Shkencëtarët po zbulojnë se ilaçet kundër obezitetit mund të ndihmojnë edhe me shumë sëmundje të tjera, shkruan The Economist
Përbindëshi Gila është një hardhucë helmuese e Amerikës së Veriut me gjatësi rreth 50 centimetra dhe sipërfaqen e ka të mbuluar nga një shtresë luspash të zeza dhe portokalli.
Ky zvarranik letargjik, i cili kryesisht banon nëntokë dhe ushqehet vetëm tre deri në katër herë në vit, është frymëzimi për një nga sukseset më të mëdha farmaceutike: një lloj i ri ilaçesh për humbje peshe që kanë tërhequr vëmendjen e pacientëve dhe investitorëve në gjithë botën.
Këto ilaçe u krijuan fillimisht për diabetin, por janë rritur provat që tregojnë se kanë përfitime edhe për sëmundjet e zemrës, veshkave, mëlçisë dhe më gjerë. Që nga fundi i viteve 1980, shkencëtarët besonin se një hormon i zorrëve me emrin “peptid i tipit glukagon 1” (GLP-1), i cili sekretohet nga zorrët pas ngrënies së një vakti mund të ndihmojë në trajtimin e diabetit.
GLP-1 rrit prodhimin e insulinës (një hormon që ul nivelin e sheqerit në gjak) dhe ul prodhimin e glukagonit (që rrit nivelin e sheqerit në gjak). Por GLP-1 shpërbëhet shumë shpejt nga enzimat në trup, kështu që qarkullon vetëm për disa minuta. Prandaj, nëse do të përdorej si ilaç, pacientët do të duhej ta merrnin si injeksion çdo orë.
Në vitin 1990, John Eng, studiues në Qendrën Mjekësore të Veteranëve në Bronx, zbuloi se hormoni Exendin-4, që gjendet në helmin e Përbindëshit Gila ishte i ngjashëm me hormonin GLP-1 të njeriut.
Më e rëndësishmja, hormoni Exendin-4, që lëshohej pasi hardhuca hante një nga vaktet shumë të rralla, ishte më i qëndrueshëm ndaj zbërthimit enzimatik sesa hormoni GLP-1 dhe qëndronte në trup për orë të tëra.
U desh më shumë se një dekadë që gjiganti farmaceutik amerikan Eli Lilly dhe kompania bioteknologjike Amylin Pharmaceuticals, të ndërtonin një version sintetik të hormonit Exenatide dhe që ky version të miratohej për të kuruar diabetin në Amerikë. Zbulimi nxiti firmat e tjera që të zhvillonin barna më efektive dhe më afatgjata të tipit GLP-1, si një mundësi trajtimi për diabetin, përveç injektimeve të insulinës.
Shkencëtarët kishin qenë gjithashtu të vetëdijshëm se GLP-1 kishte një tjetër efekt anësor: ai ngadalësonte shkallën e “zbrazjes së stomakut”, gjë që lejon që ushqimi të qëndrojë në stomak për një kohë më të gjatë dhe reduktonte oreksin.
Por përfitimet e mundshme të humbjes së peshës nuk u ndoqën seriozisht në fillim.
Vetëm në vitin 2021, kompania daneze Novo Nordisk tregoi të dhëna nga një provë klinike ku pacientëve mbipeshë ose obezë, ju dha për 68 javë një dozë javore e ilaçit diabetik me bazë GLP-1, i cili më pas u tregtua me emrin Ozempic.
Rezultatet ishin mbresëlënëse. Pjesëmarrësit kishin humbur mesatarisht 15% të peshës trupore.
Fitimet e majme
Ilaçet që imitojnë hormonin GLP-1, më pas u bënë një sukses i menjëhershëm. Duke marrë parasysh se gjysma e popullsisë së botës pritet që të jetë obeze ose mbipeshë deri në vitin 2030, sipas Federatës Botërore të Obezitetit, kërkesa për këto barna është në rritje.
