Tirana ka vijuar zhvillimin e saj galopant gjatë viteve të fundit, duke u shndërruar në një metropol me ritme të shpejta urbanizimi. Ndërsa çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur ndjeshëm, ky fenomen ka sjellë disa ndryshime të rëndësishme në tregun e banesave, duke e bërë jetesën në kryeqytet një luks për shumë qytetarë.
Erjon Harizi, Kryetar i Bordit të Shoqatës së Ndërtuesve, thekson se rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme reflekton një përmirësim të cilësisë së jetesës dhe zhvillimin e urbanistikës. Ai shton se ndërtuesit kontribuojnë në ofrimin e apartamenteve për shtresat në nevojë, edhe pse kjo është një përgjegjësi që kërkon një angazhim më të madh nga shteti.
“Kur themi kemi rritje të çmimeve kemi dhe rritje të cilësisë së jetesës, rritje të vlerës së pronave dhe zhvillimit të urbanistikës. Ky çmim për personat që e kanë një pronë është një lajm shumë i mirë dhe nuk duhet ta shohim me pesimizëm. Është një shtresë në nevojë duhet të fokusohemi se si t’jua bëjmë më të lehtë për ta pasur një pronë. Këto janë politika të qeverisë më shumë se të ndërtuesve, por është i vetmi sektor që kontribuon në ndihmë të shtresë në nevojë ku kontribuon me 3 % të sipërfaqes totale të ndërtimit.
Zonat si Fusha e Aviacionit, Unaza e Re dhe Paskuqani kanë pasur rritje të çmimeve nga 40-60% në vitet e fundit, duke u shndërruar në destinacione të preferuara për investitorët dhe blerësit. Për vitin 2025, ekspertët parashikojnë se çmimet do të vazhdojnë të rriten, ndonëse ritmi i rritjes mund të jetë më i ngadalshëm në qendër të Tiranës, ku çmimet kanë arritur nivele më të stabilizuara.
“Zonat që kanë pasur më shumë rritje janë zonat që kanë qenë edhe më pak të zhvilluara si zona e Fushës së Aviacionit, zona e Unazës së Re, Sauku, Bulevardi i ri dhe Paskuqani janë zona që kanë pasur rritje me 40-60 % rritje dhe këtu është rritur më shpejt çmimi. Pra janë zona që kanë pasur çmimin më të ulët disa vite më parë.
Discussion about this post