Ilir Yzeiri
Musine Kokalari është studiuar pak dhe, për veprat e saj, me përjashtim të konsideratave që janë dhënë para çlirimit nga studiues shqiptarë e të huaj në kuadër të Institutit të Studimeve Shqiptare, më pas, asaj i është përmendur më shumë profili politik sesa ai letrar. Në fakt, ajo është një nga shkrimtaret e para që përdori folklorin, rrëfimet, traditat regresive si një kanavacë mbi të cilën endte pastaj me ironi fatin e femrës shqiptare, e cila lindte si një zog i pafajshëm në një mjedis që e vëzhgonte me rreptësi. Sapo shtati i saj ndryshonte, mbi të hidhej perdja e errët e zakoneve të egra që i mbulonin jo vetëm trupin, por edhe shpirtin dhe, pas kësaj, ajo kthehej në një lodër në duart e kësaj tradite regresive. Disa herë ajo e zbërthente këtë traditë me anë të shprehjeve dhe proverbave që kishin zënë vendin e neneve të një kodi të egër. Edhe titulli që kam zgjedhur unë për këtë shkrim, nëse do të vihej në penën e saj, dhe nëse ajo do të pyeste nënën e saj se çfarë po ndodh kështu me Partinë Demokratike ? Jam i sigurtë që ashtu si e kam shënuar në titull do të përgjigjej, pra : « Kokat hëngshin ! », « Veten vrafshin ! »
Përtej kësaj hyrjeje, ato dy shprehje popullore apo proverba, ashtu edhe si disa të tjera shënjojnë një pjesë të vetëdijes kolektive shqiptare e cila, në raste konfliktesh, nuk parapëlqen dialogun por ndeshjen, dhunën. Mesa duket ata që kanë krijuar ato dy shprehje kanë qenë të pafuqishëm që të ndajnë një sherr apo një konflikt që mund të ketë qenë afër tyre : fqinjët, fjala vjen apo të tjerë më të largët. Me qenë se nuk kanë mundur të sugjerojnë një zjgjidhje apo edhe me qenë se kanë qenë të pafuqishëm që ta shuajnë atë zjarr të ndezur, i kanë rënë shkurt : « Kokat hëngshin ! » apo « Veten vrafshin ! » Në këtë rast nuk është vështirë të shihet edhe një lloj dëshpërimi që bartin këto proverba, një lloj kapitullimi përballë asaj që po ndodh.
Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë nisur një betejë të brendshme dhe ajo që bie në sy është shkatërrimi i të gjitha urave të komunikimit. Palët janë të ndara në llogore të kundërta dhe, prej kohësh, e paraqesin njëra-tjetrën si armike të cilat jo vetëm nuk mund të bashkëpunojnë, por qëllimi është që njëra palë të asgjësojë tjetrën. Kjo nuk duket vetëm në retorikën e ndërtuar me metaforat e luftës që ata përdorin ndaj njëri-tjetrit, por edhe te veprimet që bëjnë. Në shumë raste, ashtu siç e tha në bisedën me mua, kolegu Denis Dyrnjaja në TT, kjo ngjarje është bërë groteske. Mirëpo, nga ana tjetër, përveç groteskut, kjo ngjarje shfaqet edhe si një komedi sepse veprimet e aktorëve të kësaj ndeshjeje më shumë të bëjnë për të qeshur sesa të mendohesh e t’i marrësh seriozisht. Ashtu si në komeditë klasike, autorët e kësaj ndeshjeje kanë gjetur një objekt rreth të cilit vërtitet konflikti. Ai objekt është godina e bukur që u ndërtua nga komunistët për ushtarakët e njohur edhe sot me emrin SHQUP. Në simbologjinë letrare apo atë historike gjenden të ngjashme si kjo : « Kështjella » e Kadaresë apo « Bastija » e revolucionit francez. Rënia e këtyre kështjellave ka shënuar në fakt rënien e një pushteti, të një regjimi. Për të mos shkuar te rënia e Shkodrës dhe marrja e saj prej turqve se pastaj do të bëheshim ne të tjerët qesharakë. Ashtu si në betejat kalorsiake, përpara ndeshjes finale, shkëmbehen mesazhe nga delegacionet të cilët vijnë deri te portat e kështjellës për të bërë rinjohjen. Nëse do ta çonim më tej ironinë dhe fantazinë, do të hamendësomin që në bedenat e godinës së ish- SHQUP-it rrinë të fshehur luftëtarët e Lulëzim Bashës me kova me zift të cilat do t’i hedhin nesër mbi trupat e njomë të luftëtarëve të Berishës. Ky i fundit rri larg dhe këqyr betejën me një dylbi të gjatë. Luli ashtu si Skënderbeu ka zgjedhur taktikën e goditjes nga pas dhe nga krahët. Më një grup kalorësish të lehtë, si Gaz Bardhi, ai do të godasë nga krahët dhe do të lodhë armikun.
Ironia mund të vazhdojë pa fund dhe komedia po ashtu mund të plotësohet edhe me situata të tjera edhe më qesharake. Vetëm se ajo që përbën ngjarje dhe që do të mbahet mend në historinë e pluralizmit shqiptar është armatosja e Berishës si Don Kishoti dikur me armët e vjetra të kalorësisë enveriste për të rimarrë shtëpinë e «dhëndrit» që dikur, për ta bërë atë të ligjshëm shkatërroi gjithë historinë e asaj partie, sot, për ta bërë atë të paligjshëm po shkatërron jo vetëm partinë, por edhe njerëzit që i shkojnë pas. Ndaj, më shumë se çdo gjë tjetër atyre, u shkojnë ato dy shprehjet e titullit, sepse kanë zgjedhur të luftojnë jo të dialogojnë, kanë zgjedhur të ndeshen pa arbitër.
Discussion about this post