Kandidati republikan për president dhe rivalja e tij e mundshme demokrate po vazhdojnë fushtatat në garën për Shtëpinë e Bardhë. Ish-Presidenti Donald Trump hodhi dyshime mbi identitetin racor të Nënpresidentes Kamala Harris, ndërsa zonja Harris e sfidoi zotin Trump për të debatuar.
Me më pak se 100 ditë para zgjedhjeve, korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns i hedh një vështrim mbështetjes që gëzojnë dy kandidatët për momentin.
Kandidati republikan për president, Donald Trump u tha mbështetësve në shtetin fushëbetejë të Pensilvanisë se kundërshtarja e tij e mundshme demokrate është një mashtrim.
“Shefat e Partisë së majtë radikale Demokrate kanë vendosur një kandidate kukull që u shërben vetëm atyre. Kamala Harris mori zero vota. Ajo kontrollohet nga donatorët dhe ndërmjetësit e pushtetit që i mundësuan kandidaturën, ata që shkatërrojnë qeverinë tonë dhe që marrin miliarda e miliarda dollarë”, tha ai.
Më herët gjatë ditës, zoti Trump pati një diskutim që ngjalli reagime me disa gazetare afrikano-amerikane. Ai hodhi dyshime mbi identitetin racor të zonjës Harris, nëna e së cilës është indiane ndërsa babai afrikano-amerikan.
“Ajo gjithmonë është prezantuar me origjinën dhe trashëgiminë indiane. Nuk e dija se ishte e afrikano-amerikane deri para disa vitesh, kur u kthye në një afrikano-amerikane. Tani do që të njihet ashtu. Pra, nuk e di nëse është indiane apo afrikano-amerikane”, tha zoti Trump.
Nënpresidentja Harris është vetë-identifikuar prej kohësh si afrikano-amerikane dhe indiano-amerikane.
Që kur u bë kandidate e mundshme demokrate për presidente, mbështetja për të është baraz me atë për republikanin Trump në shtatë shtete kyçe, kryesisht për shkak të rritjes së përkrahjes së votuesve të rinj, afrikano-amerikanë dhe hispanikë, sipas rezultatit të sondazheve të agjencisë së lajmeve “Bloomberg” dhe kompanisë “Morning Consult”.
“Gara po merr një kthesë të re dhe ka shenja se Donald Trumpi po e ndjen atë. Ju mund ta keni vërejtur”, tha zonja Harris.
Ajo tha në një tubim të martën në Xhorxhia se zoti Trump duket se ka shumë për të thënë për të, por nuk dëshiron të diskutojë me të në debatin e planifikuar për shtator.
“Donald, shpresoj se do ta rimendosh debatin me mua, sepse siç thotë një shprehje ‘nëse ke diçka për të më thënë ma thuaj në sy’”, tha zonja Harris.
Ajo pritet ta shpallë kandidatin për nënpresident gjatë ditëve në vijim, në prag të Kuvendit të Partisë në Çikago ku do të synojë të bindë votuesit se ajo është zgjedhje më e mirë sesa zoti Trump.
Në Karolinën e Veriut, votuesja Wanda Cherry thotë se pas kalimit të kandidaturës nga Presidenti Biden tek Nënpresidentja Harris, entuziazmi është rritur.
“Më vjen mirë që presidenti e kuptoi se kemi nevojë për dikë më të ri për të udhëhequr vendin, dikë që ka zgjuarsinë dhe vullnetin për të garuar”, tha ajo.
Votuesi në Xhorxhia, T. Stanley nuk beson se zonja Harris është gati për postin e presidentes.
“Së pari, fakti se është kandidate më tmerron, sepse nuk është e përgatitur për të qenë presidente”, thotë ai.
Një votues tjetër në Xhorxhia thotë se zonja Harris ka rigjallëruar garën presidenciale.
“Do të votoj për të dhe jam i gëzuar për këtë. Në përgjithësi mendoj se ajo është pak liberale në shumë çështje, por për ta mbrojtur demokracinë tonë, patjeter se do ta votoj”, thotë Phil Ownbey.
Në Kaliforni, votuesja Marina George thotë se mbështetja për zotin Trump është mjaftueshëm e fortë për të mposhtur çdo kundërkandidat.
“Edhe me Kamala Harrisin, apo këdo që vendosin, ata nuk do të fitojnë. Kjo thjesht po e përshpejton dhe thellon humbjen e Partisë Demokrate. Gjithçka që ata po bëjnë po shkon në favor të republikanëve”, thotë ajo.
Në nivel kombëtar, sondazhi i agjencisë Bloomberg e nxjerr zonjën Harris baraz me zotin Trump, me më pak se 100 ditë para ditës së zgjedhjeve.
Discussion about this post