Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, sfidon SPAK-un me një tender të madh, me të cilin ka merituar “Flamurin e kuq”. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit, që vendos Open Data Albania mbi prokurimin 2 milionë euro për asfaltimin e disa rrugicave në lagjet e fshatrave.
Asfalt elektoral dhe gosti për 4 oligarkë
Tenderi me objekt “Sistemimi dhe Asfaltimi i Rrugëve Rurale në administrim të Bashkisë Lezhë” është porositur për të gostitur 4 oligarkë të ndërtimit. Ndërsa synimi është efekti elektoral para zgjedhjeve në vitin 2025, kur Ndreu do të shkojë të presë shiritat nëpër fshatrat e lagjeve.
Në listë janë rruga Tanush Topia 2 (Sheher); Kolepepje (Kallmet i vogel); rruga e Xhoceve (Kallmet i vogël); rruga e Markapaleve (Kallmet i vogël); rruga e Habereve (Kallmet i vogël); rruga e Kryezezëve (Kallmet i vogël); rruga e Lekjeve (Kallmet i madh); Bajraktari (Manati); rruges 54 (Manati); Nikolli Stomthane (Barbullojë e re); rruga Lekajve (Rrile); rruga e Ambulancës (Tresh); rruga e Kovaçëve (Tresh); rruga se Varrezave (Spiten); 7 Bajrakët (Grykë lumi Shënkoll); rruga e Kishës (Shënkoll); Viktoria (Shënkoll); rruga e Zejmenit të vjetër; rruga Gjokajve (Gajush); Margegaj (Pllane); rruga në varrezat e Berzanës (Zejmen).
Fondi 197 428 355,00 lekë (pa TVSH) është vënë në dispozicion nga buxheti i Bashkisë Lezhë, miratuar në 14 dhjetor 2023 të Këshillit Bashkiak Lezhë për programin afatmesëm 2024-2026 dhe buxhetit vjetor për vitin 2024. Po ashtu, Ndreu e ka blinduar këtë projekt edhe me një vendim të datës 30 prill 2024 të Këshillit Bashkiak Lezhë “Për disa ndryshime në buxhet”.
Bëhet fjalë për asfaltimin e këtyre rrugicave ekzistuese nëpër fshatra me një gjatësi totale rreth 13 km dhe gjerësi mesatare 3.5 metra me dy bordura anash. Asgjë më tepër. Projekti nuk parashikon as rrjet kanalizimi as, ndriçim, as mbjellje pemësh, asgjë që lidhet me urbanizimin e këtyre zonave. Është një projekt thjesht për t’u hedhur hi syve banorëve, siç bëhet zakonisht para zgjedhjeve. Ato janë rrugë të shtruara me çakëll, por ka edhe të asfaltuara para disa kohësh.
Për këtë tender, stafi i Ndreut ka zgjedhur procedurën “Marrëveshje Kuadër”, por ka një mangësi të madhe sepse tenderi duhej të ndahej në lote para shpalljes së konkurrimit. Kjo gjë nuk është bërë dhe pritet që torta të ndahet në tavolinë mes “fituesve”.
Cilët janë pjesëmarrësit e tenderit fiktiv
Prokurimi u shpall i hapur më 5 qershor 2024, ndërsa afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve ishte data 20 qershor 2024.
Në pamje të parë duket sikur u zhvillua një tender me garë të rregullt, sepse kanë marrë pjesë 12 operatorë ekonomikë. Në fakt është një tender ku duket qartë se ka marrëveshje të ndaluar mes operatorëve për ofertat dhe pjesëmarrje formale. Për shembull, Operatori ekonomik “HASTOÇI” SH.P.K, ka marrë pjesë në tender fiktivisht, pasi nuk ka paraqitur oferte ekonomike. Por nga kontrolli i kontratave publike, del del se kjo firmë ka fituar tendera në formën e bashkimit të operatorëve BOE me kompaninë “BE – IS” SH.P.K, e cila gjithashtu është pjesëmarrëse në tenderin e bashkisë Lezhë. Një nga tenderat e fituara së bashku është ai i ndërtimit të rrjetit ujësjellës të jashtëm të Këlcyrës.
