Pas akuzave për rastin Veliaj, Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish drejtësinë përmes një postimi në rrjetin social “X” në lidhje me hetimin e SPAK për abuzimet me fondet në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Shefi i qeverisë njofton se ditën e nesërme do të mbledhë grupin parlamentar të PS, ku do të jetë i pranishëm edhe rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku. Sipas Ramës, rektori, i cili nuk është i përfshirë në hetimet e Prokurorisë, kërkon të dëgjohet publikisht në lidhje me lëshimin e 20 masave të sigurisë, sipas tij “pa gjyq” nga ana e Prokurorisë së Posaçme, por dhe për arritjet e universitetit që drejton.
“Nesër në 09:00, Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë, me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve më parë. Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor, që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njëhsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë 2030,” shkruan Rama në “X”.
Berisha: Grusht shteti, Rama në tmerr
Deklaratën e Ramës e komentoi kundërshtari i tij politik Sali Berisha më vonë gjatë ditës, duke u shprehur se kryeministri është i vendosur të kontrollojë çdo mandat arresti në Shqipëri.
“Këto qendrime, së pari, dëshmojnë edhe njëherë se, Edi Rama është në tmerr, është në panik. Dëshmojnë shumë qartë se, kërkon që çdo urdhërarresti para se të ekzekutohet apo të lëshohet të kalojë nga zyra e tij, të marrin lejen e tij”, tha Berisha, i cili më tej e akuzoi kreun e qevrisë për “grusht shteti”.
“Përdor me një rast të pashembullt, nuk kam dëgjuar ndonjëherë, dhe kjo është vazhdimi i grushtit të shtetit. Grushti i shtetit brenda shtetit quhet atëherë kur njëra degë e pushtetit, në rastin konkret dega ekzekutive, do të marrë fuqi dhe pushtet të degës tjetër, degës gjyqësore. E nisën me rrethimin e gjykatës dhe marrjen peng për disa orë të gjykatësve. Tani vazhdojnë të bëjnë dëgjesë publike për vendimet e gjykatës. Pra, çfarë tregojnë këto? Tregojnë se, Edi Rama është i vendosur të kontrollojë çdo mandat arresti në Shqipëri”, tha Berisha.
Dyshimet për tendera te UBT, 24 masa sigurie
Një hetim i nisur që në vitin 2022 për stafin e Universitetit Bujqësor në Kamëz ka bërë që me kërkese të SPAK, Gjykata e Posaçme të firmosë 24 masa sigurie për pedagogë, drejtorë prokurimesh dhe specialistë të IT.
Masë sigurie arrest në burg është vendosur për 5 persona, e konkretisht Edmond Tërthorja, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike, Mehmet Qoshja, specialist për fondet, si dhe për Pirro Zogun, drejtues i një subjekti privat.
Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia pasi rezulton se jeton jashtë vendit. Ndërsa për personat e tjerë policia ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Posaçme.
Për 10 persona të tjerë është caktuar masa e sigurisë arrest në shtëpi. Ndërsa 9 persona të tjerë është vendosur masë më e butë, ajo e detyrimit për paraqitje, mes tyre janë edhe dy zëvendës rektorët, Ilir Kapajn dhe Romina Koton.
Hetimet për këtë dosje janë ndjekur nga dy prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, të cilët dyshojnë se të 24 personat kanë kryer veprat penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsion, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentash.
Nga hetimet ka rezultuar se në disa procedura tenderimi, ata kanë kryer vepra penale duke firmosur anëtarë të KVO-së, praktika që gjithmonë kanë shpallur si fitues Pirro Zogun.
Discussion about this post