Në mes të verës me temperatura ekstreme dhe mungesë ujit të pijshëm për qytetarët, kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli dhe vartësi që drejton ujësjellësin, bën pazar me fondin e riparimit të linjës.
Më konkretisht, në datë 11 korrik 2024, është bërë publik prokurimi me objekt ‘Rikonstruksion i rrjetit te linjës se furnizimit te ujësjellësit nga Impianti i Bovillës – Depo Maloku’. Projekti synon të përmirësojë cilësinë e shërbimi në zonat që furnizohen me ujë nga kjo linjë. Dhe për këtë qëllim kryetari Suli ka miratuar në buxhet 630 milionë lekë.
Mënyra se si është zhvilluar tenderi lë dyshime se fondi do të kafshohet nga abuzimet.
Gara për këtë tender është mbajtur më datë 18 qershor 2024 dhe fillimisht ishin dorëzuar 10 oferta, ku një pjesë e tyre ishin më ekonomike.
Konkretisht, firmat “ALMO KONSTRUKSION” sh.p.k., “DESARET COMPANY” sh.p.k. & “AURORA KONSTRUKSION” sh.p.k. dhe “NIKA” sh.p.k. kanë dorëzuar ofertat më të të lira që nisin nga 400 milionë lekë deri në 500 milionë lekë. Nëse ndonjëra prej tyre do të merrej në konsideratë, do t’i kurseheshin qytetarëve të paktën 150 milionë lekë të mbledhura nga tarifat dhe taksat.
Por, kur qëllimi është përfitimi i zyrtarëve, shpallet fituese oferta më e shtrenjtë. Kompanitë që përmendëm më sipër dhe 6 të tjera janë skualifikuar nga gara që në fazën e parë. Administratori i Ujësjellësi Eris Martini, sigurisht nuk vepron pa miratimet paraprake të kryebashkiakut Rakip Suli. Komisioni i tij ka gjetur menjëherë ca argumente, si për shembull ‘Nuk ka paraqitur autorizim/marrëveshje që tregon lidhjen midis distributorit dhe prodhuesit’ apo “nuk kanë paraqitur vërtetim për pagesat e detyrimeve të vitit 2023”.
Në fakt në çdo tender, për këto dokumente që mungojnë mund të njoftohen kompanitë përpara se të bëhet skualifikimi, sepse interesi është fitojë oferta më ekonomike dhe të garantohet konkurrenca. Por kryetari Suli ka urdhëruar të fitojë ajo kompani që është favorizuar prej tij. E dimë tashmë se kryebashkiakët kur shkojnë në në SPAK, thonë se nuk dinë gjë çfarë bëjnë drejtorët, por ujësjellësi është 100% i varur prej Sulit dhe drejtori është i emëruar prej tij.
Pra, drejtori i Sulit ka shkelur rregullat e prokurimit.
Vula e abuzimit u vu në momentin kur u firmos kontratën me firmën “NG STRUCTURES”, me pronar Hekuran Hoxhën. Kjo u shpall fituese, edhe pse në fazën finale nuk kishte përballë asnjë konkurrent.
Për këto shkelje dhe abuzime të drejtorit të Sulit, Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e kuq”. Kujtojmë se kjo është shenja e riskut të korrupsionit.
Me të njëjtën metodë pritet të ndahen edhe paratë për mbikëqyrjen e punimeve. Më datë 24 qershor 2024, është hapur gara për prokurimin me objekt “Mbikëqyrje punimesh për objektin “Rikonstruksioni i rrjetit te linjës se mbante te ujësjellësit nga Impianti i Bovilles – Depo Maloku”. Dhe për studion që do të merret do të paguhen 13 milionë lekë për katër muaj punë.
Epo ‘leku e çon ujin përpjetë’ thotë populli. Ndërsa në rastin tonë uji i Bovillës po çon përpjetë fitimet e bashkëpunëtorëve të Rakip Sulit.
Ky lloj drejtimi dhe menaxhimi që i bën Suli dhe drejtorët e tij e ka katandisur shoqërinë e Ujësjellësit Kamëz drejt falimentimit. Ndërmarrja ka rreth 295 milionë lekë humbje në vit. Drejtuesi që ka emëruar Suli në janar 2023, akoma nuk ka depozituar në QKB pasqyrat financiare të vitit 2023. Dhe dokumenti i mëposhtëm tregon gjendjen rrumpallë të kësaj ndërmarrje.
Ndërmarrja nuk kishte paguar akoma detyrimet tatimore të vitit 2020. Kësisoj , prandaj përmbarimi gjyqësor ka urdhëruar sekuestrimin e ujësjellësit dhe bllokimin e llogarive.
Vetëm pas 6 muajsh, më 12 qershor 2024 është bërë pagesa e detyrimeve dhe është hequr sekuestroja.
Kujtojmë se Kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli, është paraqitur dy herë në SPAK në nëntor 2023. SPAK po kryen hetime për veprat “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm”, “shpërdorim detyre”, “shkelje e barazisë në tendera” dhe korrupsion, pas kallëzimit të banorëve të Kamzës. Rakip Suli është denoncuar edhe nga një grup këshilltarësh të bashkisë Kamëz, duke iu referuar raportit të KLSH-së pas kontrollit në këtë institucion.
Burime bejne me dije se SPAK po kryen hetime për zyrtarë të bashkisë Kamëz, lidhur tendera të pastrimit të qytetit dhe dëmshpërblimet për tërmetin. Pas kallëzimeve të mbërritura në strukturën antikorrupsion, ky institucion ka regjistruar procedim penal, ndërsa hetimet po kryhen nga prokurori Elvin Gokaj. Mësohet se për këtë çështje janë thirrur dhe janë marrë në pyetje disa drejtorë të këtij institucioni dhe janë sekuestruar dokumente nga bashkia.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post