Ashtu siç ishte paralajmëruar, në orën 12: 00, nisi protesta e Partisë së Lirisë para strukturën së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit. Me pankarta në duar: “Poshtë diktatura” dhe “Jo drejtësi me regji”, mbështetës të Ilir Metës kanë përcjellë mesazhe kundër SPAK dhe pro lirimit të Ilir Metës. Protesta është thirrur nga Ilir Meta, i cili nga qelitë e paraburgimit u ka kërkuar të votojnë me protesta periodike para SPAK.
Në fjalën e tij sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzoi SPAK si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.
“Ky institucion me veprimtarinë e tij antikushtetues e antiligjore ka vrarë besimin e qytetarëve të drejtësia e shteti ligjor duke u bërë njësh me mafien në pushtet. SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershme patriotë për barazi para ligjit. Ky institucion prodhon padrejtësi, antiligj dhe antiarbitraritet. SPAK bunkeri i fundit i narkoqeverisë dhe po i jep imunitet korrupsionit skizofrenik. Jemi sot këtu, sepse SPAK-u është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar në Europë dhe në botë. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral. Duke qenë shërbëtori i Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve. SPAK-u është mbrojtësi më i madh i parave të pista, mbyll sytë para kullave të drogës dhe investimeve me para të pista që janë pak metra larg godinës. Është mbrojtës i korrupsionit shtetëror”, u shpreh Blushi.
Ai akuzoi Dumanin si mercenar më të verbër të rilindjes, që sipas tij ka mision persekutimin politik të opozitës.
“Është ky Altin Dumani që shkul një fshat të tërë për ta hetuar për një autokombajnë pa leje. Është një institucion mashtrues e montues procesesh të rreme me zero fakte e dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës vetëm për llogari të narkomafies. Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, lirive, dinitetit njerëzor të çdo shqiptari. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës”.
Gjokutaj: Jemi në luftë me drejtësinë e kapur
Avokati i Metës, Genc Gjokutaj, i cili ishte pjesë e protestës, kallëzoi tre nga efektivët e policisë që arrestuan Metën më 21 tetor, pranë Kthesës së Kamzës. Partia e Lirisë i akuzon tre efektivët për “shpërdorim detyre” dhe “veprime arbitrare”, ndërsa kallëzimi është depozituar me postë.
Në fjalën e tij në protestë, Gjokutaj tha se SPAK-u së bashku me GJKKO janë kthyer në një Juntë të rrezikshme për Shqipërinë.
“Kjo drejtësi nëse nuk do të funksiononte në këtë formë, kjo mazhorancë do të ishte larguar me kohë. SPAK dhe GJKKO vijojnë dhe persekutojnë opozitën, jo vetëm me dy liderët e opozitës por edhe zotin Salianji dhe zotin Beleri. Ligji është shkelur me të dyja këmbët, të gjithë duhet të jemi në këmbë që të mbrojmë jo vetëm opozitën, por të gjithë shqiptarët nga kjo Juntë që është kthyer në rrezik të madh publik. Këta gjyqtarë duhet t’i thërrasin mendjes”, u shpreh Gjokutaj.
Më tej ai sqaroi se në SPAK janë kallëzuar edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe shefi i “Operacionales”, për atë që e cilësoi rrëmbim të Metës.
“U bë kohë që jemi në luftë me një drejtësi të kapur, e cila nuk ka lënë dispozitë të neneve të kodit të procedurës dhe Kodit Penal pa shkelur, me qëllimin e vetëm izolimin e opozitës. Sot kemi depozituar në rrugë postare, kallëzimin ndaj Policisë së Shtetit, Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të policisë dhe Forcave Operacionale, me rastin e rrëmbimit kriminal që ju bë zotit Meta, në arrestimin e tij. Ata kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë konsumuar të gjitha krimet e mundshme që mund të bëjë një shtetas dhe një punonjës i policisë në detyrë. I kemi kërkuar edhe SPAK edhe GJKKO për ta deklaruar ndalimin të paligjshëm, por ata nuk e kanë trajtuar në vendimet e tyre. Sot jemi të detyruar që të denoncojmë me forcë këtë rrëmbim, pasi sot këto veprime kriminale ndaj ish-Presidentit të Republikës janë kthyer në normë, pasi dhuna e policisë është përditë evidente. Liderët e opozitës me kalendar politik, thirren dhe arrestohen”, u shpreh Gjokutaj.
