Ish-ministrja e Bujqësisë, njëkohësisht, ish-drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Frida Krica, e cila në një vend normal duhej të ishte nën hetim për akuzat e vjedhjes së fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë dhe përfshirjes së saj në aktivitete të dyshimta me persona të lidhur me trafikun e kokainës, është fotografuar së fundmi duke shijuar pushime në resortin luksoz “MGallery Collection” në Green Coast. Ky zhvillim ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik dhe ka rritur presionin mbi Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Një foto e publikuar nga “JOQ” tregon zonjën Krica në resortin e luksit, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj i dytë, DJ Erti Lutaj, i cili ka përfituar pasuri dhe fonde publike që nga fillimi i bashkëjetesës me ish-drejtuesen e AZHBR-së. Shfaqja e një figure që konsiderohet si simbol i korrupsionit elitar në një nga resortet më të shtrenjta në vend, shihet si një sfidë e hapur për institucionet e drejtësisë dhe vetë opinionin publik.

Çmimet e akomodimit në “MGallery Collection” variojnë nga 700 deri në 1100 euro për natë për familje, duke treguar nivelin e lartë të shpenzimeve të pushimeve të zonjës Krica. Raportohet gjithashtu se ajo frekuenton një plazh privat të izoluar pranë resortit, duke shmangur ekspozimin publik.
Qytetarët, përmes mesazheve në platformat online, kanë shprehur indinjatën e tyre për këtë situatë, duke ironizuar faktin se një ish-zyrtare e akuzuar për korrupsion po shijon luksin në kurriz të taksapaguesve shqiptarë dhe fondeve të destinuara për fermerët e varfër. Opinionit publik i mungon transparenca nga SPAK lidhur me ecurinë e hetimeve ndaj zonjës Krica.
Hetimet e nisura nga SPAK në lidhje me akuzat për korrupsion në AZHBR, në kohën kur drejtohej nga Frida Krica, nuk kanë rezultuar ende në ndonjë njoftim zyrtar. Kjo ka forcuar perceptimin në publik se ajo, si shumë të tjerë para saj, mund të mbetet e paprekur nga drejtësia.
Më herët, mediat kanë raportuar edhe mbi pasurinë e dyshimtë të bashkëshortit të dytë të Frida Krifcës, Erti Lutaj, i cili ka hapur disa biznese pas lidhjes me të, dhe pasuritë e deklaruara nga vetë zonja Krica. Ndërsa Endri Ikonomi, ish-bashkëshortit i parë i Frida Krifcës, është arrestuar më herët për blerjen e të dhënave të pagave të shqiptarëve.
Fotot e Krifcës në resortin luksoz vijnë në një kohë kur ende mbeten të pezulluara nga Bashkimi Evropian fondet e IPARD për bujqësinë në Shqipëri pas hetimeve të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit (OLAF), që zbuluan dyshime për abuzime me fondet e ndara nga AZHBR nën drejtimin e Frida Kricës. Skandali korruptiv po hetohet nga SPAK, por deri më tani pa ndonjë rezultat konkret, duke lënë të kuptohet se ekziston ende një realitet shqetësues lidhur me trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.










Discussion about this post