Bloomberg, ofrues i të dhënave, vlerëson se këto ilaçe do të arrijnë shitje vjetore me vlerë 80 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Tregu parashikohet të rritet me 26% në vit në pesë vitet e ardhshme, krahasuar me 16% në vit për barnat onkologjike dhe 4% në vit për ilaçet imunologjike, që janë dy fushat e tjera më të mëdha të farmaceutikës.
Deri tani, vetëm tri barna të tipit GLP-1 janë miratuar për kurimin e individëve obezë ose mbipeshë: këto quhen liraglutid dhe semaglutid, të prodhuara nga kompania Novo; dhe tirzepatid, prodhuar nga kompania Lilly. Por tregu tashmë ka tërhequr shumë rivalë (shih grafikun 1).
Bloomberg po gjurmon rreth 100 lloje të reja ilaçesh imituese që janë në fazën e provave. Shumica e këtyre terapive të reja shpresojnë të tejkalojnë ilaçet semaglutid dhe tirzepatid, qoftë duke krijuar ilaçe që janë më të lehta për t’u marrë, që shkaktojnë më pak efekte anësore ose që sjellin humbje më të mëdha peshe (shih grafikun 2).
Një problem është forma e marrjes së ilaçeve. Si semaglutidi, ashtu dhe tirzepatidi, janë injektime që duhet të merren çdo javë. Nëse e ndaloni dozën, pjesa më e madhe e peshës do të rikthehet brenda një viti.
Amgen, një firmë e madhe bioteknike amerikane, po krijon një ilaç kundër obezitetit që merret një herë në muaj dhe shpreson se efektet e humbjes së peshës do të zgjasin edhe pas përfundimit të trajtimit.
Ilaçi nga Amgen aktivizon receptorët për GLP-1 dhe bllokon receptorët e polipeptidit insulinotropik (GIP), një hormon që sekretohet në zorrën e hollë në përgjigje të marrjes së ushqimit dhe që stimulon prodhimin e insulinës dhe glukagonit.
Kompania tani po kryen prova klinike për të zbuluar nëse me kalimin e kohës, pacientët mund të ulin në mënyrë të përshkallëzuar dozat e ilaçit.
Nga injektime në pilula
Kalimi nga injektime në pilula, gjithashtu do t’i bënte ilaçet shumë më të tolerueshme për ata që nuk durojnë dot gjilpërat. Kompania Novo po punon për të krijuar një version oral të semaglutidit, që funksionon po aq mirë sa injektimi. Por pilula kërkon një sasi 20 herë më të lartë të këtij përbërësi aktiv sesa injektimi, si dhe duhet të merret çdo ditë.
Duke qenë se ka mungesa të semaglutidit, kompanisë Novo i është dashur të shtyjë hedhjen në treg të versionit oral të ilaçit. Kompania Lilly gjithashtu po punon për krijimin e një pilule ditore që shënjeston receptorët GLP-1 të quajtur orforglipron.
Një tjetër pengesë e ilaçeve me bazë GLP-1 janë efektet anësore si përzierja dhe të vjellat, që shoqërojnë shpesh përdorimin e tyre. Kompania bioteknike daneze Zealand Pharma po punon për krijimin e një ilaçi që mbështetet në një hormon tjetër të quajtur amilinë, që prodhohet në pankreas së bashku me insulinën, në përgjigje të marrjes së ushqimit.
Por ndryshe nga GLP-1, që shtyp oreksin, amilina shkakton ndjenjën e të ngopurit pas një vakti.
Adam Steensberg, drejtuesi i kompanisë Zealand, thotë se në shumicën e njerëzve, një hormon me emrin leptinë çlirohet nga indet dhjamore, duke i sinjalizuar trurit se njeriu është ngopur. Individët obezë janë të pandjeshëm ndaj këtij hormoni.
Studimet klinike kanë treguar se analogët e amilinës mund t’i bëjnë njerëzit sërish të ndjeshëm ndaj leptinës, duke i ndihmuar ata të ndalojnë së ngrëni më herët. Ndjenja e të ngopurit, në vend të ndjenjës së uljes së oreksit, mund të zvogëlojë gjithashtu simptomat e të përzierit.