Mesazhi i Metës
“SPAK me veprimtarinë antikushtetuese, të paligjshme e arbitrare po i shërben narkoregjimit për të rrëmbyer në mënyrë të dhunshme një mandat tjetër 4-vjeçar”. Kështu e nisi mesazhin drejtuar protestuesve presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili u lexua nga sekretarja e marrëdhënieve me publikun Arla Merja, duke sjellë në vëmendje denoncimet e opozitës për krimet elektorale.
“Ishte ky SPAK që me dosjen e Dibrës që tronditi Europën dhe u bë çështje e PE-së, e delegoi në prokurorinë e Dibrës për të shuar një nga krimet elektorale të Ramës. Denoncimin e opozitës për krime elektorale në 2021 me bandat e Elbasanit nuk e hetoi, por ia kaloi Elbasanit, se vëllai i prokurorit ishte deputet i PS. Ky SPAK për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve në vend që të hetonte qeverinë, hetoi gazetarët. “Metamorfoza” u bë publike pasi u vodh bashkia e Shkodrës. Edhe dosja e Elbasanit kishte dy vjet që kishte ardhur”.
Në mesazhin e tij, Meta akuzon kreun e SPAK, Altin Dumani, duke e cilësuar si instrument kamikaz të Ramës, që kërkon edhe një mandat tjetër për privilegjet e tij.
“Dumani nuk ka hallin e qytetarëve të shtetit, por të Ramës e Veliajt. Ajo që kisha paralajmëruar u përforcua nga Dumani ku kërkoi të sigurojë edhe një mandat tjetër 9-vjeçar. Gjoja në emër të pavarësisë së prokurorive Ai nuk ka hallin e pavarësisë së prokurorive, por të privilegjeve të tij. Jemi këtu për të denoncuar Dumanin si dhunues të kushtetutës e ligjeve dhe pavarësisë së gjykatave. Minon shtetin e së drejtës, ndarjen e pushteteve dhe përjashton parimin e prezumimit të pafajësisë. SPAK është instrument kamikaz i Ramës për t’u përdorur kundër opozitës, demokracisë dhe garanton paprekshmërinë e Ramës. SPAK demonstron hapur kapjen e tij nga Rama”.
Sipas Metës SPAK-u dhe Dumani janë garantë të korrupsionit të Ramës në shkelje të kushtetutës dhe ligjeve.
“SPAK-u dhe Dumani janë garantë të korrupsionit të Ramës dhe godasin limona të shtrydhur të rilindjes pa cenuar kolonën vertebrore të këtij mekanizmi dhe sidomos kryekorruptorin edhe të ndërkombëtarëve. Dumani po përjeton makthin e shkeljes së kushtetutës dhe ligjeve, fabrikimeve dhe falsifikimeve. Firmosi mbi rrëmbimin tim nga narkopolicia mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë”.
Ai u bëri thirrje protestuesve që të mos ndalen së denoncuari kreun e SPAK-ut.
“Të mos ndalemi së denoncuari dumanin që nuk guxon të dalë para gazetarëve të pavarur. Dumani ka shpërdoruar pozitën aktuale për qëllime politike. Ti themi ndal drejtësisë me regji. Beteja jonë e pakthyeshme do të vendosë drejtësinë në shina kushtetuese dhe do të kthejë lirinë për gjithë shqiptarët”.
Protesta zgjati rreth 1 orë.
Discussion about this post