Ai gol i Endri Çekiçit në ndeshjen kundër Andorrës të zhvilluar në “Air Albania” i dhuroi Shqipërisë fitoren 1-0, duke bërë që Kombëtarja jonë të mbyllte eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” me 18 pikë, si kurrë më parë në historinë e futbollit kuqezi.
Kombëtarja shqiptare padyshim është në momentin e saj më të mirë, por që prej krijimit të saj ka pasur disa fazat të shkëlqimit që jepnin sinjale se nëse futbollit shqiptar i kushtohet vëmendja e duhur, Kombëtarja jonë do të ishte sot në nivelet e skuadrave më të mira në qarkullim.
Emisioni Opinion në TV KLAN i ka kushtuar hapësirë këtij suksesi historik të Kombëtares që arriti rekordin më të mirë të pikëve në një kualifikueset e një turneu madhor. Për Presidentin e FSHF, Armand Duka, kjo arritje nuk është aspak e rastësishme, por është fryt i një pune të madhe që është bërë dhe po bëhet ndër vite me futbollin shqiptar, por edhe me ekipet kombëtare në të gjitha moshat.
“Nuk është një gjë e rastësishme që Shqipëria mori 18 pikë, por është një vazhdimësi e punës së ekipit, është një vazhdimësi e gjithë punës së ekipeve Kombëtare zinxhir, që arrijnë deri në këtë rezultat historik të deritanishëm, me objektivin që një ditë Shqipëria të jetë në një Kupë Bote.
Çfarë ndikon më shumë në rritjen e Kombëtares? – Çdo gjë ka ndikimin e saj në arritjen e rezultatit. Futbolli dhe jo vetëm futbolli, por edhe disa gjëra janë shumë pak që shihen. Shihet veç maja e ajsbergut ndërsa në të është një volum shumë i madh pune, për të arritur që atë majën e dukshme, që del në sipërfaqe ta kesh të suksesshme dhe të arrish rezultate. Është punë komplekse, me përmirësimin e infrastrukturës sportive, me përmirësimin e mënyrës së stërvitjes, me përmirësimin e selektimit apo skautimit, siç i thonë në futboll, për të zgjedhur futbollistët më të talentuar, motivimi i tyre, atmosfera pozitive, çdo gjë duhet bashkuar për të arritur rezultatin maksimal. Ne nuk kemi arritur atë që arrijnë ekipet e mëdha të Europës, por për historinë e Shqipërisë, për një vend modest si Shqipëria, vërtetë kemi arritur shumë”, – thotë Presidenti Duka në intervistën e tij për emisionin “Opinion”.
Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar thekson se duhet punuar edhe më shumë për të pasur më shumë futbollistë cilësorë në ekipet zinxhir, ndërkohë që fokusi do të vazhdojë të jetë i lartë te talentet që aktivizohen në ekipe të huaja, duke i mbajtur në monitorim.
“Ne kemi futbollistë shumë të mirë, kemi disa futbollistë me kualitet shumë të lartë, por nuk kemi numrin e domosdoshëm për të qenë kompetitivë me skuadra shumë të mëdha të huaja. Ata që kemi luajnë në skuadra të mira, por në raste të veçanta, me pak mungesa, pastaj fillojmë dhe çedojmë. Kështu që për të arritur në nivelin e atyre skuadrave, duhet të kemi më shumë futbollistë kualitativë dhe të kemi më shumë prurje nga ekipet zinxhir, gjë e cila po vjen. Padyshim që e ndihmon, sepse luajnë në kampionate akoma më të forta sesa ai i Shqipërisë. Kanë eksperienca shumë më shumë, me të ardhura ekonomike më të mëdha, që i bën akoma e më shumë profesionistë dhe në njëlloj mënyre kur rikthehen në ekipin Kombëtar, sjellin eksperiencën e kampionateve më të mëdha. Kemi disa futbollistë që luajnë në Serie A dhe dihet se çfarë niveli është të sjellësh eksperiencën e kampionatit italian te ne, është një vlerë e shtuar për ne”, – shton Duka.
Sakaq, Presidenti i FSHF-së e vë theksin edhe te infrastruktura sportive dhe fakti që qeveria apo pushteti vendor duhet të kontribuojnë për krijimin e terreneve që t’u japin mundësi fëmijëve që të luajnë futboll dhe të ndjekin ëndrrat.
“Skuadra Kombëtare ka ardhur deri këtu si rezultat i një projekti që vazhdon. Përmirësimi i kompleksitetit që përmenda më sipër. Duhet të fillosh që në moshën 5-vjeçare me fëmijët. Futbolli i fëmijëve dikur fillonte në moshën 12 vjeç, ndërsa sot fillon që 5 vjeç. Infrastruktura ka ndryshuar, burimet njerëzore kanë ndryshuar, trajnerët kanë ndryshuar. Duhet të ndryshojnë akoma më shumë, për të arritur edhe më shumë. Ajo që ka shumë më shumë nevojë Shqipëria dhe që nuk varet nga një Federatë Futbolli, por varet nga e gjithë qeveria, nga të gjitha pushtetet, ato që kanë autoritetin për ta bërë është infrastruktura sportive. Ne kemi mungesë inventari të terreneve sportive, që duhet ta shtojmë, kryesisht në Tiranë, ku kemi dendësinë më të madhe të popullsisë dhe sipërfaqe më pak për të ndërtuar fusha futbolli. Nëse do flasim për numrin e nevojshëm të fushave të futbollit, jam shumë i sigurt që Shqipëria do të bëjë suksese shumë më të mëdha sesa kaq”, – tha ndër të tjera Presidenti Duka.
Discussion about this post