisin edhe vlerën e fondit limit.
Premtime boshe:
Duke marrë parasysh se po bëhet arnimi i një rruge në fshat, këto argumente qëndrojnë dhe thellojnë dyshimet që fituesi është i paracaktuar, po ashtu fondi limit është i fryrë.
Asfaltimi i rrugës është një premtim elektoral që përsëritet prej 10 vjetësh. Ky segment rrugor me gjatësi më pak se 900 metra fillon nga fshati Funarës dhe vazhdon deri në qendrën e fshatit Zdrajsh. Infrastruktura rrugore ekzistuese në këtë segment mund të përshkruhet me pak fjalë e amortizuar për shkak të mirëmbajtjes së ulët. Duke parë afatin e vendosur për kryerjen e asfaltimit, që është 10 muaj, kuptohet se për shkak të reshjeve në dimër, punimet do të pezullohen. Pra, këtu ka një llogaritje elektorale, që asfalti të hidhet për zgjedhjet e ardhshme.
Nga ana tjetër, denoncuesi Luan Kapri i cili paska mbetur i pakënaqur nga kryebashkiaku, i di shumë mirë të çarat e prokurimeve. Duke qenë se vetë ka përfituar në shumë raste në tendera pa garë, Kapri e kupton se me këto kritere është dikush tjetër që po favorizohet. Kështu, beteja për të përfituar këtë fond do të zhvendoset në Tiranë.
Theksojmë se Disha nuk e ka herën e parë që denoncohet publikisht për manipulimin e tenderave dhe favorizimin e biznesmenëve të ndryshëm.
Më datë 26 korrik 2023, kur sapo kishte marrë mandatin, kryetari Disha ka firmosur kontratën e tenderit me objekt “Ndërtim i shkollës së mesme Polis dhe ndërtim Palestre, Bashkia Librazhd”.
Në fakt bëhet fjalë për një shkollë dykatëshe ekzistuese dhe me këtë tender Disha vetëm sa do t’i rikonstruktonte fasadën dhe parashikonte t’i shtonte një palestër të vogël, kur kjo shkollë prej vitesh vuan mungesën e sistemit ngrohës.
Për këto punime Disha kishte lënë në dispozicion fondin limit me vlerë 930 milionë lekë. me aq para do kishte ndërtuar 3 shkolla në ato fshatra të Librazhdit ku nxënësit ecim me kilometra për të zhvilluar mësimin. Por, Disha e ka mendjen tek paratë që do përfitohen.
Prandaj kontratën ai ka nënshkruar kundër ligjit sepse ia ka dhënë pa garë ofertës më të shtrenjtë.
Në dokument tregohet se kanë paraqitur oferta 5 kompani, por 4 janë përjashtuar nga Disha sepse e kishte paracaktuar këtë kontratë për firmën Ergi Shpk, në pronësi të Nuri Ballës. Sipas raportimeve në media, në Prokurorinë Elbasan dhe në SPAK, Balla është nën hetim për evazion fiskal, kontrabandë, pastrim parash dhe lidhje me bandat Sanxhaktari- Çela të kësaj zone.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post