Personi në fotografi është 58-vjeçari Dritan Nano, i arrestuar nga policia e Tiranës si organizatori i dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur në zonën e “ish-Bllokut”.
Burime pranë grupit hetimor thanë se ai ka mohuar akuzat se ka organizuar sulmin ndaj avokatit, i cili vijon të qëndrojë i shtruar në spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Konflikti
Policia e Tiranës konfirmoi një ditë më parë se avokati është dhunuar për shkak të detyrës dhe konkretisht për një proces gjyqësor për çështje pronash.
“Nga veprimet hetimore rezulton se i dëmtuari Sokol Mëngjesi me profesion avokat, është goditur për shkak të detyrës. Po nga veprimet hetimore rezulton se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës. Proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore ‘ALTERUM SHPK’”, deklaroi kreu i Policisë së Tiranën Tonin Vocaj.
Avokati Mëngjesi përfaqësonte në një proces gjyqësor 8 trashëgimtarë të një prone, proces që është fituar prej tyre në të dy shkallët e gjyqësorit. Paraprakisht, të 8 trashëgimtarët kishin firmosur një kontratë për pagesat që do i jepnin avokatit Sokol Mëngjesi në rast se gjyqi do të fitohej. Pas gjyqi është fituar, 7 prej palëve i kanë dhënë paratë Mëngjesit dhe studios së tij ligjore “ALTERUM SHPK” sipas kontratës së firmosur, përveç Dritan Nanos.
Për këtë, avokati ka hapur një çështje gjyqësore ndaj Dritan Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi i ka bllokuar pronën 58-vjeçarit, duke mos lejuar shitjen. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Dritan Nano ka angazhuar lidhjet e tij duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte. Hetimet kanë zbuluar se palët kanë pasur një takim rreth një muaj më parë, por nuk është arritur dakordësia mes tyre për të zgjidhur konfliktin lidhur me pronën që ndodhet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, ku janë ndërtuar kulla.
Pamje nga momenti i sulmit ndaj avokatit
Sipas Policisë të Tiranës, autorët që kanë dhunuar avokati Sokol Mëngjesi janë: Dorian Alia, Drivald Alia dhe Elton Kasaj, ndërsa Romaroi Tabaku i ka ndihmuar për t’i larguar pas krimit me një automjet tip “Audi”.
Në një konferencë për mediat një ditë më parë, kreu i policisë së Tiranës tha se nga hetimet paraprake rezulton se autorët e sulmit nuk janë paguar, por kanë qenë lidhje krushqie me palën në konflikt me avokatin.
Pamje nga momenti i sulmit ndaj avokatit
Momentalisht është vetëdorëzuar vetëm Dorian Alia, teksa tre të tjerët vijojnë ende të jenë në kërkim. Në dëshminë e dhënë pas arrestimit, Alia ka pranuar që ka qenë pjesë e sherrit dhe ka goditur vetëm një herë avokatin me grusht, thanë burime pranë grupit hetimor. I pyetur për mënyrën e organizimit të dhunës, Alia është shprehur se e kanë ndjekur prej disa ditësh avokatin dhe se autorët kanë qëndruar në kontakt me njëri-tjetrin për koordinimin e sulmit. Sipas tij, ata nuk kanë pasur qëllim t’i shkaktojnë dëmtime të rënda.
Discussion about this post