Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë mbajti punimet e Asamblesë së Përgjithshme vjetore, ku anëtarësia diskutoi çështjet më të rëndësishme të veprimtarisë së saj gjatë vitit 2024. Në këtë mbledhje vjetore morën pjesë 44 anëtarë të shoqatës të përfaqësuar nga 66 delegatë.
Në asamblenë e zhvilluar mesditën e kësaj të mërkurë në “Shtëpinë e Futbollit”, u shqyrtua jo vetëm raporti i aktivitetit përgjatë vitit 2024, por delegatët miratuan buxhetin e vitit 2025, teksa u njohën me arritjet dhe problematikat e kësaj shoqate përgjatë vitit 2024.
Të pranishëm në këtë Asamble vjetore të SHRF Tiranë ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka si edhe CEO i grupit “Sigal Uniqa”, z. Avni Ponari, i cili ishte i ftuar për t’iu prezantuar anëtarëve të shoqatës nismën për sigurimin shëndetësor të fëmijëve që luajnë futboll me ekipet anëtare të SHRF Tiranë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka tha se futbolli shqiptar ka përjetuar zhvillime pozitive gjatë vitit 2024, ndërsa nënvizoi se Shoqata duhet të punojë më shumë gjatë këtij viti dhe të prodhojë vetë të ardhurat financiare dhe të rrisë edhe më shumë numrin e vajzave në futboll.
“Futbolli në Shqipëri në përgjithësi ka parë zhvillime pozitive, aktivitete vërtetë historike përgjatë këtij viti dhe Shoqata e Tiranës si Shoqata më e madhe e Shqipërisë pa dyshim që ka një meritë të veçantë në këtë zhvillim. Gjatë vitit 2025, Shoqata numëron 6620 futbollistë që është e barabartë me 1/4 e futbollistëve në gjithë Shqipërinë. Kjo tregon potencialin dhe rëndësinë e madhe që ka Shoqata Rajonale Tiranë për Federatën Shqiptare të Futbollit.
Sot ju do të miratoni pasqyrat financiare të vitit 2024 të Shoqatës, që fatkeqësisht zërin kryesor të të ardhurave e kanë donacione nga Federata Shqiptare e Futbollit. Dhe të keni tendencë për ta ndryshuar atë në të ardhmen, për të krijuar më shumë të ardhura. Vërtetë ka nisur një punë nga drejtuesit e Shoqatës për të pasur të ardhura nga vetë, apo nga sponsorizimet apo nga marketimi i aktivitetit të Shoqatës, jo si në të gjitha Shoqatat e tjera, por në mënyrë të veçantë.
Ka filluar për ju, por duhet që ky zë të jetë zëri kryesor i të ardhurave për zhvillimin normal të aktivitetit. Pa dyshim që transparenca e të gjithë pasqyrave financiare është e rëndësishme. Të dini gjithçka se çfarë është bërë dhe se ku shkojnë fondet dhe krijon besimin te ju për ta konsoliduar akoma më shumë dhe për të kontribuar akoma më shumë në shëndetin e këtyre financave.
Gjithashtu do të miratoni edhe buxhetin e vitit 2025 që parashikon përsëri kryesisht të ardhura nga donacionet e Federatës dhe vazhdimin e projekteve siç është projekti ‘Uniforma ime’, ‘Topi Yt’ dhe të gjitha organizimin e projekteve të tjera.
Ne sot kemi të ftuar drejtuesin e kompanisë Sigal, z. Avni Ponari, të cilin e falënderoj që është këtu, për të prezantuar një projekt tjetër të iniciuar nga drejtuesit e SHRFT në bashkëpunim me Sigal. Nëse ju do ta miratoni, ai do të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë për skemën e sigurimeve dhe testimeve shëndetësore të futbollistëve.
Unë mendoj se ajo që i kemi borxh futbollit është akoma më shumë impenjim nga të gjithë ne për futbollin e vajzave. Numërojmë vetëm 180 vajza në SHRFT, një numër shumë inferior krahasuar me atë që duhet të jetë, sidomos në raport me djemtë. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë shumë për ta rritur këtë numër.
Pjesëmarrja e vajzave në futboll është shumë e rëndësishme, pasi edhe nëse ato nuk do të bëhen futbolliste profesioniste, do të bëhen nëna dhe do të shtojnë komunitetin tonë, atë që është qëllimi ynë kryesor”, – tha Presidenti Duka në fjalën e tij përshëndetëse.
