Përplasje mes oligarkëve të shëndetësisë për të ndarë 1.2 milionë euro që prokuron ministrja Albana Koçiu dhe drejtorja e Qendrës Kombëtare të Gjakut, Irena Seferi. Kjo është ajo qendra që mban si foto prezantuese vullnetarët e dhurimit të gjakut, por në zyrat e saj firmosen kontrata miliona euro për qeska e filtra.
Në total është një projekt me vlerë afro 1.2 milionë euro, por është ndarë në disa lote. Ky tender bëhet çdo vit dhe përfituesit janë të njëjtë. Kur prishet loja e tenderit (pazari) oligarkët përdorin KPP-në për të fituar kohë sa të gjejnë një marrëveshje për ndarjen e parave të këtij sektori të Ministrisë së Shëndetësisë.
Pse u rrit fondi i tenderit brenda një viti?
Në lotin e parë bëhet fjalë për një tender që është hapur më datë 5 mars 2024 nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, firmosur nga drejtorja Irena Seferi. Kjo e fundit ka planifikuar të shpenzojë 262 milionë lekë për këtë prokurim që ka si objekt “Qesë gjaku për mbledhjen dhe përpunimin e gjakut”.
A duhen kaq shumë qese? Është një tender ku fondi limit nuk ka lidhje nevojat apo mungesën e këtij materiali. Përfundimin e nxjerrim pasi bëjmë një krahasim: Në vitin 2020 u prokuruan
21 326 600,00 lekë për qese ose 50 milionë lekë më pak se në vitin 2024. Në atë kohë me kaq lekë, sipas dokumenteve, u furnizuan 28 mijë qese për përpunim dhe mbajtje të gjakut.
Në vitin 2023 është rritur fondi limit dhe ka shuar në shifrën 29 266 800,00 lekë, ndërkohë që janë blerë 35 600 qese gjaku. Ndërsa për të katër lotet shuma totale e prokuruar ishte 860 960.52 euro. Tenderi u zhvillua në prill 2023 dhe iu dha vlerësimi me “Flamur të kuq” për shkak se kishte konkurrencë fiktive. Në procedurë merrnin pjesë “BIOMETRIC ALBANIA ” SHPK dhe “Mediline” SHPK, por kjo e dyta nuk paraqiti fare ofertë.
Çfarë ndodhi që këtë vit është rritur fondi total limit për të katërta lotet me afro 360 mijë euro, ndërkohë që numri i qeseve ulet me 2 mijë copë?
Tabela e mësipërme tregon se sa mallra do të furnizohen gjatë vitit 2024 në Qendrën Kombëtare të Gjakut. Në dokumentet standarde të tenderit nuk ka asnjë rresht që të argumentojë se si është caktuar fondi limit dhe cilat janë nevojat për secilin mall. Këto zyrtare, kur të vijë momenti, do t’ia tregojnë SPAK-ut pse u rrit fondi i tenderit brenda një viti dhe pse e eliminojnë konkurrencën?
Vilma Nushi i shpall “luftë” Shahin Kadaresë
Kompania “Biometric Albania” e ka një nga specialitetet e saj këtë tender dhe e fiton me “Flamur të kuq” qysh nga viti 2016.
Edhe sivjet, kjo nuk është më çudi, kur shohim që në garë kanë marrë pjesë miq të përhershëm që shqyejnë këtë fond. Më i rëndësishmi është Artur Kadareja i cili është pronar i Biometric Albania Sh.P.K. Gjithsesi, këtë vit kjo kompani ka hasur vështirësi sepse është futur në lojë një oligark tjetër që ia ka vënë syrin tenderit të qeseve të gjakut.
Përballë Kadaresë në fazën e parë kanë qenë edhe dy firma të tjera, por deri në fazën finale Seferi i ka përjashtuar ato të dyja nga gara. Kështu, më datë 5 prill 2024, ditën që u zhvillua tenderi u shpall menjëherë fituese firma e Kadaresë. Në mungesë të konkurrencës dhe duke shkelur ligjin mbi prokurimet, si çdo vit, Kadare futi në xhep kontratën e cila vlen 262 milionë lekë.
