Shkencëtarët që ndjekin përhapjen e gripit të shpendëve janë gjithnjë e më të shqetësuar se mungesa e vëmendjes nga autoritetet mund t’i gjejë papritur sërish prapa një pandemie të re. Alarmi jepet në një shkrim të agjencisë Reuters që ka biseduar me një duzinë ekspertësh të rëndësishëm të sëmundjeve.
Shumë prej tyre kanë monitoruar nëntipin e ri të gripit të shpendëve H5N1 tek zogjtë shtegtarë që nga viti 2020. Por përhapja e virusit në 129 tufa në 12 shtete të SHBA-së ka dhënë një sinjal të ri se viusi mund të jetë i transmetueshëm nga shpendët tek njerëzit. Kjo pasi, përveç shpendëve, i njëjti virus është gjetur edhe në gjitarët e tjerë, nga alpaka (një lloj deveje e vogël) deri te macet e shtëpisë.
“Duket pothuajse si një pandemi që po shpaloset me lëvizje të ngadaltë” – thotë Scott Hensley, një profesor i mikrobiologjisë në Universitetin e Pensilvanisë. “Për momentin, kërcënimi është shumë i ulët… por kjo mund të ndryshojë në një sekondë.”
Sa më herët të bëhet paralajmërimi i një kërcimi te njerëzit, aq më shpejt zyrtarët globalë të shëndetësisë mund të ndërmarrin hapa për të mbrojtur njerëzit duke nisur zhvillimin e vaksinave, testimin në shkallë të gjerë dhe masat e kontrollit.
Autoritetet që mbikëqyrin lopët qumështore në SHBA janë përqendruar në testimin e tufave përpara se ato të kalojnë kufijtë shtetërorë. Megjithatë testimi i njerëzve të ekspozuar ndaj bagëtive të sëmura është i pakët, thanë për Reuters zyrtarët qeveritarë të shëndetësisë dhe ekspertët e gripit pandemik.
“Duhet të zbulohen se cilat ferma janë prekur, sa nga lopët janë pozitive, sa mirë përhapet virusi, sa kohë qëndrojnë këto lopë infektive, rrugën e saktë të transmetimit” – tha virologu holandez i gripit Ron Fouchier i Qendrës Mjekësore Erasmus në Roterdam. Dr. Jeanne Marrazzo, drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive të SHBA-së, tha se mbikëqyrja e njerëzve është “shumë, shumë e kufizuar”.
Departamenti Amerikan i Bujqësisë tha se është më proaktiv në testimin e lopëve, por nuk bën publike se cilat ferma janë prekur. Disa ekspertë thanë se qasjet e ndryshme nga agjencitë e shëndetit të kafshëve dhe njerëzve mund të pengojnë një përgjigje më të shpejtë.
Disa pandemi, përfshirë COVID-19, mbërrijnë me pak paralajmërim. Në pandeminë e fundit të gripit, të shkaktuar nga H1N1 në 2009, virusi dhe paraardhësit e tij ishin përhapur fillimisht midis kafshëve për disa vite, por më shumë mbikëqyrje do t’i kishte ndihmuar autoritetet shëndetësore të përgatiteshin.
3 persona në SHBA kanë rezultuar pozitivë me gripin e shpendëve H5N1 që nga fundi i marsit pas kontaktit me lopët e prekura, duke përjetuar simptoma të lehta. Një person në Meksikë u infektua me një lloj të veçantë H5 që nuk ishte parë më parë te njerëzit dhe pa pasur asnjë ekspozim ndaj kafshëve. Raste të tjera u raportuan në Indi, Kinë dhe Australi, të shkaktuara nga lloje të ndryshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreziku i H5N1 për njerëzit është i ulët, sepse nuk ka dëshmi të transmetimit nga kafshët tek njerëzit. Disa barna janë të disponueshme, duke përfshirë sasi të kufizuara të vaksinës ekzistuese H5N1 dhe medikamente antivirale si Tamiflu. Ka mekanizma për të nisur prodhimin në shkallë më të gjerë të testeve, trajtimeve dhe vaksinave, nëse është e nevojshme, tha kreu i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për gripin, Wenqing Zhang.
Disa vende po ndërmarrin hapa për të mbrojtur njerëzit kundër H5N1. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po sigurojnë doza të vaksinës së gripit “para pandemisë” që mund të përdoret për grupet me rrezik të lartë, duke përfshirë punonjësit e fermave apo laboratorëve. Finlanda pritet të bëhet vendi i parë që do të vaksinojë punëtorët e fermave të gëzofit dhe shpendëve, si dhe punonjësit e shëndetit të kafshëve.
Meqenëse shumica e vaksinave të gripit bëhen duke përdorur virusin e rritur në vezë, mund të duhen deri në 5 muaj për të prodhuar vaksina pandemike. SHBA është në bisedime me Moderna për të përdorur teknologjinë e tyre më të shpejtë mRNA për vaksinat e gripit pandemik. Të gjithë ekspertët pranuan nevojën për të balancuar veprimin e shpejtë për të shmangur një kërcënim ndaj reagimit të nxituar.
Discussion about this post