Ilir Proda, kryepolici i Elbasanit që prej Marsit 2023, pritet të emërohet së shpejti Drejtori i Ri i Policisë së Shtetit. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme konfirmuan se emri i Prodës i është propozuar nga ministri Ervin Hoxha qeverisë, për tu emëruar si kreu i ri i Policisë së Shtetit.
Për tu zyrtarizuar si kryepolici i ri, tashmë 41-vjeçarit i duhet firma e kryeqeveritarit Edi Rama.
5 kandidatët më të vlerësuar
Në një njoftim nga zyra e shtypit pranë MB-së, bëhet me dije se Proda ishte ndër 5 kandidatët më të vlerësuar nga konkursi për zgjedhjen e kreut të ri të policisë, që u çel pas largimit nga ky post i Muhamet Rrumbullakut.
“Në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 ‘Për Policinë e Shtetit’, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 ‘Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit’, Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi. Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.
Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM)”, njofton MB.
Në fund të këtij procesi, shtuan të njëjtat burime, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:
- Z. Altin Mena
- Z. Ardian Çipa
- Z. Ilir Proda
- Z. Neritan Nallbati
- Z. Skënder Hita
Ervin Hoxha propozon Ilir Prodën
“Ministri i Brendshëm, saktësohet në njoftim, do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës”.
Mbledhja e radhës e qeverisë pritet të zhvillohet ditën e Mërkurë.
Të zgjedhurit iu sekuestrua celulari nga SPAK, dyshime për lidhje me Çopjat e Elbasanit
Më herët gjatë këtij muaji, u raportua se Ilir Prodës, kreut të policisë së Elbasanit, iu sekuestrua celulari nga SPAK, për shkak se po hetohet për dekonspirimin e një operacioni për kapjen e Çopjave në Elbasan, në fund të korrikut.
Në vazhdën e këtij hetimi, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë shkuar edhe në zyrën e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, duke i sekuestruar aparatin e telefonit. Të tjerë zyrtarë të policisë janë verifikuar nga hetuesit në kuadër të dyshimeve për nxjerrje të sekretit hetimor. Franc e Hajdar Çopja dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë.
Më herët, në nëntor 2014, u raportua me urdhër të ish-kreut të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Artan Didi, u pezullua nga posti i tij si shef i komisariatit numër 2, Ilir Proda, për t’u zëvendësuar me Dritan Dordën. Sipas raportimev mediatike të kohës, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nisi hetimet, pasi Proda dyshohej se theu procedurat pas marrjes së një denoncimi në këtë komisariat. Një person denoncoi se një vajzë e ngacmonte në telefon dhe në vend të marrjes së kallëzimit nga ana e specialistëve të komisariatit, Proda zgjodhi mënyrën e ballafaqimit të dy palëve. Në momentin e ballafaqimit mes vajzës dhe denoncuesit, në kallëzimin e bërë pranë SHKB-së, u pretendua se Proda ushtroi dhunë ndaj vajzës, duke i bërë edhe presion për të mos e bezdisur më në telefon djalin që bëri denoncimin.
Dyshimet për garë fiktive, denoncimi: Ilir Proda i zgjedhuri i grupeve kriminale
Që në krye të herët, gara për zgjedhjen e kreut të ri të Policisë së Shtetit është shoqëruar me akuza dhe dyshime për fiktivitet. Disa emra u përfolën si të paracaktuarit e mundshëm për të marrë karrigen e kreut të policisë, mes të cilësve edhe ai i Ilir Prodës.
Ky i fundit është denoncuar publikisht që në fillim të muajit se do të zgjidhej Drejtori i ri i Policisë së Shtetit përmes një gare fiktive, pas angazhimit të klaneve kriminale.
“Ministri i Brëndshëm Ervin Hoxha tha se do bëhet garë për drejtorin e përgjithshëm të policisë shtetit. Ndërkohë unë po bëj 1 javë që mora vesh datën se kur do të japin dorëheqje Muhamet Rrumbullaku dhe mora vesh edhe drejtorin e ri të policisë së shtetit. Mora vesh se drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të zgjidhet Ilir Proda. Pra gara është fiktive dhe po bëhet për propagandë, për ti hedhur hi syve popullit. Pra që ta din të gjithë Ilir Proda do të jetë Drejtor i Përgjithshëm dhe jo me garë por është zgjedhur me urdhër nga klanet”, shkruante më 6 Shtator, në një postim në rrjetet sociale, avokati Arben Llangozi.
Discussion about this post