Një skandal i ngjashëm me atë të Charles Mcgonigal ka tronditur Rumaninë këto ditë. Në qendër të kësaj furtune është një ish-gjeneral i shërbimeve sekrete rumune, Florian Coldea-n, i cili po hetohet nga prokuroria rumune pasi dyshohet se ka ushtruar ndikimin e tij te magjistratë në disa çështje të drejtësisë për përfitime personale. Rastin e tij, kryeministri rumun “Marcel Ciolacu” e cilëson “problem të sigurisë kombëtare”, ndërsa mediat në Rumani kanë raportuar për lidhjet e ish-shefit të Inteligjencës rumune (SRI) me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare.
Coldea dyshohet se është përfshirë në një rrjet të trafikut të kokainës direkt nga karteli i Sinaloas meksikane përmes Shqipërisë me destinacionon Bukureshtin.
Sipas mediave rumune, e dashura e ish-zyrtarit të inteligjencës rumune u siguronte kokainë pasanikëve të Bukureshtit në festa që zhvilloheshin në kryeqytetin rumun, ku nuk mungonin as eskortat. Përveç trafikut të drogës, dyshohet se festat filmoheshin dhe më pas personave pjesëmarrës, mes tyre biznesmenë e politikanë ,u bëhej shantazh dhe Coldea arrinte tu merrte para përmes lidhjeve të kontratave të konsulencës.
Gjenerali rumun raportohet se ofronte mbrojtje për rrjetin që e sillte kokainën nga Meksika drejt Shqipërisë dhe më pas në Rumani ku shpërndahej kryesisht në zonat e pasura.
Sipas gazetës rumune, “EVZ”, gjenerali rumun ishte rekrutuar në këtë rrjet nga Dorian Duçka. Ndërmjetësja e kësaj historie ishte e dashura e gjeneralit, e quajtur Marina Pandarof.
Gazeta ka publikuar edhe një foto ku shfaqet gjenerali së bashku me Dorian Duçkën dhe të dashurën e tij, të cilën mediat e etiketojnë si ‘biondja fatale’.
“Fotoja është bërë në Berlin, ku të tre u takuan për të bërë pazare droge në zinxhirin Meksikë-Shqipëri-Bukuresht’. Siç mund ta shihni, gjenerali ishte shumë i dashuruar me bionden e tij fatale,” shkruan gazeta.
Ndërkohë, Romania TV raporton se gjenerali kishte fituar një kontratë konsultimesh në Shqipëri, madje këshillonte edhe vetë Edi Ramën, të cilin televizioni e cilëson si ‘një nga politikanët më kontrovers në rajon’.
“Shqipëria është e famshme për faktin se bandat shqiptare kanë zhvilluar “industri” reale të armëve, alkoolit, kontrabandës së cigareve dhe naftës, trafikut të drogës dhe prostitucionit. Sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine sillen në Shqipëri, të cilat shpërndahen në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe më pas transportohen në Perëndim. Dhe ky Dorian Duçka njihet për gazetarët shqiptarë si njeriu që ndihmon kryeministrin Edi Rama në marrëdhëniet e tij me biznesin dhe mjedisin kriminal shqiptar. Për shkak të afërsisë së tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama, karriera e Dorian Duçkës nuk ka qenë pa polemika, duke u dyshuar për dy raste korrupsioni dhe lidhje me krimin e organizuar,” raporton Romania TV.
Media rumune sjell në kujtesë edhe takimin në kryeministri mes Ramës dhe biznesmenit Luftar Hysa, të akuzuar si i lidhur me kartelin famëkeq meksikan “Sinaloa”.
“Në shtator 2022, gazeta meksikane “El Universal” botoi një raport të forcave meksikane kundër drogës, sipas të cilit Karteli Sinaloa (dikur i udhëhequr nga famëkeqi Joaquín “El Chapo” Guzmán) krijoi një aleancë me mafien shqiptare, si rezultat i së cilës trafikantët meksikanë filluan të pastrojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri. Sipas autoriteteve meksikane, lideri i kartelit, Ismael Zambada García, i njohur si El Mayo, ka krijuar marrëdhënie të ngushta me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, biznesmenë të njohur shqiptarë me lidhje në nivel qeveritar. Lidhjet e tyre në nivel qeveritar janë pikërisht ai që mendoni ju, Dorian Duçka, njeriu i kryeministrit Edi Rama,” raporton Romania TV.
“Një foto e bërë në vitin 2020, tregon se si tre persona—Mark Hauptmann, një ish-deputet i partisë CDU-CSU të Gjermanisë (i akuzuar për korrupsion); Luftar Hysa, partner i kartelit Sinaloa; dhe Besnik Lulaj, një biznesmen i njohur shqiptar që zotëron Marina Bay, një firmë e madhe ndërtimi hotelesh dhe resortesh në Shqipëri, po largohen nga zyra e kryeministrit Edi Rama. Dorian Duçka, i cili raportohet se është në kontakt me përfaqësues të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të kartelit meksikan, organizoi takimin, sipas mediave shqiptare. Ne e kemi përshkruar me detaje këtë tablo politike në Shqipëri që të kuptoni dhe shihni nivelin e korrupsionit në krye të shtetit dhe kuptoni më mirë pse, në këtë mjedis, Florian Coldea ia dilte si peshku në ujë në mjedisin e tij,” shkruhet më tej në raportim.
Në shkrim, rasti i ish-zyrtarit rumun shihet i ngjashëm me atë të McGonigal. “Praktikisht, Charles McGonigal u akuzua në SHBA pikërisht ajo për të cilën akuzohet tani Florian Coldea, se ai përdori informacionin konfidencial të marrë gjatë detyrës së tij publike në interes të tij për të siguruar suksesin e tij në biznes”, shkruan media rumune.
Sipas “Romania TV” dhe medieve të tjera rumune, FBI po e heton intensivisht këtë rrjet të trafikut.
Discussion about this post