Emisioni “Në Shënjestër”, i gazetares Klodiana Lala në News24, ka zbardhur detaje nga dosja hetimore për vrasjen e “Dodës”, ashtu sikundër njihet në Elbasan, ish-oficeri i antidrogës, Roland Rexhepi. Ky i fundit u ekzekutua në vitin 2009, ndërsa gjurmët daktiloskopike në një furgon që mendohet se u përdor për krimin, identifikuan Donald Hoxhën. Më pas ishte ky i fundit që nga dëshmitë e dhëna ka zbuluar Gëzim Ballën, një tjetër emër të dyshuar si të përfshirë në krim.
Përpara se të vinte në Shqipëri dhe të jepte deklarata për hetuesit këtu, Donald Hoxha, rrëfeu nga Anglia ku ndodhej për familjarët e tij, se ai ishte përfshirë pa dijeninë e tij, në organizimin që përfundoi në vrasjen e Roland Rexhepit.
Ai nuk e mohoi për asnjë çast se kishte dijeni për ekzistencën e furgonit ‘Renault’ të bardhë dhe se kishte udhëtuar me këtë automjet, si edhe të faktit që gjurmët që janë gjetur në makinë janë të tijat, por u shfajësua duke thënë se personi që e kishte përfshirë në këtë punë, nuk i kishte treguar të vërtetën se përse i duhej ky furgon.
Deklarime të cilat i dha për grupin hetues edhe babai i tij, që kishte mundur të bisedonte me të birin në Angli, fill pasi në banesën e tyre në Elbasan kishte mbërritur për kontroll policia, në fillim të vitit 2024.
Dosja Hetimore
Shtetasi Luan Hoxha, ka deklaruar se më datë 11 Janar 2024, ka folur në telefon me djalin e tij Donaldin, pasi ky i fundit ishte arrestuar në shtetin anglez me qëllim ekstradimin për vrasjen në vitin 2009 të shtetasit Roland Rexhepi.
Sipas babait të tij, Donaldi i ka pranuar faktin, që ka qenë ai që ka marrë furgonin në Maminas.
I gjendur në një situatë aspak të favorshme dhe me një akuzë të rëndë mbi supe, Donald Hoxha, del se në këtë rrëfim të tij për babain, ka treguar edhe emrin e personit që e mori me vete në Maminas për të blerë furgonin tip ‘Renault’ të bardhë. Që më pas del se u përdor në krimin e vrasjes së Roland Rexhepit atë mëngjes të datës 22 Korrik 2009, në Elbasan.
Ky person sipas të thënave të Donaldit, ishte Gëzim Balla.
Me të cilin kishte njohje, për shkak të pasionit të tij për makinat.
Luan Hoxha
Donaldi më pranoi se e kishte marrë ai furgonin në Maminas, por këtë e kishte bërë pasi ia kishte kërkuar Gëzim Balla, me të cilin së bashku kishin shkuar edhe e kishin blerë atje dhe më pas e kishin sjellë te stadiumi në Elbasan.
Por Donaldi më tha që nuk kishte patur dijeni përse duhej furgoni dhe se Gëzimin e njihte pasi në ato vite ai ishte shok me dajën e tij, shtetasin Mentor Fekollari.
Por i pyetur nga grupi hetues, në lidhje me njohjen e tij me Donald Hoxhën, Gëzim Balla mohoi që të njihte qoftë atë vetë, apo babain dhe dajën e tij.
Apo qoftë edhe të kishte blerë ndonjë furgon të bardhë në Maminas, siç kishte deklaruar Donaldi për të afërmit të tij.
Por ky mohim duket se ishte thjesht një taktikë për të fituar kohë nga Gëzim Balla, i cili, nga sa ndodhi më pas, do të shfrytëzonte periudhën e ekstradimit të Donald Hoxhës në Shqipëri, për t’u larguar nga vendi.
Dhe sigurisht prangosjes, sa kohë që zbuluesi i identitetit të tij si bashkëpunëtor në vrasjen e Roland Rexhepit, nuk kishte mbërritur për të dhënë hollësi të mjaftueshme të implikimit të Ballës në organizimin e vrasjes së ish-policit.
