Një ngjarje e rëndë kriminale në rajonin e Dukagjinit e vuri në lëvizje Bepin Kolvatajn, gazetar i televizionit kombëtar “Vizion Plus” në Shkodër. Rruga drejt rajonit të thellë malor është e pashtruar dhe gjarpëron nëpër male, thuajse e pakalueshme pa një makinë të lartë.
“Jemi detyruar të bëhemi bashkë me kolegët e tjerë dhe të marrim makinë me qira për të mbërritur atje,” kujtoi Kolvataj, ndërsa shtoi se ‘vështirësia kryesore ishte shkuarja në vendngjarje.”
Edhe pse gazetaria është një profesion me konkurrencë të fortë, gazetarët lokalë në Shqipëri shpesh nuk e kanë luksin e garës individuale për lajme ekskluzive, pasi mbajnë mbi shpatulla jo vetëm profesionin, por edhe kostot që ai kërkon.
Larg Tiranës, gazetaria kthehet në një profesion të sakrificës, ku mungesa e kontratave, pagat e ulëta dhe presionet nga krimi i organizuar shpesh ndikojnë linjën editoriale. Për të mbijetuar, shumë gazetarë janë të detyruar të mbajnë punë të dyta, një pjesë prej tyre në administratën lokale, duke krijuar kushtet për konflikt interesi.
Elvin Luku, profesor i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, thekson se gazetarët në rrethe ndodhen mes dy zjarreve.
Në rastin e korrespondentëve, kjo liri nuk është e kushtëzuar vetëm nga linja editoriale e medias ku punon, por edhe nga paga e ulët, e cila shpeshherë varion në raport me kronikat/artikujt që u kërkohet të realizojnë, çka i detyron korrespondentët të punojnë në institucionet publike lokale apo private,” tha Luku.
“Pra, liria e gazetarit të rretheve në këtë moment është inekzistente, pasi korrespondenti është në pozicion “sandëich” mes dy punëdhënësve: nga njëra anë trysnia e medias, interesi apo politikat editoriale të saj dhe, nga ana tjetër, pozicioni i shërbyesit publik,” shtoi ai.
Mustafa thekson se zbatimi i Kodit të Punës mbetet një sfidë e madhe për mediat në Shqipëri.
“Gazetarëve nuk u lejohet të marrin pushimet vjetore të plota prej 28 ditësh; në shumicën e rasteve, ata mund të përfitojnë vetëm 14 ditë,” thotë ai. “Edhe pushimi javor shpesh nuk respektohet, pasi shumë media kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm, pa marrë parasysh të drejtat ligjore të punonjësve.”
Këto shkelje, sipas Mustafës, janë shembuj të mungesës së mbrojtjes ligjore dhe neglizhencës së institucioneve për të siguruar kushte të drejta pune për gazetarët në rrethe.
Një nga shqetësimet më të mëdha për gazetarët në rrethe është përdorimi i mjeteve personale për mbulimin e lajmeve, pa mbështetje financiare për kostot e amortizimit nga mediat ku punojnë.
“Vetëm karburant marrim,” shprehet Bekim Lekica, korrespondent për televizionin kombëtar ‘Top Channel’ në rrethin e Kukësit.
Sipas të dhënave të mbledhura nëpërmjet pyetësorit, vetëm 41% e gazetarëve të anketuar përfitojnë pagesën e shpenzimeve nga mediat ku ata punojnë dhe vetëm 2 gazetarë që e plotësuan pyetësorin deklaruan se përfitojnë pagesa për orët shtesë.
“Duhet të na paguhet shërbimi i makinave, sepse punojmë me makina personale,” tha Albana Aliaj Dema, korrespondente e Syri TV.
Një tjetër problem është mungesa e hapësirave të dedikuara të punës për gazetarët lokalë. Një gazetare nga Elbasani, që donte të mbetej gjithashtu anonime, tha se kushtet dhe mjetet e punës për gazetarët ne rrethe nuk janë në nivelin e duhur.