Zoti Steensberg thotë se rezultatet nga provat në fazat e hershme, tregojnë se ilaçi i tij mund të sjellë humbje peshe të ngjashme me ilaçet GLP-1, por me më pak efekte anësore, si të përziera dhe të vjella.
Pasojat
Përveç gjilpërave të bezdisshme dhe efekteve anësore, një shqetësim më i madh është se pacientët që marrin këto barna nuk humbin vetëm dhjamin, por edhe masën muskulore. Disa pacientë humbasin pothuajse 40% të masës jodhjamore, një shqetësim serioz për pacientët e moshuar. Për ta kundërshtuar këtë efekt, kompanitë po vënë në provë edhe ilaçe që trajtojnë atrofinë muskulore.
Kompania farmaceutike amerikane Regeneron po vë në provë disa barna që bllokojnë miostatinën dhe aktivinën, dy proteina që pengojnë rritjen e muskujve. Nëse këto barna merren së bashku me semaglutidin, ndërthurja e tyre mund ta bëjë më të shëndetshme humbjen e peshës duke ruajtur muskujt e dobët.
Në mënyrë të ngjashme, kompania teknologjike BioAge, me seli në Kaliforni, po vë në provë një ilaç që mund të merret së bashku me tirzepatidin e kompanisë farmaceutike Lilly.
Ky ilaç i quajtur Azelaprag imiton hormonin apelinë që sekretohet pas stërvitjes fizike, duke vepruar mbi muskujt skeletorë, zemrën dhe sistemin nervor qendror, për të rregulluar metabolizmin dhe për të nxitur ripërtëritjen e muskujve. Te minjtë obezë, kjo ndërthurje çoi në humbje më të madhe peshe krahasuar me marrjen vetëm të ilaçit tirzepatid, duke ruajtur indet muskulore të trupit.
Ilaçet për dobësim nuk janë vetëm për të hequr kilogramët e tepërt. Për shkak se obeziteti është i lidhur me mbi 200 probleme shëndetësore, duke përfshirë goditjet në tru, problemet e veshkave dhe mëlçinë e dhjamosur, ilaçet GLP-1 janë të dobishme edhe në shumë fusha të tjera të mjekësisë.
Një provë klinike e fundit nga Novo që zgjati për pesë vjet dhe përfshiu më shumë se 17,500 pjesëmarrës zbuloi se semaglutidi ul me 20% rrezikun e problemeve serioze të zemrës si atakun kardiak, goditjet në tru ose vdekjen nga sëmundjet e zemrës.
Kompania Novo beson se përfitimet për zemrën nga ky trajtim nuk janë vetëm për shkak të humbjes së peshës, sepse ulja e rrezikut të problemeve kardiovaskulare vihet re herët, përpara se pacientët të humbasin peshë.
Në mars, semaglutidi u miratua nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës te njerëzit obezë ose mbipeshë, hera e parë që miratohet një ilaç për humbje peshe për këtë qëllim. Rezultatet nga një tjetër provë klinike, kanë treguar se semaglutidi ul rrezikun e sëmundjeve të veshkave me 24%, në pacientët me diabet të tipit 2.
Një tjetër ilaç për humbje peshe, survodutidi, i krijuar nga kompania gjermane Boehringer Ingelheim dhe kompania Zealand ka treguar rezultate premtuese në aftësinë për të trajtuar një problem serioz të mëlçisë të quajtur steatohepatit, që lidhet me mosfunksionimin metabolik.
Kjo gjendje shkaktohet nga grumbullimi i yndyrës së tepërt në mëlçi dhe mund të çojë në kancer të mëlçisë ose dështim të mëlçisë.
Në një provë të fundit me 295 pacientë, 83% e tyre patën një përmirësim të ndjeshëm kur u trajtuan me survodutid, krahasuar me 18% të atyre që trajtoheshin me terapi placebo. Survodutidi shënjestron receptorët për GLP-1 dhe glukagonin.
Waheed Jamal nga firma Boehringer Ingelheim, thotë se ka prova që glukagoni zbërthen më shumë yndyrë në mëlçi, krahasuar me hormonin GLP-1 dhe ul fibrozën (formimin e indit të tepërt në mëlçi).