Ndërsa, CEO i grupit “Sigal Uniqa”, Avni Ponari, njëkohësisht President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, theksoi rëndësinë e ligjit të sponsorizimeve dhe nevojën për bashkëpunim deri në miratimin e tij. Ai gjithashtu shpjegoi se kontrata e sigurimeve mbulon shpenzimet deri në 10 mijë euro në rast dëmtimi të fëmijëve.
“Ju falënderoj për ftesën dhe ju përgëzoj për punimet e Asamblesë. Duke qenë edhe President i Federatës së Basketbollit, e ndjej si detyrim dhe e konsideroj shumë të rëndësishëm organizimin e aktiviteteve të tilla, shkëmbimin e eksperiencave, komunikimin me shoqatat dhe gjithë organizimet e tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e sportit.
E vërteta është që në pozicionin që kam, e ndjej përgjegjësinë e madhe që ne si Presidentë, kemi ndaj shoqatave sportive të futbollit dhe basketbollit. Në fund të fundit, mungesa e investimeve dhe financave e bën sportin më të vakët se çdo gjë tjetër. Shqipërisë i mungon ligji i sponsorizimeve, i cili është shumë i domosdoshëm dhe do t’i vendoste shoqatat në pozita më të fuqishme, duke ndikuar drejtpërdrejt në produktivitetin e futbollistëve dhe sportistëve të tjerë.
Është një proces që as Presidenti Duka, as unë dhe as presidentët e tjerë nuk e kemi në dorë. Megjithatë, lobimi dhe kërkesat për miratimin e këtij ligji janë bërë në drejtim të Qeverisë dhe Parlamentit. Por zëri juaj është shumë më i fuqishëm se i yni në disa raste dhe duhet të jetë këmbëngulës për ta bërë të qartë se çfarë është ky ligj dhe çfarë mundësish u krijon shoqatave për zhvillimin e sportit. Prandaj, një zë i përbashkët për miratimin e tij është shumë i rëndësishëm.
Një nga detyrimet tona që burojnë nga shoqatat sportive dhe federatat është kujdesi ndaj lojtarëve të rinj, të vegjël dhe të rritur. Ajo që përfitohet nga sigurimet është shumë e rëndësishme. Për fëmijët dhe për ata që merren me sport, sigurimi i tyre është i domosdoshëm.
Duke qenë në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Sigal-it në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, shoh diferencën; kemi fëmijë të siguruar në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa shumë pak këtu. Sportistët na takon neve moralisht që të kujdesemi për ta dhe duke pasur një kontratë sigurimi, kemi të drejtën që kundrejt saj t’i kërkojmë kompanisë së sigurimeve mbulimin dhe mjekimin e fëmijës deri në rikthimin në gjendjen e mëparshme.
Kjo bëhet e domosdoshme, sidomos kur kostoja është e ulët, por mbulimi arrin deri në 10 mijë euro. Ju uroj suksese dhe shpresoj që të kemi sa më pak sportistë të dëmtuar, sa më pak fëmijë që kërkojnë ndihmë dhe që të kenë një mbulim serioz për të vazhduar jetën e tyre si sportistë”, – përfundoi ai.
Me vendim të delegatëve, u përjashtuan nga Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë 5 anëtarë që janë: JAA Tirana, Akademia Europiane e Futbollit, Term FC, ALB Sport Tirana dhe Lapraka e Vjetër, pasi nuk kanë marrë pjesë në aktivitetet sportive të organizuara nga SHRFT për dy sezone radhazi
Gjatë punimeve u miratua edhe pasqyra financiare për periudhën janar – dhjetor 2024 si edhe u zgjodhën delegatët që do të përfaqësojnë SHRFT në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Këta delegatë janë kryetari i SHRFT, Krenar Alimehmeti, Andi Lila, Artan Vangjeli, Sonila Çekrezi, Ermal Myrta dhe Endrit Kaca.
Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë do t’i shtohen edhe katër anëtarë të rinj me të drejta të plota që janë: Akademia e Futbollit Çangu, Akademia e Futbollit Titans FK, Akademia Zhupa dhe National Sport Park.
SHRFT propozoi ndryshimin e logos së saj dhe delegatët e pranishëm në sallë votuan pro një versioni të ri më modern dhe të thjeshtë, që ruan elementet historike dhe thekson lidhjen me të kaluarën.
Discussion about this post