Ish-deputeti Agron Kapllani i ka gëzuar favoret e politikës si në pozitë edhe në opozitë. Kështu, firma që administron vëllai i tij “Shkëlqimi 07” regjistron tashmë 100 tendera publikë, shumicën e të cilëve i ka fituar duke u favorizuar nga zyrtarët e bashkive. Një prej tyre është Fation Duro që drejton Bashkinë Patos qysh prej qershorit të vitit 2023.
Megjithëse vitin e kaluar KLSH i la porosi të mos e shkelë ligjin e prokurimeve për të nxjerrë fitues Shkëlqim Kapllanin, kryetari nuk i ka rezistuar tundimit të korrupsionit. Dhe ja ç’bën Duro për Kapllanin! “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka përshkruar Open Data Albania tenderin e fundit të bashkisë Patos. Procedura është vlerësuar me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Tenderi u hap më 18 shtator 2924, por u anulua sepse, sipas komisionit të Duros, nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme. Në fakt, pritej të vinte oferta e firmës së Kapllanit, sepse ky tender ishte porositur për vëllain e politikanit.
Komisioni i urdhëruar nga kryetari Duro ka përllogaritur fondin limit 75 268 316,00 lekë. Referuar buxhetit të tre viteve 2024-2026 nga këshilli Bashkiak është parashikuar një fond prej 83,933,772 lekë me Tvsh për shtrimin e rrugëve me asfaltobeton. Dhe kryetari kërkon ta bëjë këtë punë (të paktën fillimin) para zgjedhjeve.
Tenderi u rishpall më 31 tetor 2024, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte caktuar më 2 dhjetor 2024 dhe brenda asaj dite është mbajtur tenderi.
Megjithëse shprehën interes 6 operatorë ekonomik, komisioni vijoi sipas porosisë duke eliminuar konkurrencën për t’i hapur rrugën kompanisë “Shkëlqimi 07”.
Fiton oferta më e shtrenjtë!
“SHKELQIMI 07” SHPK këtë radhë kishte marrë si mbështetje edhe kompaninë e Gramos Caushajt me bazë në Patos “GENERAL BETON” SHPK. Kjo e fundit merr çdo tender të bashkisë. Megjithëse emrin e ka “beton”, një radhë bleu podium për kryetarin, herë tjetër soba me dru për ngrohje, tulla, çimento, pllaka. Me pak fjalë furnizon gjithçka sepse siç duket i ka tenderat të garantuar.
Megjithatë kryesore në këtë bashkim firmash është kompania e Kapllanit. Megjithëse kishte ofertën më të lartë, kryetari Duro më 19 shkurt 2025 e shpalli me firmën e tij fituesin “Shkëlqimi 07”. Nuk e dimë pse e mbajti kaq gjatë në sirtar kontratën, por tashmë u vumë në dijeni sepse është shpallur nga Agjencia e Prokurimit Publik.
Oferta fituese e tenderit pa TVSH është 71 944 800,00 lekë dhe ka afat 3 vjet. Pra, kohëzgjatja e kalon edhe mandatin e kryetar Duros.
Ajo që na bën përshtypje është eliminimi pa hezitim i ofertave më ekonomike, prej të cilave bashkia do të kursente mbi 200 milionë lekë.
Kështu, shoqëria “BIBA-X” SH.P.K ofron vlerën sipas preventivit 58,716,078 lekë pa TVSH.
Shoqëria “BI-SERVIS” SH.P.K propozon ta bëjë furnizimin kundrejt 61,631,349 lekë pa TVSH. Firma “AGBES CONSTRUKSION” sh.p.k sipas totalit të çmimeve për njësi dhe vlerës së pritshme të kontratës, ofron vlerën e preventivit 70,590,330 lekë pa TVSH.
Ndërsa “K.M.K” sh.p.k propozonte ofertën 71,535,850 lekë pa TVSH, që po ashtu është më e ulët se sa oferta fituese e “Shkëlqimi 07”.
Por kur zhvillohen tendera korruptivë, qëllimi nuk është të kursehet buxheti, por të mbushen xhepat e bizneseve të zyrtarëve të përfshirë.
Ndërkohë banorët mund të presin, ndërsa Duro mbaron pazaret dhe të nisin mitingjet e fushatës. Janë parashikuar në total për ndërhyrje 48 rrugica me gjatësi nga 100 deri në 920 metra (me gjerësi 2.5 metra) të cilat janë të shpërndara në bashkinë e Patosit, duke përfshire dhe 2 njësitë administrative, Zharrëz dhe Ruzhdie. Procesi i shtrimit të rrugëve do të kryhet nga Agjencia e Shërbimeve Publike e bashkisë.