Po ashtu, “BE-IS” me pronar Hamz Islamajn dhe “BAMI Holding” shpk e Besnik Bamit kanë qenë në tendera të tjerë pjesëmarrës në formën BOE (tenderi i Erion Veliajt për rrugën e Liqenit, pranë ambasadës Holandeze).
Edhe kompania tjetër pjesëmarrëse “ZEQIRLLARI” SHPK është një satelit i “BE-IS”. Të dyja së bashku kanë fituar në formën BOE tenderin “Rehabilitimi i rrugës së aksesit për tek kullat e ekuilibrit në “HEC Koman”.
Këto kompani kanë bërë dukshëm oferta më të larta se “BE-IS” në tenderin e bashkisë Lezhë.
Pjesëmarrësi tjetër operatori “A. N. K.” SH.P.K ka hyrë në tendera ku është shpallur fitues në formën e BOE me “BAMI Holding” SHPK (Zgjerim i Rrugës hyrëse të qytetit , parkimi dhe Rikualifikimi i Qendrës së Qytetit Krujë).
Kjo kompani me kapacitetet që ka mund të përmbushte kriteret, por në formular ka deklaruar “dy kamionë vetëshkarkues, në vedn të 3 që kërkohet në dokumentet standarde të tenderit”.
Kujtojmë se “BAMI” shpk është pjesë e skemave korruptive të drejtorëve të bashkisë Tiranë që i jepnin tendera vetes. Kështu BAMI ka fituar bashkë me firmën e sekuestruar nga SPAK, “5D”, projektin “Rehabilitim i qendrës Kinostudio”.
Ndërkaq, pjesëmarrësit A.L-ASFALT me pronarë Luan Memën, Astrit Varakun dhe pjesëmarrësi tjetër BOE “LIQENI VII” SH.P.K & “VARAKU E” SH.P.K me pronarë Ramazan Kalia dhe Shpëtim Varaku janë po ashtu bashkëpunues në tendera të mëparshëm në formën e BOE. Ndërsa kompania e Astrit varakut ka fituar shpesh tendera në formën BOE me kompaninë e Fiqiri Palit “SIRETA-2F” SHPK, që është edhe ajo pjesëmarrëse në tender.
“S I R E T A 2F” SH.P.K u skualifikua për arsye se nuk ka paraqitur asnjë dokumentacioni apo shkrese pranë Bashkise Lezhë nga data e kërkesës se Autoritetit Kontraktor në SPE deri në datën 1 gusht 2024. Pra kompania është tërhequr duke ia hapur rrugën Salillarit me shokë.
Megjithatë Ndreu e kishte të qartë se kujt do t’ia jepte tenderin. Janë identifikuar si fituese: 1- “BE – IS SH.P.K”, me propozimin me vlerë 155,442,534 lekë. 2-“BAMI HOLDING” SHPK, me vlerë 169,674,403 lekë. 3- “KUPA” SHPK, me vlerë 170,114,614 lekë; “SALILLARI” SHPK, me vlerë 187,554,734 lekë. Eh, ku ka gosti më të mirë se sa me këta katër oligarkë!
Nuk dihet pse Ndreu e mbajti kaq gjatë kontratën në sirtar, por fituesit u shpallën zyrtarisht më 23 gusht 2024 në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Kohëzgjatja e kontratës është fiksuar për 12 muaj.
Ndreu me çështje të hapura në SPAK
Me pak fjalë, Ky është një tender i denjë për t’u vendosur brenda dosjes së kryetarit Ndreu në SPAK. Ndërkohë që firmoste dokumentet e këtij tenderi, Pjerin Ndreu u thirr në SPAK ku u pyet si person nën hetim për shpërdorim detyre pikërisht në lidhje me një tender. Më 10 korrik 2024, Ndreu tha se është thirrur në cilësinë e personit nën hetim, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, në lidhje me ndërtimin e një trotuari që është bërë në Lezhë, gjatë kohës të mandatit të parë si kryetar Bashkie. Me sa duket, kryetari i bashkisë e ka ndarë mendjen, që të mos shkojë në burg thjesht për një trotuar, por me një tender që vlen 2 milionë euro.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post