Ndikimi në stomak dhe tru
Duke qenë se i është kushtuar shumë vëmendje ndikimit të këtyre ilaçeve në përmirësimin e shëndetit metabolik, shkencëtarët tani po zbulojnë se këto barna ndikojnë edhe në tru dhe në sistemin imunitar, duke ndërvepruar me receptorët GLP-1 në tru.
Daniel Drucker, studiues i diabetit në Spitalin Mount Sinai në Toronto, zbuloi se te minjtë që vuanin nga inflamacioni i gjerë në të gjithë trupin, ilaçet GLP-1 e zbusnin inflamacionin, por vetëm kur receptorët në tru nuk ishin të bllokuar.
Kur receptorët e trurit te minjtë bllokoheshin, vetitë anti-inflamatore të ilaçeve humbisnin. Kjo tregon se ilaçet GLP-1 zbusin inflamacionin, duke vepruar në qelizat e trurit.
Kjo do të thotë se këto barna mund të jenë të dobishme për trajtimin e çrregullimeve të trurit që lidhen me inflamacionin, si sëmundja e Alzajmerit dhe sëmundja e Parkinsonit.
Që nga viti 2021, kompania farmaceutike Novo ka kryer një provë klinike që përfshin më shumë se 1800 pacientë për të marrë vesh nëse semaglutidi ndihmon pacientët në fazat e hershme të Alzajmerit. Ky studim pritet të përfundojë në vitin 2026.
Doktor Drucker mendon se cilësitë anti-inflamatore të barnave GLP-1 janë çelësi i efikasitetit të tyre. Ai vëren se, përveç Alzajmerit dhe Parkinsonit, inflamacioni kronik është një faktor që kontribuon edhe në ndërlikimet shëndetësore për njerëzit obezë dhe me diabet të tipit 2, dhe prek organe si veshkat, zemrën, enët e gjakut dhe mëlçinë.
Nëse këto barna do të ndihmojnë në trajtimin e këtyre problemeve, doktor Drucker beson se një arsye për këtë sukses do të jenë pikërisht vetitë e tyre që lidhen me uljen e inflamacionit.
Efektet e reduktimit të oreksit kanë rritur gjithashtu interesin për aftësinë që mund të kenë këto barna edhe për të frenuar dëshirat e tjera të shfrenuara njerëzore. Studiuesit në Danimarkë hetuan efektin e barnave GLP-1 te 130 njerëz që vuanin nga alkoolizmi.
Ata nuk gjetën asnjë ndryshim në konsumimin e alkoolit midis pacientëve që përdorën barnat (krahas terapisë), krahasuar me ata që u trajtuan me terapi placebo. Sidoqoftë, një nëngrup i pacientëve obezë që merrnin ilaçet, përfunduan duke pirë më pak alkool.
Studiuesit këqyrën gjithashtu veprimtarinë e trurit të pacientëve, kur panë foto të pijeve alkoolike. Atyre që ndiqnin terapinë placebo, ju ndezën qendrat e shpërblimit në tru; ndërsa në pacientët që merrnin ilaçet GLP-1, u zbut veprimtaria në zonat e trurit të lidhura me shpërblimin dhe varësinë, duke treguar se ilaçi ka një efekt të drejtpërdrejtë në tru.
Studiuesit tani po këqyrin nëse ilaçi mund të ketë një ndikim në mënyrën se si njerëzit përdorin substanca të tjera që shkaktojnë varësi, si duhani ose marijuana.
Të gjitha këto zbulime janë ende në fazat e hershme. Prodhimi i barnave të reja është i kushtueshëm dhe kërkon kohë.
Gjithashtu ka norma të larta dështimi. Sukseset në laborator mund të mos funksionojnë te njerëzit dhe rezultatet në grupe të vogla mund të mos përsëriten në ato më të mëdha.
Por duke pasur parasysh potencialin për të trajtuar shumë probleme të tjera shëndetësore përveç obezitetit dhe diabetit, shpresa për këto ilaçe të reja vetëm sa do të rritet.
Discussion about this post