Duro nuk pyet për KLSH
Kryetari Duro nuk pyet për KLSH-në që e ka kapur mat dhe e ka paralajmëruar në vitin 2024 që të mos e favorizojë Kapllanin.
Bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Patos “Blerje Asfaltobeton për shtrim rrugësh” që u firmos nga paraardhësja Rajmonda Balilaj. Më vonë Balilaj do të dënohej për korrupsion nga GJKKO për favorizimin e dy firmave në tendera. Ndërsa zbatimi i kontratës është bërë nga Fation Duro. Tenderi ishte me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit.
Për fondin 33 332 449,00 lekë pa TVSH, kishin hyrë në garë 5 operatorë pjesëmarrës. Sipas raportit të auditimit, janë skualifikuar 4 firma dhe është kualifikuar vetëm 1 operator. Në përfundim, më datë 12 qershor 2023 është shpallur fituese oferta e shoqërisë “Shkëlqimi 07” shpk për të cilën është lidhur kontrata Nr. 18/2 prot., datë 29/06/2023 ( vlera e minikontratës së parë 25,760,538 lekë pa TVSH dhe vlera 30.912.612.6 lekë me TVSH). Megjithëse në krye të bashkisë ishte kryetari Duro si fitues i zgjedhjeve, firmën në kontratë e ka hedhur Rajmonda Balilaj,
KLSH konstaton se komisioni i tenderit ka skualifikuar për mangësi të dokumenteve të një kamioni operatorin me vlerën më të ulët “ASAB” ShPK me vlerën 17 095 000 lekë pa TVSH. Ndërkohë kishte edhe oferta më të ulëta, por u skualifikuan me kriterin që duhet të kishin fabrikë asfalti jo më larg se 20 km nga Patosi.
“Kriteri i vendosur në kërkesat e pikës 2.3.4 nuk është argumentuar teknikisht dhe ligjërisht ku citohet “Asfaltobetoni të përgatitet në fabrika të posaçme, të cilat këshillohet të jenë sa më afër depozitave të lëndëve të para dhe vendit të përdorimit të tij (jo më larg se 20 km nga blloku i rrugëve që do të shtrohen), në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesës që do të lind për lëndë të parë (stabilizant ose asfalt). Gjithashtu kjo gjë do të mundësojë ruajtjen e parametrave fiziologjike (temperaturë, shkriftim) të asfaltit”. Vendosja e këtij kriteri është i tepërt pasi kufizon pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë të cilët kanë vendndodhjen në një largësi jo më shumë se 20 km nga blloku i rrugëve që do të shtrohen, pasi disa nga OE mund të administrojnë makineri dhe mjete të cilat bëjnë të mundur ruajtjen e temperaturës së përzierjes në vlerat 130-150 C, të lejuara për shtrim, edhe gjatë transportimit. Veprimet më sipër bien në kundërshtim me përcaktimet e Ligjit nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, Neni 2- Qëllimi, neni 3, nenit 36, pika 2, Neni 77, pika 1, VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, Neni 41, pika 210”, konstaton KLSH.
Kryetari Duro me sa duket po ecën në hapat e paraardhëses Rajmonda Baliaj. Por për të mos shkuar më larg, Duro e ka shembullin në familje. Në korrik të 2020, bashkëshortja e tij Kozeta Spatha u emërua në krye të Kadastrës së Sarandës.
Më 24 mars 2022, Policia e Sarandës finalizoi operacionin ‘heshtja 2” për të zbatuar 4 masa arresti me burg të Gjykatës së Sarandës. Policia arriti të arrestojë 3 ish zyrtarë të ASHK me përjashtim të Kozeta Stathës, e cila vendosi të arratiset dhe të jetë në kërkim që prej asaj dite. Referuar njoftimit zyrtar të Policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Sarandës dhe të Ksamilit. Ndërsa kolegët e saj janë në gjykim, Kozeta Spatha është larguar nga Shqipëria duke refuzuar të përballet me drejtësinë.
Gjykata e Sarandës i ka vendosur Kozeta Stathës masën e arrestit në burg dhe ndodhet e shpallur në kërkim nga organet ligjzbatuese.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post