Dosja Hetimore
I pyetur nga grupi hetues, Gëzim Balla, mohoi njohjen me shtetasit Donald dhe Luan Hoxha si edhe Mentor Fekollari. Po kështu ai nuk pranoi të ketë dalë jashtë Shqipërisë me shtetasin Donald Hoxha. Apo të ketë marrë apo blerë ndonjë furgon të bardhë në Maminas në vitin 2009.
Ndërkohë që më datë 25 Prill 2024 u bë i mundur ekstradimi nga Anglia i personit nën hetim Donald Hoxha si edhe ekzekutimi i masës së sigurimit caktuar ndaj këtij shtetasi.
Por me të mbërritur në Shqipëri, në fundin e muajit prill, i ekstraduar nga Anglia, Donald Hoxha, rrëfeu fije e për pe, njohjen me Gëzim Ballën.
Dhe se si ky i fundit i kishte mbushur mendjen një ditë që të shkonin dhe të blinin një furgon në Maminas.
Kjo sipas Donaldit duke shfrytëzuar pasionin e tij prej djaloshari për makinat.
Kuriozitet të cilin Gëzimi, sipas rrëfimit të Donaldit, e shfrytëzoi mjaft mirë për ta përdorur për qëllimet e tij.
Donald Hoxha
Unë jetoj me dokumente të rregullta në Angli që prej vitit 2017.
Njohja ime me Gëzim Ballën, daton që nga fundi i vitit 2008, kur ai sapo kishte ardhur nga Greqia, pasi ishte shok me dajën tim, Mentor Fekollari, i cili tani quhet Menti Rroseni dhe jeton në Francë.
Unë Gëzimin nuk e kam patur shok, por e njoha më shumë gjatë kohës kur unë punoja te qendra e internetit në pronësi të dajës tim Mentorit dhe ai vinte shpesh aty.
Unë kam qenë gjithmonë i dhënë pas makinave dhe ka pasur raste që ia kam marrë Gëzimit makinën e tij për të bërë xhiro.
Në atë kohë ai ka pasur një automjet ‘Golf’ 4 ngjyrë blu dhe më pas ‘Peugeot’ apo ‘Citroen’ nuk e kujtoj dot fiks.
Duke u kthyer në kohë te dita kur shkuan të blinin furgonin ‘Renault’ të Bardhë që më pas u përdor në vrasjen e Roland Rexhepit, Donald Hoxha kujtoi edhe momentin kur Gëzim Balla erdhi te ai dhe i kërkoi të shkonin të merrnin një makinë në Maminas.
Por ajo që i bëri çudi Donaldit ishte se Gëzimi nuk u lodh shumë për të kërkuar makina, pasi mesa duket e kishte pikasur me herët automjetin që do të blinte.
Dhe se për këtë furgon në gjendje jo të mirë pune, Gëzimi pagoi 1 milion e 600 mijë lekë të vjetra.
Donald Hoxha
Mbaj mend që atë ditë isha duke pirë kafe me një shokun tim që quhet Edmond Çullhaj, kur Gëzimi më mori në telefon dhe më tha se do të shkonim të blinim një furgon në Maminas, që i duhej sipas tij për të punuar në fshat. Unë pranova me dëshirë të shkoja dhe këtë bisedë ia tregova edhe Edisonit. Kur shkuam në Maminas në një varrezë makinash, aty Gëzimi takoi një burrë me kaçurrela të veshur me kanotjere.
Mban mend që furgoni ishte ‘Renault’ i bardhë dhe jo një gjendje të mirë pune.
Pasi mbaruam punë dhe kryem pagesën unë mora furgonin dhe Gëzimi erdhi nga pas me makinën e tij.
Donaldi kujtoi më tej se rruga për në Elbasan kaloi nëpërmjet peripecive të shumta.
Kjo pasi furgoni ishte në gjendje aq të mjerueshme teknike, sa iu desh të ndalonin disa herë rrugës së vjetër Elbasan-Tiranë, për të pushuar.
Ndërkohë që ai tha se për herë të fundit furgonin e pa, kur e lanë në Elbasan.
