Tendera për përmirësime dhe rikonstruksione shkollash që përsëriten shpesh tek i njëjti objekt, që prishet ende pa u tharë boja e fasadës! Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i përdor shkollat vetëm për të justifikuar prokurimet që thjesht mbushin llogaritë e një rrethi të ngushtë biznesmenësh. Prandaj nuk është çudi që në një shkollë, Veliaj të derdhë shpenzime çdo 3-4 vjet, pasi çdo herë merret vetëm me fasadën.
I tillë është rasti me shkollën 9-vjeçare ‘Pjetër Budi’. Më datë 22 maj Bashkia Tiranë ka hapur tenderin me objekt ‘Mbikëqyrja e punimeve për objektin: “Ndërtimi i shkollës 9 -vjeçare Pjetër Budi”, për të cilin janë lënë në dispozicion 35 milionë lekë.
Tenderi është i dyshimtë sepse zhvillohet me vonesë, ndërkohë që kontrata me ndërtuesin e shkollës është firmosur qysh në muajin prill 2024.
Deri më datë 3 qershor 2024, ka qenë e hapur gara dhe dorëzuan ofertat 6 firma. Këto propozime të ndryshme ishin një mundësi e mirë për të zgjedhur më të vlefshmen përmes garës ligjore. Por, sërish kemi shkelje të ligjit mbi prokurimet, pasi 5 kompani u përjashtuan nga gara në fazën e parë, ndërsa procedura u zhvillua me një pjesëmarrës. Ky veprim është bërë për t’i hapur rrugë vetëm ofertës të dorëzuar nga firma STUDIO-REBUS, me ofertë 28 milionë lekë.
Ashtu siç është bërë zakon në Bashkinë Tiranë, në këto raste menjëherë shpallet fituese firma e vetme që është e paracaktuar të marrë paratë. Ndërkohë, Lali Eri nuk shqetësohet për mungesën e konkurrencës, apo të kursejë ndonjë lekë nga fondi limit. Për më tepër studioja ka fituar besimin e Veliajt dhe ka firmosur punime projekte në bashkinë e Tiranë të paktën në 17 kontrata.
Siç shihet në dokumentin e mësipërm, Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Nga ana tjetër, ky tender ka rëndësi të madhe sepse bëhet fjalë për punime me vlerë të madhe në Shkollën ‘Pjetër Budi’. Në prill të këtij viti është firmosur prokurimi me objekt “Ndërtim shkolla 9 -vjeçare Pjetër Budi” me fond limit 3.7 milionë euro. PEPA GROUP shpk fitoi këtë tender. Firma në fjalë është në pronësi të Violeta Pepajt, një biznesmene e denoncuar nga qytetarët e Bashkisë Shijak. Kompani ka përfituar fonde të rindërtimit nga tërmeti dhe nuk ndërtoi shtëpitë, sipas akuzave të qytetarëve.
Ndërkohë, kjo shkollë ka qenë më parë pjesë e projekteve për fasadë të Veliajt. Në vitin 2017, Bashkia Tiranë bëri rikonstruktim të kësaj shkolle. Madje me mburrje Veliaj u shpreh se nxënësit do të kenë kushte më të mira pas rikonstruktimit prandaj duhet të marrin vetëm nota 10.
“Pas investimit, shkolla Pjetër Budi gati të presë vogëlushët. Edhe ne jemi gati, të presim 10-at e tyre e t’i shohim të shkëlqejnë!”, shprehej Veliaj në 2017.
Epo kjo fasadë zgjati vetëm 6 vjet, sepse në fund të fundit punë shkel e shko ishte. Tani duhet të hidhen para të tjera shtesë sepse kështu ka nevojë Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 30 prill 2024 është marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) për rreth tetë orë.
Gjatë qëndrimit në SPAK, Veliaj ka dhënë sqarime në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Ndërkohë disa drejtorë të bashkisë Tiranë ndodhen në arrest me burg dhe në procedim penal për korrupsion me tenderat.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post