Sakaq, Open Data Albania i ka vendosur sërish “Flamur të kuq” në krah të tenderit me përshkrimin “risk korrupsioni”. Gjithsesi ky alarm nuk është marrë në konsideratë as nga ministrja Koçiu dhe as nga vartësja e saj Irena Seferi.
Por, një nga firmat që paraqiti ofertë ka bërë denoncim për këtë tender. ‘Trimed’ Sh.P.K. e themeluar nga Vilma Nushi, sot në pronësi të nipit të saj Endrit Hido, ka bërë ankesën më datë 7 maj 2024.
Nga shqyrtimi paraprak i ankesës të sipërcituar, u konstatua se objekti i ankesës lidhet me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga operatori ekonomik ankimues “TRIMED” SHPK. Konkretisht Hido pretendon se oferta e tyre është skualifikuar pa të drejtë, madje kishin ofertën më të mirë.
Shkurtë dhe qartë ky projekt që kap miliona euro ka sjellë aty afër një tufë peshkaqenësh që kanë ndjerë erën e tenderit qeseve të gjakut. Edhe pse bëhet fjalë për një institucion me rëndësi strategjike si Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, vazhdon e patrazuar loja me tenderat që ka nisur një dekadë më parë, me të njëjtët personazhe.
Tjetër denoncim për tenderin
E njëjta skenë korruptive e krijuar nga Koçiu dhe Seferi në lotin 1 është zhvilluar me lotin 2 të këtij prokurimi. Ky ka për objekt “Filtra Deleukocitar dhe bashkues laboratori për masat trombocitare”. Janë në lojë 93 milionë lekë në tenderin që që valvit “Flamurin e kuq” për shkeljet që janë bërë.
Në fillim janë paraqitur 3 oferta për këtë tender dhe sërish, në kundërshtim me rregullat, në fazën e fundit është shqyrtuar vetëm një ofertë. Këtë herë i përzgjedhur ishte biznesmeni Orion Struga, i njohur si një nga të përkëdhelurit e ministrave të Shëndetësisë duke u favorizuar pa garë.
Që Struga e ka përfituar edhe këtë tender në mungesë të konkurrencës është fakt dhe këtë e vërteton ‘Red Flag’ që i ka vendosur portali monitorues Open Data Albania. Është sërish ‘Trimed shpk’ që ka bërë denoncimin. Dhe ajo çka kërkon nipi i Vilmës është që t’i kalohet atij kontrata. Me sa duket oligarkja e tenderave dhe koncesionit të Check Up është në sulm për ta marrë në sqetullën e saj edhe Qendrën Kombëtare të Gjakut.
Zyrtarët dhe biznesmenët që pijnë gjakun taksapaguesve
Abuzimi për fondet që shpenzohen në lidhje me furnizimin me gjak nuk paska fund. Këto prapaskena ndodhin edhe në qytetin e Lushnjës, e cila dihet tashmë që është një nga zonat ku kërkohet më shumë gjak për shkak se talasemia është më e përhapur.
Po flasim për tenderin me Nr. REF98896-03-20-2024, me objekt: “Blerje centrifuge për bankën e gjakut” me fond limit 5 400 000 lekë pa TVSH, zhvilluar me datë 09.04.2024 nga autoriteti kontraktor, Drejtoria e Spitalit “Ihsan Cabej” Lushnjë.
Ky tender është zhvilluar më datë 9 prill 2024 dhe në datën 7 maj 2024, nëpërmjet Sistemit të Ankesave Elektronike pranë Komisionit të Prokurimit Publik, është administruar denoncimi i operatorit ekonomik “Krijon” SHPK.
Në ankesën e bërë kjo firmë pretendon se oferta e saj është skualifikuar pa të drejtë, duke theksuar se Autoriteti Kontraktor ka vendosur në tender kritere të paqarta të cilat paralizojnë operatorët që duan të konkurrojnë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post