Donald Hoxha
Mbaj mend që kur ishim afër kafe ‘Kiu-t’, tek rruga e vjetër e Krrabës, Gëzimi më mori në telefon dhe më tha që të ndaloja sepse më ishte hapur dera e pasagjerit të furgonit.
Më kujtohet që derën e lidhëm me litar.
Kur mbërritëm në Elbasan, Gëzimi më mori prapë në telefon dhe më tha që furgonin ta parkoja tek stadiumi sepse do e dërgonte më vonë diku për ta rregulluar.
Pasi u ndanë së bashku atë ditë. Donaldi kujtoi se ai dhe Gëzimi nuk kishin folur më për furgonin.
Por pa kaluar një javë nga ky udhëtim i përbashkët, dhe pasi nuk e kishte prekur më me Gëzimin muhabetin e furgonit, Donaldi tregon se jo pa shqetësim ai pa në lajme pikërisht këtë automjet që ishte përdorur në një vrasje. Por gjithmonë në dyshimin sipas tij se mund të ishte një automjet i ngjashëm.
Gjithsesi brerja e ndërgjegjes nuk e la të qetë.
Dhe për këtë arsye ai pyeti Gëzimin se çfarë u bë me furgonin.
Donald Hoxha
Unë furgonin atë ditë që erdhëm nga Maminasi e parkova në një rrugë dytësore prapa stadiumit, afër parkut.
Dhe çelësin ia dhashë Gëzimit.
Pas këtij momenti unë furgonin as nuk e kam parë dhe as nuk e kam ngarë më.
Një javë më pas unë pashë në lajme që ishte vrarë një shtetas dhe në foto kontastova një furgon që dyshohej se ishte përdorur në këtë vrasje, që mu duk shumë i ngjashëm me atë që Gëzimi bleu në Maminas. Dyshim të cilin ia shpreha edhe shokut tim Edit, që më sugjeroi të shkoja ta takoja Gëzimin për këtë muhabet.
Por siç do të shikohet edhe më tej, Gëzimi është munduar ta mbajë larg Donaldin, nga informacioni se çfarë u bë me furgonin që kishin blerë së bashku në Maminas.
Madje e siguroi që ta bëjë gjumin e qetë, se asgjë nuk kishte për të ndodhur.
Duke lënë të kuptojë se çdo gjë ishte pastruar mirë e bukur.
Donald Hoxha
Pasi e telefonova Gëzimin ne u takuam së bashku te zona e quajtur ‘Gurabardhi’ në Elbasan.
Aty ku unë e pyeta Gëzimin nëse furgoni që doli në lajme ishte i njëjti me atë që kishim blerë apo jo, gjë të cilën ai ma mohoi.
Ashtu sikurse nuk më tregoi as vendin ku e kishte lënë.
Aty mbaj mend që Gëzimi më tha: ‘O Donald po edhe sikur të jetë nuk ka problem, sepse unë i kam fshirë gjurmët nga ai furgon kështu që mos ki merak’.
Pas kësaj bisede, Donaldi rrëfeu për grupin hetues se ai dhe Gëzimi ishin takuar edhe disa herë në Elbasan.
Madje kishin udhëtuar së bashku edhe në drejtim të Maqedonisë, ku Gëzimi kishte takuar disa djem, të cilët ai vetë nuk i njihte.
Por ata, gjithmonë sipas tij, nuk folën më kurrë për furgonin e bardhë.
Ndërkohë që ai dhe Gëzimi i shkëputën marrëdhëniet në vitin 2014, në një rrethanë ende të pasqaruar.
Ndërsa ekzistencën e furgonit të bardhë, ai thotë se e dinte vetëm ai, Gëzimi dhe shoku i tij Edi.
Dhe se familjarët e tij e mësuan vetëm pasi në banesë u erdhi policia.
Donald Hoxha
Njëherë, shumë kohë pas ngjarjes, unë, Gëzimi dhe një shoku i tij që nuk ia mbaj mend emrin, kemi shkuar me taksi në Maqedoni, ku kemi takuar disa djem.
Në vitin 2010 unë shkova në Francë ku qëndrova 2 vite. Hera e fundit që e takova Gëzimin ka qenë në vitin 2014, por nuk e kujtoj se ku e kam takuar.
Discussion about this post