“Gazetarët në rrethe punojnë në kafene ose nga shtëpia, pasi nuk kanë zyra,” tha ajo, ndërsa shtoi gjithashtu, se “mjetet e punës i kemi blerë vetë.”
Një nga sfidat më të mëdha për gazetarët në rrethe mbetet presioni i drejtpërdrejtë nga grupet kriminale dhe pushteti lokal. Shumë prej tyre raportojnë raste të intimidimit dhe kërcënimeve si pasojë të raportimeve të tyre.
Sipas të dhënave të mbledhura nëpërmjet pyetësorit, 51% e gazetarëve në rrethe nuk ndihen të lirë të raportojnë mbi çështje sensitive, një shifër që reflekton klimën e pasigurt për median në nivel vendor.
Presionet ekonomike, politike dhe kriminale shpesh diktojnë mënyrën se si ushtrohet gazetaria, duke kufizuar ndjeshëm hapësirën për raportime të pavarura. Kur bëhet fjalë për faktorët që ndikojnë në lirinë e raportimit, 73% e gazetarëve përmendin një kombinim të politikave editoriale të medias, interesave të pronarëve dhe presionit nga grupet kriminale si pengesat kryesore. Një tjetër 10% raportojnë se censura brenda redaksive dhe politika editoriale kufizojnë punën e tyre, ndërsa 5% e lidhin këtë presion drejtpërdrejt me pushtetin vendor dhe institucionet lokale.
Për disa të tjerë, frika nga paditë mbetet një faktor po aq frenues. Këto të dhëna sugjerojnë se gazetarët lokalë nuk përballen vetëm me censurën nga jashtë, që vjen nga institucionet apo krimi i organizuar, por edhe me kufizime të brendshme nga redaksitë dhe interesat ekonomike të pronarëve të medias.
Përtej presionit editorial, gazetarët raportojnë edhe tentativa për të ndikuar financiarisht mbi raportimet e tyre. Sipas të dhënave, 22% e të anketuarve janë përballur me oferta të tilla dhe thonë se ato vijnë nga individë të përfshirë në çështje sensitive, të cilët kërkojnë të shmangin raportimin kritik në media.
Ky fenomen tregon përhapjen e korrupsionit në mediat lokale dhe përpjekjet e vazhdueshme për të manipuluar informacionin. Për më tepër, 25% e këtyre përpjekjeve për ndikim kanë ardhur nga anëtarë të grupeve kriminale, duke nënvizuar rrezikun me të cilin përballen gazetarët.
Gazetari Aldo Mustafa nga Durrësi vë në dukje një tjetër problem shqetësues: në raste rreziku, gazetarët lokalë shpesh mbeten të pambrojtur nga mediat ku punojnë.
“Në vend të kësaj, gazetarëve thjesht u sugjerohet të bëjnë një denoncim në polici, një procedurë formale që nuk zgjidh asgjë,” tha ai. “Në fakt, është vetë media që duhet të marrë masa për mbrojtjen e tyre, në vend që ta trajtojë sigurinë si një përgjegjësi individuale”, shtoi Mustafa.
Përtej sigurisë fizike, për të përmirësuar kushtet e punës së gazetarëve në rrethe, nevojiten disa masa konkrete, sugjeron Elvin Luku.
“Së pari, duhet të ushtrohet më shumë presion ndaj institucioneve publike, si Inspektorati i Punës, për të kontrolluar operatorët mediatikë lidhur me zbatimin e kontratave të punës dhe praktikat e pagesës me dy bordero, pasi shumë gazetarë deklarohen me paga minimale, pavarësisht se fitojnë më shumë,” tha ai.
Luku thekson që vetë gazetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm për të kërkuar kontrata të qarta dhe të sigurohen që ato të respektohen, ndërsa shton se një tjetër aspekt kyç duhet të luajnë dhe shoqatat e gazetarëve si “bilbilfryrës”, duke denoncuar rastet kur Kodi i Punës nuk zbatohet.
“Pa një kulturë të denoncimit dhe një mbështetje të organizuar, shkeljet do të vazhdojnë të jenë normë dhe jo përjashtim,” përfundoi ai./ BIRN
Discussion about this post